Me nderime të larta shtetërore varroset Adem Demaçi

Your browser doesn’t support HTML5

Me nderime të larta shtetërore është varrosur të shtunën në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, veprimtari i njohur politik dhe aktivisti për të drejtat e njeriut, Adem Demaçi. Ai vdiq të enjten në Prishtinë në moshën 82-vjeçare.

Përfaqësuesit e institucioneve nga Kosova, Shqipëria, por edhe politikanë nga vende të tjera të rajonit, e kanë vlerësuar lartë punë dhe veprën e Demaçit.

Në ceremoninë komemorative, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha para të pranishmëve se Damaçi, ishte një kolos që u flijua gjithë jetën për shqiptarët. Ai tha se Demaçi ideal jetësore e kishe bashkimin e shqiptarëve.

"Kombi shqiptar po ndahet nga Adem Demaçi, një kolos që u vetmohua tërë jetën për qëllimin madhor, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin e shqiptarëve", tha Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se sot bota po ndahet nga “Mandela i Evropës”. Sipas tij, Demaçi ishte një burrë ku i flijoi 28 vitet në burgje, pa u mposhtur asnjëherë.

"Rini, shpirtin e talentuar e plot dhunti, dhe moshën e burrërisë Adem Demaçi i flijoi 28 vjet në burgjet jugosllave pa u thyer e pa u mposhtur ndonjëherë", tha Thaçi.

Ai tha se Adem Demaçi ishte njeriu më antikonformist që ka prodhuar ndonjëherë mendësia, kultura dhe historia politike.

"Ai ishte i madh edhe kur fliste. Ai ishte i madh edhe kur qortonte. Në momentet më të rënda historike ishte mbështetës, zëdhënës dhe përfaqësues i lartë politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Adem Demaçi kishte fituar imunitetin e pavdekësisë, andaj nuk u largua nga Prishtina as në ditët kur krimet dhe gjenocidi i forcave policore e ushtarake serbe ishte në kulm", u shpreh Thaçi.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në ceremoninë komemorative tha se Adem Demaçi, qëndroi, luftoi dhe fitoi, duke u bërë shembull për të gjithë shqiptarët.

"Jeta jote ishte luftë dhe këtë luftë e fitove, duke u bërë për gjithë shqiptarët modeli dhe shembulli i përkushtimit për atdheun i sakrificës dhe dashurisë për të, i vetmohimit dhe dedikimit me gjithçka e pa cak për lirinë e popullit. I dashur baca Adem, jeta jote ishe luftë dhe t'i ketë luftë e fitove. Jeta jote ishte sakrificë pa mbarim po t'i ja dole t'i përballosh e sfidosh ato si rrallë me urti e fisnikëri", tha Meta.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Adem Demaçi ishte patriot si të tjerët, por i veçantë me veprën e tij. Ai tha se kur të tjerët ju gëzuan lirisë së pjesshme, atë e mundonte padrejtësia e pjesshme.

"Nuk ka si ti, të tjerë baca Adem që për të gjallë dhanë kaq shumë sa dhe ti nga e drejta jote për jetë e liri, që ne të jetojmë të lirë. Ti dhe na dhe lirinë tëndë për lirin tonë më së shumti nga gjithë ne për së gjalli. Ti na e mësove rrugën deri te liria. Më në fund baca Adem, popull yt po i bashkohet popujve të lirë", tha Haradinaj.

Kurse Abetare Demaçi, vajza e Adem Demaçit, që mori fjalën në ketë ceremoni tha se “kisha një baba që e ndava me të gjithë shqiptarët”.

Ajo tha po ashtu se para se të vdiste “më thoshte se më e rëndësishmja është ta njohësh veten”.

"Ishte njeri që u sakrifikua për shqiptarizmin. Ai donte të thoshte se po ta njihnin shqiptarët mirë veten do të ishin kritik ndaj vetvetes, do të kuptonin se çdo gjë e keqe rrjedh nga vetvetja do të përpiqeshin ta përmirësonin veten, si individ dhe pastaj do ta kuptoni se vetëm në mënyrë kolektive mund të luftohet e keqja do të falnin do të kërkonin ta nxirrnin me të mirën nga vetja në këtë mënyrë asgjë ata nuk do të mund t'i ndalte çfarëdo që kërkoj e duan ata. Kështu si jemi, nuk e njohim as veten, nuk e dimë rëndësinë e bashkimit për një rrugë e një q[llim, do na përsëritet historia”, ka thënë Abetare Demaçi, duke kujtuar fjalët që i kishte thënë babai.

Në ceremoninë e varrimi ku morën pjesë shumë qytetarë. Te varrezat foli edhe shkrimtarie bashkëveprimtari i Demaçi, Selatin Novosella.

Ai tha se Demaçi asnjëherë nuk u ndal e as nuk mposht dhe kurrë nuk i ekspozoi plagët e panumërta. Sipas tij, ai nuk lejoi që askush të jetë dëshmitar i atyre plagëve.

“Baci ynë i mirë, më parë e zgjodhe lirinë e burgut sesa burgun në liri të rrejshme. Në burgun tënd i papërkulur ishe grithje, sepse e ndjeje veten të lirë aty, në raport me veten, në raport me idealet tua", tha Novosella.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte vendosur që në nderim të figurës së veprimtarit të njohur politik, Adem Demaçi, të shpallë tri ditë zie në Kosovë. [27,28,29 korrik].

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po sot pas ceremonisë mortore, në nderim të emrit dhe veprës së Adem Demaçit ka marrë propozim vendim për vendosjen e shtatores Adem Demaçi në sheshin “Adem Demaçi” në Prishtinë, emërtimin e Autostradës Prishtinë – Pejë “Autostrada Adem Demaçi” dhe propozimin për të emërtuar Parkun e Qytetit të Prishtinës, “Parku Adem Demaçi”.

Në mbledhjen komemorative që u mbajt të premten në Kuvendin e Kosovës, zyrtarët e shtetit thanë se Demaçi ishte ndër figurat më të mëdha të 100 vjetëve të fundit.

Your browser doesn’t support HTML5

Nderime e homazhe për Demaçin

Demaçi, veprimtar politik dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut, njihet si simbol i rezistencën në Kosovë për lirinë dhe pavarësinë e saj.

Për shkak të pikëpamjeve të tij politike, ai kishte vuajtur një dënim prej 28 vitesh në burgjet e ish-Jugosllavisë e më pas të Serbisë, andaj edhe shpesh është quajtur edhe si “Mandela i Ballkanit”.

Në fjalimet e liderëve politikë, Demaçi u cilësua si hero jo vetëm i Kosovës, por i gjithë shqiptarëve.