Protestojnë për rritje, por “rrezikojnë” edhe pagën aktuale

Nga Sindikata për Arsim kanë paralajmëruar se do të ketë grevë deri në realizimin e kërkesave të punëtorëve.

Greva për rritje page e punëtorëve në sektorin publik e nisur të enjten, ka nxitur reagimin e Qeverisë së Kosovës.

Sekretari i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Enis Spahiu, i tha Radios Evropa e Lirë se nëse edhe për një orë një zyrtar është në grevë, ai nuk do të paguhet për atë orë.

"...nëse edhe për një orë një zyrtar është në grevë, ai nuk do të paguhet për atë orë".
Enis Spahiu

Spahiu theksoi se grevistëve iu kanë garantuar të drejtën e grevës, por, siç tha ai, i kanë njoftuar që duhet zbatuar edhe dispozita ligjore, që sipas tij, kërkon pezullimin e obligimeve të kontratës së punës.

Në Ligjin për greva të Kosovës thuhet se ‘organizatat sindikale, apo gjysma e të punësuarve të një organizate të caktuar punuese, ku nuk ka organizim sindikal, kanë të drejtë të organizojnë greva, për t’i mbrojtur interesat e tyre ekonomike, sociale dhe profesionale’.

Neni 18 i Ligjit për greva thotë se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar.

Por, sipas Ligjit për greva, ndërprerja ose largimi nga marrëdhënia e punës për shkak të pjesëmarrjes në një grevë të ligjshme, është i kundërligjshëm.

Kushtrim Palushi, jurist, i tha Radios Evropa e Lirë se sipas këtij neni të Ligjit për greva, një punëtor kur është në grevë nuk mund të kërkojë pagesë.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës përmes një komunikate për media i ka quajtur kërcënime deklaratat e dhëna nga Qeveria e Kosovës përkatësisht sekretari i Ministrisë së Punës dhe Transfereve, Enis Spahiu.

Sipas BSPK-së, kërcënimet që po iu bëhen, janë të kundërligjshme.

“T'i kërcënosh grevistët e qetë dhe në të drejtën e tyre, është shkelje e normës dhe parimeve të shtetit demokratik e juridik dhe, mbi të gjitha, marrje e së drejtës për grevë – me fjalë të tjera është gabim shumë i madh”, thuhet në deklaratën për media të BSPK-së.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), nëpërmjet një komunikate për media, thotë se kërcënimet e bëra nga përfaqësues të Qeverisë për grevistët janë shkelje e të drejtave të njeriut.

KMDLNJ-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës t'i ulë armët e kërcënimit dhe të gjejë një zgjidhje bashkë me sindikatat".
KMDLNJ

“Organizimi dhe veprimi sindikalist është i rregulluar dhe lejohet me ligj. KMDLNJ-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës t'i ulë armët e kërcënimit dhe të gjejë një zgjidhje bashkë me sindikatat”, thuhet në reagimin e KMLDNJ-së.

Kush ka hyrë në grevë dhe pse?

Të enjten, mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës kanë hyrë në grevë.

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

“Neve na duhen këto 100 euro, duke pasur parasysh pagat e vogla që ne kemi, por edhe nivelin e lartë të inflacionit në Kosovë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Mimoza Fazliu, mësuese në shkollën fillore "Hasan Prishtina”, në Prishtinë.

Paga bazë e një mësimdhënësi në shkollë fillore në Kosovë është 470 euro.

“Jo më shumë, 100 euro modeste, që të përballemi më lehtë me çmimet që po rriten çdo ditë”, thotë edhe Rrahman Jasharaj, nga këshilli grevist i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Këshilli grevist i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës gjatë ditës së enjte ka bërë disa vizita te punëtorët, të cilët tashmë kanë nisur grevën. Fillimisht Këshilli ka vizituar edukatorët në një kopsht publik në Prishtinë, si dhe punëtorët në Komunën e Prishtinës. Këshilli grevist ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të fillojë me realizimin e kërkesave të tyre.

SHIKONI EDHE: Çmimi i bukës në rritje...

Për 100 euro shtesë deri në miratimin e legjislacionit për pagat, por edhe për kërkesa të tjera, sindikalistët kanë protestuar më 8 prill të këtij viti.

Në muajin maj, në disa institucione publike, siç janë ato të arsimit, administrata publike, energjetika, dogana, kishin mbajtur greva njëorëshe.

Qeveria e Kosovës, disa ditë më vonë, në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, kishte vendosur të ndajë nga 100 euro shtesë për muajin prill, për disa kategori të shoqërisë, përfshirë punëtorët në sektorin publik dhe privat.

SHIKONI EDHE: Njëqind eurot shtesë - ndihmë a lëmoshë  

Por, këto mjete, sipas sindikatave të punëtorëve, kanë qenë të pamjaftueshme për të zbutur gjendjen e rënduar ekonomike të punëtorëve nga rritja e çmimeve të konsumit.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova po përballet me një inflacion të lartë.

Norma e inflacionit në muajin korrik ka arritur në 14.2 për qind, nga 0.9 për qind sa ka qenë në korrik të vitit të kaluar.

Rritja e çmimeve ka nisur nga viti i kaluar, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Hov, pastaj, u ka dhënë edhe lufta e Rusisë në Ukrainë, e cila ka nisur më 24 shkurt.

Greva në arsim mbyllet kur “realizohen kërkesat”

Sipas Jasharajt, përfaqësuesit e Këshillit grevist të secilës sindikatë do të vendosin për mënyrën e organizimit të grevës.

Në arsim, aty ku Jasharaj është kryetar i sindikatës, thotë se të gjithë të punësuarit - mësimdhënësit dhe edukatorët e kopshteve – do të dalin në punë nga ora 09:00 deri në 12:00, por nuk do të punojnë.

“Mësim nuk do ketë derisa nuk mbyllet greva. Greva mbyllet vetëm atëherë kur realizohen kërkesat”, thotë Jasharaj.

SHIKONI EDHE: Protestë për rritje të pagave

Ai shton se grevën e kanë përkrahur edhe policët e zjarrfikësit, por në bazë të Ligjit për greva, ata nuk kanë të drejtë ta organizojnë atë.

Punëtorët e administratës publike, sipas kryetarit të sindikatës së këtij sektori, Ali Gashi, janë të obliguar të dalin në vendet e tyre të punës, porse nuk ofrojnë shërbime.

“Lutemi që Qeveria të reflektojë sa më parë. Ne jemi të gatshëm në çdo kohë të gjejmë zgjidhje që do të ishte e pranueshme”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Këshilli grevist i BSPK-së kërkon nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të merren parasysh kërkesat e punëtorëve.

“Të marrë vendim kryeministri... të plotësojë kërkesën për ndarje të 100 eurove, e pastaj të fillohet të bashkëpunohet për Projektligjin për pagat”, thotë Jasharaj.

Ditë më parë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka hartuar Projektligjin për pagat.

Ky legjislacion duhet të kalojë fillimisht procedurat e konsultimeve paraprake e publike dhe, pas miratimit në Qeveri e Kuvend, të publikohet në Gazetën Zyrtare të Kosovës.

Në projektligj, një kopje të të cilit e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, thuhet se ai hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Megjithatë, Jasharaj thotë se nuk mund të pritet deri në hyrjen në fuqi të këtij legjislacioni. Sipas tij, në rrethanat më të mira, ai projektligj nuk mund të fillojë të zbatohet para 16 muajsh.

Kurti: Nuk është koha për greva

Por, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas procedimit të Projektligjit për paga “greva e sindikatave ka humbur kuptimin”.

SHIKONI EDHE: Qeveria "nuk përfill" sindikatat

Gjatë një konference për media në Prishtinë më 24 gusht, Kurti tha se është informuar me kërkesat e punëtorëve.

“Kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike tash që Projektligji për pagat është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë, është gabim. Nuk është koha për grevë, është koha për punë, është koha që sindikatat t’i bëjnë komentet e tyre për Projektligjin për pagat”, tha Kurti.

Dialog social për zgjidhje të problemeve

Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë thonë se dialogu social midis Qeverisë dhe sindikatave është i nevojshëm që të shmanget paralizimi i institucioneve.

Gersi Gashi, drejtor i hulumtimeve dhe zhvillimeve në Qendrën për Politika dhe Avokim në Prishtinë, thotë se paralajmërimi për grevë i shumë sindikatave të punëtorëve është shqetësues, pasi që mund të paralizohet një pjesë e madhe e shërbimeve.

Ai thotë se ekzekutivi dhe sindikatat duhet të bisedojnë për të gjetur zgjidhje për këtë situatë.

“Është shqetësuese që nuk ka dialog social. Nuk kemi parë një dialog social që është duke u zhvilluar. Kemi parë sindikata që kanë paraqitur kërkesat në mënyrë të njëanshme dhe kemi parë një qeveri, e cila, në ndonjë rast, është përgjigjur se nuk mund të përmbushen këto kërkesa, ose nuk ka pasur përgjigje”, thotë Gashi.

SHIKONI EDHE: Projektligji për paga - rrezik nga shpërthimi i pakënaqësive sociale 

Kërkesat e tjera të sindikalistëve

Përveç 100 eurove shtesë për çdo muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për pagat, sindikalistët kanë edhe kërkesa të tjera, për të cilat thonë se po hyjnë në grevë.

Ata kërkojnë zbatimin e Ligjit për sigurime shëndetësore. Ky ligj është miratuar më 2014, por asnjëherë nuk është zbatuar për askënd.

Ka qenë e paraparë që zbatimit të ligjit t’i paraprinte një periudhë gjashtëmujore për mbledhjen e fondeve. Mbledhja e fondeve do të niste më 1 korrik të vitit 2017.

Atëbotë, Qeveria e Kosovës ka ndarë 17 milionë euro, por më pas ato mjete janë tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës.

Prej atëherë, çështja e sigurimeve shëndetësore ka mbetur pezull.

SHIKONI EDHE: Pse po protestojnë sindikalistët?

Kërkesë tjetër e sindikalistëve është që të ndryshohet Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti, përkatësisht të ndryshohet neni ku kërkohet që të ketë 15 vjet kontribute pensionale para 1 janarit të vitit 1999.

Para këtij viti, të gjithë qytetarët që kanë pasur kontribute pensionale, i kanë humbur, pasi Serbia, që nga përfundimi i luftës, nuk i ka kompensuar ato.

Sipas ligjit aktual të pensioneve, çdo person që mbush 65 vjet, e që ka qenë kontribut-pagues, duhet të dëshmojë pagesën e kontributeve para vitit 1999. Nëse nuk arrin ta dëshmojë, ai nuk e gëzon të drejtën e pensionit kontribut-pagues, por vetëm pensionin e moshës.

Ndryshe, numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83.000.

Paga mesatare bruto për vitin 2021, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ka qenë 484 euro.