Ndërlidhjet

Lufta e Putinit në Ukrainë zhyt ekonominë ruse në krizë


Pamje nga protesta në Lituani, kundër pushtimit rus të Ukrainës, më 1 mars 2022.
Pamje nga protesta në Lituani, kundër pushtimit rus të Ukrainës, më 1 mars 2022.

Rusët po përgatiten për një recesion ekonomik që mund të jetë më i madhi që nga viti 1990, pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj vendosën sanksione “dërrmuese” ndaj Moskës, në përpjekje për ta ndëshkuar presidentin rus, Vladimir Putin, për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Qytetarët po përballen me një të ardhme që përfshin rritje të inflacionit, rritje të papunësisë, kredi të shtrenjta, mungesë të mallrave dhe udhëtime të kufizuara, thanë analistët.

Me këto probleme rusët ishin përballur edhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 – derisa shteti rus bën luftë në një përpjekje të dukshme për ta vënë nën kontroll Ukrainën.

Perspektiva e errët, e cila mund të vazhdojë për vite me radhë nëse Putini ecën përpara me qëllimet e tij ushtarake - qëndron në kontrast të zymtë me parashikimet optimiste ekonomike të bëra vetëm tre muaj më parë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili parashikoi rritje përkatësisht prej 2.8 dhe 2.1 për qind në vitin 2022 dhe 2023.

Në vend të kësaj, pushtimi që Putini nis në Ukrainë më 24 shkurt, shkaktoi një mori sanksionesh të paprecedentë që po izolojnë shpejt Rusinë nga Perëndimi dhe po dëmtojnë ekonominë e saj.

Rubla ka rënie të madhe, normat e interesit janë rritur deri në 20 për qind dhe firmat e huaja po ikin nga vendi që nga Perëndimi konsiderohet si një shtet i keq.

Ekonomia e Rusisë mund të tkurret deri në 10 për qind këtë vit, sipas një analisti, që do të ishte performanca e saj më e keqe që nga viti 1994.

Trazirat i kanë detyruar rusët anembanë vendit që të presin në radhë për të tërhequr para nga bankomatët, për të blerë mallra të importuara si kompjuterë dhe telefona dhe për të konvertuar rublat e tyre mes frikës së ndërprerjeve bankare, rritjes së çmimeve dhe zhvlerësimi të mëtejshëm.

Vladimir Putin u bë president në detyrë në ditën e fundit të vitit 1999 dhe një narrativë e shquar e Kremlinit e ka cilësuar atë si diçka të afërt me një shpëtimtar - një lider që e shpëtoi Rusinë nga privimet e dekadës së parë post-sovjetike dhe solli stabilitet ekonomik aty ku kishte pasur trazira.

Ky imazh rrezikon të dobësohet pasi rusët, tashmë të goditur nga rënia e të ardhurave në vitet e fundit, përballen me një të ardhme të re të pasigurt.

“Po, jemi kthyer në vitet 1990, ndoshta në një periudhë edhe më të keqe”, tha Elvira, nënë e dy fëmijëve nga qyteti i pasur siberian prodhues i naftës Surgut, në një postim në llogarinë e saj në rrjetet sociale.

Shtetet e G7 si dhe vende tjera evropiane, duke përfshirë Zvicrës – një qendër kryesore financiare për rusët e pasur – i kanë vendosur sanksione të ashpra financiare Rusisë që nga pushtimi i Ukrainës, duke përfshirë edhe masa që prekin edhe bankën qendrore ruse.

Zhvlerësimi i rublës

Sanksionet ngrinë një pjesë të konsiderueshme të rezervave valutore të bankës qendrore ruse, duke pamundësuar mbrojtjes e rublës, e cila pësoi rënie në nivel rekord.

Rubla ka humbur një të tretën e vlerës së saj, që nga koha kur Rusia filloi grumbullimin e mijëra trupave pranë kufijve me Ukrainën në muajin tetor, duke rritur çmimet për mallrat e importuara.

Natalia Orlova, nga Alfa Bank në Moskë, tha se pret që inflacioni në muajt e ardhshëm të arrijë deri në 30 për qind.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, rusët kanë shprehur shqetësime për inflacionin dhe probleme të tjera të mundshme për kuletat e tyre, duke thënë se do të shkurtojnë shpenzimet dhe do të reduktojnë buxhetin për gjërat ushqimore dhe gjërat tjera bazike.

“Rublat që kam do ta humbin vlerën e tyre”, tha një burrë në Kaliningrad, për Current Time, rrjet në gjuhën ruse që udhëhiqet nga Radio Evropa e Lirë në bashkëpunim me Zërin e Amerikës

“Çmimet do të rriten, por pagat ndoshta jo”, shtoi ai.

Disa qytetarëve iu shfaqën probleme, pasi firmat amerikane të teknologjisë Google dhe Apple çaktivizuan aplikacionet e tyre të pagesave në Rusi, si pjesë e sanksioneve.

“Aplikacioni i pagesave në telefon u ndërpre sot, nuk mund të paguaja në dyqan, prandaj erdha këtu për të marrë para në bankomat”, tha një burrë në një bankë në qytetin siberian Tomsk, i cili bëri të ditur vetëm emrin e tij (Nikolai).

Si e dëmton Rusinë përjashtimi nga sistemi SWIFT?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:32 0:00

Në Ulan-Ude, në lindje të Siberisë, Oleg Mokhosoyev, doli të tërhiqte para gjatë fundjavës - dhe iu desh të provonte disa bankomatë derisa gjeti një që kishte diçka për të tërhequr.

“Kam dëgjuar se kartat e debitit mund të mos funksionojnë dhe kështu mendova se do të ishte më mirë t’i tërheq dhe të ndihem më i sigurt”, tha ai.

Shpërbërja

Oleg Abyelyev, profesor i ekonomisë në Moskë, tha për shërbimin e Radios Evropa e Lirë Siberia se normat e larta të interesit do të dëmtojnë tregun e hipotekave në vend.

“Ka pak rusë që mund t’i përballojnë tarifat mbi 20 për qind”, tha ai.

Kjo paraqet telashe për ndërtuesit e shtëpive, si dhe për sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme.

“Marrëveshjet e mia po prishen për shkak të situatës politike”, tha për Current Time një agjent i patundshmërive në Kaliningrad, duke iu referuar situatës që është krijuar që nga pushtimi rus i Ukrainës.

Ndërtimimi është vetëm një prej sektorëve që ka të ngjarë të përjetojë një rritje të papunësisë.

Bankat, prodhimi, udhëtimi, shitja me pakicë, po ashtu do të përjetojnë shkurtime masive si pasojë e sanksioneve dhe zhvelërsimi i pafavorshëm i Rusisë, vlerësojnë analistët.

Sanksionet e vendosura nga SHBA dhe aleatët e saj prekin gjithashtu bazën e saj ushtarako-industriale, dhe mund të ndikojnë gjithashtu edhe në prodhimin e automjeteve.

Ekonomisti Vladislav Inozemtsev, tha për Radion Evropa e Lirë se një “valë” e kompanive perëndimore do të anulojë kontratat e tyre me firmat ruse.

Investitorët e mëdhenj të huaj, përfshirë gjigantët e energjisë BP dhe Shell, tashmë kanë njoftuar tërheqjen e tyre nga Rusia.

Po ashtu edhe kompanitë Apple dhe Dell, kanë thënë se do të ndalojnë shitjet në Rusi.

Elina Ribakova, një ekonomiste në Institutin Ndërkombëtar të Financave, tha në një konferencë virtuale më 1 mars se ekonomia e Rusisë mund të tkurret këtë vit.

“Kompanitë nuk do të bashkëpunojnë me Rusinë sepse është politikisht toksike”, tha Ribakova.

“Vendi po shkon nga një strukturë ekonomike në një strukturë krejtësisht të ndryshme, të mbyllur dhe mendoj se kjo është ajo që shkakton tkurrje të madhe”, shtoi ajo.

Edhe nëse kompanitë e huaja janë ende të gatshme të punojnë me klientë rusë, inflacioni do të jetë ende një dhimbje koke e madhe, tha për Radio Evropa e Lirë Siberia Aleksandr, një prodhues i madh ushqimesh në qytetin siberian Tomsk.

“Jam i shokuar”, tha ai.

“Nëse dyqanet me pakicë kanë frikë nga inflacioni i mëtejshëm, mbledhin (grumbullojnë) artikuj para se rritja e çmimeve të hyjë në fuqi. Ata thjesht do të shkatërrojnë prodhuesit”, tha Aleksandr.

“Unë jam kundër luftës në Ukrainë”, tha ai.

“Pse ishte e nevojshme të ndërmerrej ky veprim drastik për të sjellë këtë rënie të çmendur ekonomike? Do të duhej të arrinin marrëveshje”, përfundoi ai.

Përgatiti: Taulant Qenaj

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG