Ambulancat e Mjekësisë Familjare në Drenas dhe Suharekë kanë mbetur pa mjekë, pasi ata kanë fituar të drejtën e specializimit.
Shkëlqim Hajdaraj nga fshati Abri, në Komunën e Drenasit, tha se mungesa e mjekëve në ambulancat më të afërta, po paraqet problem për ta.
Ai tregon se familjarët e tij dhe bashkëfshatarët, po detyrohen që të udhëtojnë mbi 13 kilometra, deri në Drenas, që të marrin shërbime shëndetësore, pasi të njëjtat nuk po mund t’i marrin më në ambulancën e fshatit.
“Unë kam pasur një rast me nënën time, për shkak të problemeve që ka me tension. Kur kemi shkuar në ambulancë, ajo ka qenë e mbyllur dhe është dashur të bëjmë një zgjidhje tjetër për të shkuar në Drenas”, tha Hajdaraj për Radion Evropa e Lirë.
Se qytetarët po detyrohen që të udhëtojnë me kilometra të tërë për të arritur te Qendra më e afërt e Mjekësisë Familjare, e pranojnë edhe zyrtarët e këtyre dy komunave.
Kryetari i Komunë së Suharekës, Bali Muharremi, tha për Radion Evropa e Lirë, se nga komuna e tyre, 48 mjekë kanë fituar specializimin.
“Kemi infermierë, kemi motra medicinale, por na mungojnë mjekët edhe besoj se pas muajit prill do t'i plotësojmë (vendet) me mjekë të rinj shtesë dhe do të funksionojë komplet Komuna e Suharekës, siç ka funksionuar përpara. Është e drejt e tyre (mjekëve), mirëpo është bërë (specializimi) pa planifikim. Është dashur së paku të bisedohet për kuadro të reja që duhen", tha Muharremi.
Më herët gjatë marsit Radio Evropa e Lirë ka raportuar lidhur me specializimet e mjekëve. Nga Odat e Mjekëve kanë thënë se situata me specializimet është një “katrahurë”, pasi sipas tyre, ky proces është bërë pa planifikim të duhur.
SHIKONI EDHE: Rrëmuja me specializantëtNë Komunë e Drenasit, 18 mjekë kanë fituar specializimin, tha Arsim Haxhiu, që udhëheqë Drejtorinë e Shëndetësisë të kësaj komune. Ai tha se tashmë ata kanë nisur procedurat që të plotësojnë këto vende boshe.
"Janë gjashtë ambulanca të Mjekësisë Familjare që për momentin janë të mbyllura, gjë për të cilën i kemi njoftuar edhe qytetarët që të kenë mirëkuptim, për shkak të mungesës së mjekëve që ka ardhur si pasojë e specializimeve të cilat Ministria (e Shëndetësisë) i ka shpallur gjatë fundvitit të kaluar dhe kanë filluar specializimet, me kontratë me ministrinë", tha Haxhiu.
Kosova, prej vitit 2016 nuk kishte hapur konkurse për specializantë. Në mënyrë që ta plotësohej numri i specializantëve për vitet e humbura, Ministria e Shëndetësisë më 30 korrik të vitit 2020 hapi konkursin për të pranuar rreth 1.500 specializantë. Deri tash janë thuhet se janë pranuar rreth 1.300 të tillë.
Specializimi i mjekëve bëhet atëherë kur një student i mjekësisë mbaron fakultetin, mirëpo duhet të specializohet në një drejtim të caktuar.
Haxhiu thotë se konkursi Ministrisë së Shëndetësisë për specializantët e rinj, ka shkaktuar probleme për komunën e tij.
"Konkursi i fundit pak na ka çrregulluar, për arsye se në kujdesin parësor shëndetësor ekskluzivisht shkojnë mjekët të cilët specializojnë mjekësinë familjare. Ndërsa, këta mjekë që kanë shkuar me kontrata me ministrinë janë të fushave të tjera, të cilët faktikisht duhet t'i plotësojmë pas largimit të tyre dhe nënshkrimit të kontratave me ministrinë", tha Haxhiu.
Qytetarët të cilët kanë nevojë për mjekë, nëse nuk kanë mundësi që të udhëtojnë drejt ndonjë Qendre të Mjekësisë Familjare në komunat e tyre, mund të presin edhe ekipet mobile familjare, pasi për momentin, për ta nuk ofrohen zgjidhje tjera.
Por, Shkëlqim Hajdaraj nga fshati Abri, tha se pavarësisht se Komuna e Drenasit ofron shërbime mjekësore përmes ekipeve mobile, këto ekipe nuk i janë përgjigjur thirrjeve, kur bashkëfshatarët e tij kanë pasur nevojë për shërbimin e tyre.
“Në fshatin tonë ka pasur kërkesa, por ekipet (mobile) nuk kanë ardhur. Ato ekipe nuk kanë ardhur asnjëherë”, shtoi ai.
SHIKONI EDHE: Mungesë e stafit shëndetësor në Mjekësinë FamiljareKomuna e Drenasit ka më shumë se 35 fshatra dhe një numër të popullatës prej rreth 59.000 banorësh.
Fshatrat që kanë mbetur pa mjekë në ambulanca janë: Sankoci, Nekoci, Vasileva, Bainca, Abria dhe Gradica me Dobroshevc.
Kurse, në Komunën e Suharekës në fshatrat Nishor, Doberdolan, Grekoc, banorët e të cilëve kanë mbetur pa ambulanca për shkak të ikjes së mjekëve.