Associated Press
Rusia mund të mos e paguajë borxhin e saj të jashtëm për herë të parë prej Revolucionit Bolshevik – më shumë se një shekull më parë – duke izoluar edhe më shumë shtetin nga sistemi financiar global, pas sanksioneve të vendosura nga Perëndimi për shkak të nisjes së luftës në Ukrainë.
Një periudhë 30-ditore për kryerje të obligimeve qeveritare ka skaduar të dielën.
Megjithatë, mund të duhet kohë për të konfirmuar falimentimin.
“Ndonëse ekziston mundësia që të ndodhë ndonjë magji” dhe që Rusia të sigurojë paratë përmes institucioneve financiare, pavarësisht sanksioneve, “askush nuk vë bast për diçka të tillë”, ka thënë Jay S. Auslander, avokat i lartë i borxhit sovran në kompaninë Wilk Auslander në Nju Jork.
“Ka shumë mundësi që Rusia nuk do të mund t'i kryejë pagesat, sepse asnjë bankë nuk do t'i lëvizë paratë”.
Departamenti amerikan i Thesarit ia ka pamundësuar muajin e kaluar Rusisë që të kryejë pagesat e borxheve në vlerë të miliarda dollarëve, përmes bankave amerikane.
Your browser doesn’t support HTML5
Si përgjigje, Ministria e Jashtme ruse ka thënë se do t'i paguajë me rubla borxhet që faturohen në dollarë, dhe do të ofrojë “mundësinë për konvertim të mëvonshëm në valutën origjinale”.
Rusia ka thënë se ka para për t'i paguar borxhet, mirëpo sanksionet i kanë bllokuar rezervat që i ka pasur jashtë shtetit.
“Nuk është dështim i shtetit tonë, por një kolapsim artificial i krijuar nga njeriu në sistemin financiar ndërkombëtar”, ka thënë Konstantin Kosachev, zëvendëskryetar i Parlamentit rus, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, RIA Novosti.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë krijuar qëllimshëm “pengesa artificiale për Rusinë për pagesë të borxhit sovran, në mënyrë që dështimi të mbetet mbi ne”, ka thënë ministri rus i Financave, Anton Siluanov, javën e kaluar.
Në anën tjetër, argumenti është se “kjo gjë ka ndodhur për shkak të sanksioneve, mirëpo sanksionet janë plotësisht në kontrollin tuaj”, ka thënë Auslander.
SHIKONI EDHE: Rubla ruse zhvlerësohet në nivel rekord“E gjithë kjo situatë ka qenë nën kontrollin tuaj, sepse krejt çfarë është dashur të bëni është që të mos pushtoni Ukrainën”, ka thënë ai duke iu referuar Rusisë.
Sa është borxhi i jashtëm i Rusisë?
Rreth 40 miliardë dollarë.
Para nisjes së luftës, Rusia ka pasur rreth 640 miliardë dollarë në valuta të huaja dhe rezerva të arit dhe pjesën më të madhe e ka mbajtur jashtë shtetit.
Të gjitha ato mjete tani janë të ngrira.
SHIKONI EDHE: Lufta e Putinit në Ukrainë zhyt ekonominë ruse në krizëRusia nuk ka dështuar të paguajë borxhet ndërkombëtare prej Revolucionit Bolshevik, kur ka rënë Perandoria Ruse dhe është krijuar Bashkimi Sovjetik.
Rusia nuk ka arritur t'i paguajë borxhet e brendshme në fund të viteve 1990, mirëpo ka arritur ta menaxhojë situatën pas sigurimit të ndihmës ndërkombëtare.
Investitorët kanë pritur falimentim të Rusisë tash e disa muaj.
Si dihet nëse një shtet falimenton?
Të ashtuquajturat agjenci të vlerësimit ose një gjykatë mund të vendosin për çështjen.
Mbajtësit e obligacioneve (letrave me vlerë) kanë kontrata që shërbejnë si garanci kundër falimentimit.
Ata mund t’i kërkojnë një komiteti të përbërë nga përfaqësues financiarë që të vendosë nëse dështimi i shtetit për të kryer pagesën, duhet t’iu kompensohet, ndonëse kjo fazë nuk konsiderohet ende falimentim.
Komisioni për Vlerësim të Falimentimit – një grup i bankave dhe fondeve të investimit – ka marrë vendim më 7 qershor që Rusia nuk ka arritur të paguajë interesin shtesë, pas kryerjes së një pagese më 4 prill.
Megjithatë, Komiteti nuk ka marrë vendim pasues, meqë nuk dihet sesi do të mund të ndikonin sanksionet në gjetjen e një zgjidhjeje.
Çfarë mund të bëjnë investitorët?
Mënyra zyrtare për të shpallur falimentimin është nëse 25 për qind, apo më shumë zotërues të obligacioneve, deklarojnë se nuk i kanë marrë paratë e tyre.
Kur të ndodhë diçka e tillë, sipas dispozitave, të gjitha obligacionet tjera konsiderohen të falimentuara dhe zotëruesit e tyre mund të kërkojnë mendim gjykate për të detyruar shtetin që t'i kryejë pagesat.
Në situata normale, investitorët dhe qeveria që falimenton zakonisht negociojnë një zgjidhje, kryesisht përmes ofrimit të obligacioneve të reja, që mund të kenë vlerë më të vogël, por që të paktën shërbejnë si një lloj kompensimi.
Mirëpo, sanksionet tani pamundësojnë negociatat me Ministrinë ruse të Financave, dhe askush nuk e di kur përfundon lufta apo sa do të kenë vlerë më vonë obligacionet e falimentuara.
SHIKONI EDHE: Lufta në Ukrainë “do të tejzgjatet”Në këtë rast, shpallja e falimentimit dhe padia “mund të mos jenë vendimet më të mençura”, ka thënë Auslander.
Meqë negociatat janë të pamundshme dhe ekzistojnë shumë të panjohura, disa kreditorë mund të vendosin që të mos veprojnë.
Investitorët që dëshirojnë t’i shmangen borxhit rus, mund të jenë duke menduar në këtë aspekt përmes shitjes së obligacioneve të tyre edhe me çmim më të ulët.
Ata, po ashtu, ka mundësi që të mos jenë shumë të zëshëm, në mënyrë që të mos lidhen emrat e tyre me luftën.
Kur një shtet të falimentojë, ai mund të përjashtohet nga tregjet e huaja, derisa të zgjidhet çështja e falimentimit dhe kur investitorët të fitojnë besim në aftësinë e një qeverie dhe gatishmërinë e saj për t'i kryer pagesat.
Mirëpo, Rusia tashmë është përjashtuar nga tregjet e Perëndimit, andaj çdo kthim në huamarrje është larg.
Kremlini mund të huazojë ende rubla brenda shtetit, ku zakonisht varet nga bankat ruse për blerjen e tyre.
Çfarë ndikimi do të kishte falimentimi i Rusisë?
Sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë, të vendosura për shkak të luftës, kanë nxitur kompanitë e huaja që të ikin nga Rusia dhe që ky shtet të shkëpusë lidhjet tregtare dhe ato financiare me një pjesë të mirë të botës.
SHIKONI EDHE: Zelensky: Lufta duhet të përfundojë para dimritFalimentimi mund të konsiderohet një hap shtesë drejt izolimit dhe përçarjes.
Analistë të investimeve kanë thënë se falimentimi i Rusisë nuk do të kishte ndikimin e njëjtë në tregjet financiare globale dhe institucione tjera, sikurse më 1998.
Atëbotë, dështimi i Rusisë për të kryer obligimet financiare pati shtyrë Qeverinë amerikane që të intervenojë, pasi ishte parashikuar që mosveprimi mund të shkundë sistemet bankare dhe ato financiare.
Është e vërtetë se zotëruesit e obligacioneve mund të përballen me humbje të mëdha.
"Por, teksa vetë lufta është duke pasur pasoja shkatërruese, marrë parasysh pasojat në njerëz, pasojat te rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë, mospagimi i obligacioneve qeveritare nuk do të ishte i një rëndësie shumë të madhe”, ka thënë drejtorja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.