Skanerët në pikat kufitare: Kur, si dhe pse?

Skaner statik për kontrollim të kamionëve dhe pajisje tjera transportuese të mallrave.

Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.

Kryeministri Albin Kurti kërkon qysh prej qershorit që Kosova të pajisjet me skanerë në pikat kufitare, për të rritur sigurinë në tregti dhe kufij. Kur do të mund t’i sigurojë Kosova këto pajisje dhe si do t’i shërbejnë ato?

Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.

Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!

Dëgjojeni versionin audio të materialit:

Your browser doesn’t support HTML5

Skanerët në pikat kufitare: Kur, si dhe pse?

Kur kryeministri i Kosovës bëri të ditur këtë javë se kufizimi ndaj importit të mallrave nga Serbia do të zëvendësohet me kontroll të shtuar në pikën kufitare në Merdare, dhe paralajmëroi instalimin e pajisjeve të skanimit, një pjese të audiencës mund t’i jetë kujtuar një vizitë e Albin Kurtit në Hamburg, këtë vit.

Atje, ai u informua në detaje se si Gjermania e ruan sigurinë e vet, duke analizuar secilin mall që i hyn në territor.

Vetë autoritetet gjermane ofruan ndihmë që edhe Kosova ta avancojë kontrollin në atë nivel.

Oferta e tyre për skanerë të avancuar pasoi kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës që të hiqte kufizimin ndaj mallrave të Serbisë, me argumentin se po shkelte Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), dhe se po rrezikonte pjesëmarrjen në nismat rajonale.

Me heqjen e kufizimit në Merdare u zhbllokua puna e CEFTA-s.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Portin e Hamburgut.

Pse bllokadë ndaj mallrave nga Serbia?

Masat kufizuese u vendosën në qershor të vitit 2023, pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga autoritetet serbe. Zyrtarët policorë u liruan ndërkohë, por masa mbeti në fuqi.

Ndonëse qëndroi për më shumë se një vit, autoritetet kosovare nuk dolën asnjëherë me ndonjë raport vlerësues si ka ndikuar masa në nivelin e sigurisë.

“Kosova nuk ka masa tregtare ndaj Serbisë, Kosova ka masa të sigurisë, për shkak se për dy vjet na e kanë sjellë ushtrinë katër herë afër kufirit, dhe për shkak se katër herë kemi konfiskuar sasi të jashtëzakonshme të armatimit”, u ka thënë Kurti mediave.

Këshilltari i tij, Jeton Zulfaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ministria e Financave dhe Dogana e Kosovës do të nisin procedurat e prokurimit për të paktën një skaner, tani për tani, dhe se prioritet është pika e kalimit kufitar në Merdare.

“Është masë shumë e rëndësishme, sepse aty vërehet se çfarë po importohet. Nuk mund të kalohet asgjë pa u vërejtur në skanerë. Është e vështirë, pastaj, që të kontrabandohen armë, siç është bërë në të kaluarën. Ky është qëllimi, rritja e nivelit të sigurisë në mallra”.

Sipas Zulfajt, nga sigurimi i skanerëve tjerë do të varet hapja e pikëkalimeve të tjera për mallrat nga Serbia.

Si do të duken këto pajisje skanimi?

Pajisjet e skanimit patjetër se do të jenë të teknologjisë tredimensionale (3D). Nuk dihet ende nëse do të jenë statike apo mobile – për këtë pritet të vendosin doganierët, varësisht prej vlugut të qarkullimit në një pikëkalim.

Skanerët statikë montohen afër kufirit, apo në zonë të caktuar, dhe bëjnë skanim të detajuar të kamionëve të mëdhenj. Më pas, doganierët kanë në kohë reale pamje 3D të brendësisë së produktit dhe brenda kamionit.

Çmimi i një skaneri të tillë nuk dihet, por Zulfaj ka thënë se do të përzgjidhen ata që janë të pranueshëm edhe për Bashkimin Evropian. Nuk dihet as sa është buxheti që ka ndarë Kosova për blerjen e tyre.

Një doganier duke parë në kompjuter brendësinë e kamionit të skanuar.

A duhet që çdo mall të kalojë nëpër skanerë?

Zulfaj ka thënë se për këtë do të vendosin zyrtarë të Doganës, pas trajnimeve profesionale që do t’i kenë për përdorimin e tyre.

Gjermania veçse ka ofruar ndihmë në aftësimin e tyre.

Dogana e Kosovës nuk ka qenë e qasshme me gjithë përpjekjet e Radios Evropa e Lirë për të kuptuar më shumë në këtë drejtim.

Ndihma nga Perëndimi

Kurti dhe zyrtarë tjerë të Kosovës kanë thënë se Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja i kanë premtuar ndihmë Kosovës për sigurimin e skanerëve.

Zulfaj ka thënë se autoritetet janë në komunikime të vazhdueshme me Gjermaninë.

Drejtori për Komunikime në Ambasadën gjermane në Kosovë, Christian Bottcher, i ka thënë REL-it se vendi i tij është i gatshëm t’i ndihmojë Kosovës, dhe që skanerët mund të sigurohen pas vlerësimit të nevojave dhe në përputhje me rregullat dhe procedurat e prokurimit publik.

Një tjetër model skaneri për kamionët.

“Kontrolle hermetike”

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka thënë për REL-in se është shumë me rëndësi që Kosova “të ketë kufij të kontrolluar hermetikisht”.

“Siç është parë edhe në incidentin e Banjskës, ka interes që të futen qoftë armë, qoftë individë, të cilët kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës”, ka thënë Mentor Vrajolli, duke përmendur edhe nevojën e kontrollimit të rreptë të të gjitha vijave kufitare dhe jo vetëm të pikëkalimeve.

Pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke patrulluar në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Përfitimet e tjera përveç rritjes së sigurisë?

Vrajolli ka përmendur që:

  • mundësohen verifikime shumë të shpejta; dhe
  • mundësohet qarkullimi i njerëzve që nuk kanë qëllime të këqija.

Mungesa e një skaneri, kur ekziston nevoja për kontrolle të detajuara, siç po kryhen tani në Merdare, vërehet lehtësisht.

Disa tregtarë u ka thënë mediave se kanë pritur me orë të tëra derisa kanë finalizuar të gjitha procedurat në kufi dhe në Doganë.

Vonesa, pastaj, ka efekt zinxhir.

Tregtarët në veri të Kosovës kanë thënë se si pasojë e pritjeve dhe distancës mes Merdares dhe dyqaneve të tyre, ata nuk do të kenë shumë leverdi nga mallrat serbe.

Tregtarët në jug të Ibrit e kanë mirëpritur heqjen e kufizimit, duke thënë se “tradicionalisht ka kërkesë për mallrat nga Serbia”.

Ndër vite, produktet nga Serbia kanë qenë ndër më të shiturat në tregun e Kosovës.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2022, Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë prej mbi 372 milionë eurosh, ndërsa në vitin 2023, shifra ka rënë në rreth 199 milionë euro.

Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).

Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:

Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.