Si mund t’i përdorë Koreja e Veriut armët bërthamore?

Një raketë balistike ndërkontinentale Hwasong-18 duke u lëshuar gjatë asaj që Koreja e Veriut ka thënë se ka qenë provë, në një vend të panjohur, më 18 dhjetor 2023.

Reuters

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, tha se testimi i një rakete këtë javë dëshmon se vendi i tij nuk do të ngurrojë të kryejë sulm bërthamor, nëse ndonjë armik e provokon atë me armë strategjike.

Komentet e Kimit janë më të fundit në një sërë deklaratash dhe ndryshimesh legjislative të cilat kanë shpalosur një doktrinë të zgjeruar, ambicioze dhe mbase destabilizuese, thonë analistët.

Kur mund t’i përdorë Koreja e Veriut armët e veta bërthamore?

Koreja e Veriut thotë se është kundër luftës, se armët e saj bërthamore janë për vetëmbrojtje, dhe se ato janë të nevojshme për t’u mbrojtur nga politikat “armiqësore” të Uashingtonit, Koresë së Jugut dhe Japonisë.

Gjatë një fjalimi në një paradë ushtarake vitin e kaluar, Kimi tha se forcat e tij bërthamore e kanë për detyrë parandalimin e luftës përmes frenimit, dhe mbase duke kryer sulme ndaj kujtdo që i shkel “interesant thelbësore” të Veriut.

SHIKONI EDHE: Kim Jong Un paralajmëron sërish me përdorimin e armëve bërthamore

Analistët thanë se u duk se ai e kopjoi gjuhën e përdorur në dokumentin e rishikimit të qëndrimit bërthamor të SHBA-së, i cili thotë se Amerika do të përdorë armë bërthamore për t’i mbrojtur “interesat e veta jetike”, apo ato të aleatëve të vet.

Në shtator 2022, Koreja e Veriut e mbajti në fuqi të drejtën për të përdorur sulme bërthamore parandaluese për ta mbrojtur veten përmes një ligji të ri.

Në mesin e skenarëve që mund ta nxisin një sulm bërthamor do të ishte një kërcënim me sulm të pashmangshëm bërthamor; nëse lidershipi, populli apo ekzistenca e vendit kërcënohen; apo për të siguruar përparësi gjatë një lufte.

SHIKONI EDHE: Japonia vë në gatishmëri mbrojtjen raketore pas kërcënimeve nga Koreja e Veriut

Në bazë të ligjit, Kimi gëzon “gjithë pushtetin vendimmarrës” për armët bërthamore, por nëse sistemet për komandë dhe kontroll kërcënohen, atëherë raketat mund të shkrepen “vetvetiu”.

Mediat shtetërore raportuan se ligji i ri e ndalon këmbimin e armëve apo teknologjive bërthamore me vendet e tjera, dhe se ka për qëllim uljen e rrezikut për luftë bërthamore duke i shmangur gjykimet e gabuara në mesin e shteteve me armë bërthamore dhe keqpërdorimin e armëve bërthamore.

Koreja e Veriut e miratoi një ndryshim kushtetues për ta mbajtur në fuqi politikën e saj për forcat bërthamore në shtator 2023, me Kimin që u zotua se do ta përshpejtojë prodhimin e armëve bërthamore për t’i frenuar, siç i quajti ai, provokimet bërthamore nga SHBA-ja.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja kryen stërvitje me Japoninë e Korenë e Jugut, si përgjigje ndaj Koresë së Veriut

Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Veriut, Kang sun Nam, tha në korrik se zhvendosja e aeroplanmbajtësit amerikan, bombarduesve apo nëndetëseve raketore në Korenë e Jugut, mund ta plotësojë kushtin që Veriu t’i përdorë armët bërthamore.

Ku mund të jetë caku i Koresë së Veriut?

Më 2017, vitin kur Koreja e Veriut e lëshoi suksesshëm raketën e parë balistike interkontinentale (ICBM), Ministria e Jashtme e saj kërcënoi me sulm bërthamor në “zemër të SHBA-së”, nëse Uashingtoni shfaq “qoftë edhe shenjën më të vogël të tentimit për ta rrëzuar nga pushteti lidershipin tonë suprem”.

Atë vit, Koreja e Veriut kërcënoi, po ashtu, se do t’i përdorte armët bërthamore për ta fundosur në det Japoninë.

SHIKONI EDHE: Pse lëshimi i satelitëve të Koresë së Veriut është kaq kundërthënës?

Më 2022, motra e fuqishme e Kim Jong Un, Kim Yo Jong, paralajmëroi se Koreja Veriore nuk do të ngurronte t’i përdorte armët bërthamore, nëse do të sulmohej nga Koreja e Jugut.

Kim Yo Jong e shpalosi një skenar të hollësishëm në të cilin Veriu i mblodhi forcat bërthamore si përgjigje ndaj një sulmi nga Jugu dhe i përdori ato “për t’ia shuar plotësisht ndjenjat për luftë armikut, për t’i parandaluar armiqësitë e rritura dhe për ta ruajtur fuqinë e vet ushtarake”.

Çfarë armësh ka Koreja e Veriut?

Koreja e Veriut nuk e ka testuar një armë bërthamore prej vitit 2017, por analistët thonë se me gjasë ka vazhduar të prodhojë uranium dhe plutonium për koka bërthamore.

Sipas një studimi të Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare në prill, Peniani mund t’i ketë 31 deri në 96 koka bërthamore, varësisht prej llojit të mjeteve të cilat po i ndërton.

SHIKONI EDHE: Koreja e Veriut kryen testim të ri raketor

Në janar 2023, Kimi tha se vendi i tij do ta “zgjerojë” arsenalin e vet bërthamor dhe se do të prodhonte shumë armë taktike bërthamore.

Peniani ka vazhduar edhe me prodhimin e raketave të reja, përfshirë ato ICBM me rreze të gjata veprimi për të qenë në gjendje ta godasë SHBA-në drejtpërdrejt.

Përdorimi i termit “stërvitje” në vend të “testim” për ta përshkruar lëshimin e raketës ICBM këtë javë, nënkupton se ky vend është i gatshëm për prodhim të madh dhe zhvendosje të raketës ICBM Hwasong-18, tha të martën Cheong Seong-chang, një ekspert për strategjitë politike të Koresë së Veriut më Institutin Sejong pranë Seulit.

Përgatiti: Ekrem Idrizi