Autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë, vazhdojnë të deklarojnë vullnetin e tyre për dialog ndërmjet dy vendeve, si një proces që do të mundësonte arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, por qëndrimet e skajshme të palëve dhe zhvillimet në skenat politike të të dyja vendeve, forcojnë dilemat nëse një marrëveshje eventuale mund të arrihet brenda vitit 2019, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, në Kosovë dhe në Serbi.
Aktualisht, sipas tyre, shumë zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e vlerësojnë këtë vit si moment të përshtatshëm dhe si shans për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë - Serbi, por ata kanë këndvështrime të ndryshme lidhur me gjasat që kjo të ndodhë.
SHIKONI EDHE: Çfarë marrëveshje po synon Kosova në dialogun me Serbinë?Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se parakusht për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është dialogu, i cili aktualisht ka stagnuar, për shkak të vendosjes nga Qeveria e Kosovës të taksës prej 100 për qind për produktet e Serbisë. Ai shprehet mjaft skeptik për mundësinë që kjo masë të pezullohet tash për tash nga Qeveria e Kosovës. Por, sipas tij, në rast se një gjë e tillë ndodhë, hapet rruga për dialogun dhe mundësia për një marrëveshje ndërmjet palëve.
“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur që të vazhdojnë menjëherë dialogun, sapo të pezullohet taksa. Atëherë ekzistojnë gjasat që këtë vit, duke marrë parasysh edhe konstelacionin e forcave ose rrethanave që janë në Serbi dhe në Kosovë, të arrihet nj marrëveshje, Madje, ndoshta mu për shkak që dëshirohet që të stabilizohen këto rrjedha dhe të kapërcehet gjendja, si dhe të arrihet marrëveshja e pranueshme për të dyja palët”, theksoi Tahiri.
Por, ndryshe mendon Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për marrëdhënie etnike në Beograd. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thekson se aktualisht ekzistojnë tre narracione lidhur me mundësitë e arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Narracioni i parë, sipas tij, vjen nga burokracia dhe diplomacia evropiane, si dhe nga Departamenti amerikan i Shtetit, i cili sugjeron që një marrëveshje është e mundur dhe ajo kërkon rreth 3 muaj punë, për të përfunduar brenda këtij viti.
Së dyti, siç thotë, Janjiq, negociatorët nga Kosova, sapo kthehen nga Bukseli, thonë se një marrëveshje mund të arrihet, por që në praktikë, sipas tij, sillet krejtësisht ndryshe dhe përmes taksës ndaj mallrave serbe dhe formave tjera, në fakt po e forcojnë pozicionin e tyre për një kohë tjetër dhe rrethana tjera, duke iu shmangur zgjedhjeve të mundshme nga të cilat kanë frikë.
Ndërkaq, Janjiq thotë se Serbia ka një diskurs krejtësisht tjetër ndaj Bashkimit Evropian, të cilit i thotë se është i gatshëm për dialog, por nuk bën asnjë përgatitje për të, ndërkohë që skena politke në Serbi po komplikohet pavarësisht nga çështja e Kosovës. Nisur nga këto premisa, sipas tij, diplomacia, e cila e ka përcaktuar termin “deri në fund të vitit” për një marrëveshje eventuale, ka gabuar shumë.
“Supozoj që kanë llogaritur në udhëheqës të fuqishëm, por udhëheqës të tillë në Kosovë dhe në Serbi nuk ka. Prandaj, unë nuk besoj që mund të arrihet një marrëveshje vetëm ndërmjet udhëheqësve. Është e mundur të nënshkruajnë çfarëdo deklarate, por ajo nuk mund të zbatohet. Mendoj që është më e mençur që në vend se të hamendësohet për data, të mendohet se si të shmanget rreziku që në këto tre muaj, ky konfrontim ndërmjet zyrtarëve të Prishtinës dhe të Beogradit, të mos rritet në konfrontim ndërmjet njerëzve”, theksoi Janjiq.
SHIKONI EDHE: Marrëveshja Kosovë - Serbi, në funksion të stabilitetit në rajonPolitologu Tahiri shpreh mendimin që trazirat aktuale në skenën politike në Serbi, të cilat tash e sa kohë po përcillen me demonstrata atje, por edhe mospajtimet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës në Kosovë, duhet të shihen si nxitje nga autoritetet e të dy vendeve, për t’iu qasur dialogut dhe arritjes së një marrëveshje brenda vitit.
“Nuk zhvillohen si pengesa, por si nxitje për arritjen e marrëveshjes gjatë këtij viti, sepse cilado qeveri që e bën marrëveshjen, fiton shumë në pushtetin e brendshëm dhe fiton shumë në raportet ndërkombëtare”, theksoi Tahiri.
Por, Janjiq, shpreh mendimin që arritja e një marrëveshje deri në fund të këtij viti, do të kishte gjasa më tepër në qoftë se faktorët ndërkombëtarë do të zbatonin politikë më fleksibile në terren dhe zgjedhjet e parakohshme në të dyja vendet t’i shihnin si dalje nga situatat që janë në skenat politike në Serbi dhe në Kosovë.
“Në këtë rast, sikur dikush ta analizonte me kujdes situatën, do t’ia lejonte (presidentit të Serbisë, Aleksandar) Vuçiqit që të shkohet në zgjedhje, pa gjithë këto maltretime që po i bën nëpër Serbi dhe përsëri të bisedohet me të. Tash ne kemi çështjen se çfarë do të ndodhë me këtë qeveri. Besoni që Kosova në këtë moment vetëm mund të shfrytëzohet, sikurse Milosheviqi që kishte bërë me Kroacinë. Pra, që problemet e brendshme (të Serbisë) të barten në Kosovë, që në veri të Kosovës dhe në Sanxhak të kemi konflikte të lokalizuara të njerëzve dhe formacioneve të armatosura dhe të hyjmë një dramë që mund të zgjasë 10 vjet”, theksoi Janjiq.
SHIKONI EDHE: SHBA pret arritjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi gjatë vitit 2019Sidoqoftë, autoritetet e Serbisë kanë refuzuar t’i kthehen dialogu me Kosovën pa u hequr taksa ndaj mallrave të saj.
Qeveria e Kosovës këmbëngulë në vendimin saj, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që taksa të pezullohet.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse brenda vitit 2019, e cila do të përfundojë me njohje reciproke.