Ndërlidhjet

Pse lëshimi i satelitëve të Koresë së Veriut është kaq kundërthënës?


Disa persona duke shikuar raportimin e një televizioni për lëshimin e satelitit nga Koreja e Veriut. Seul, 31 maj 2023.
Disa persona duke shikuar raportimin e një televizioni për lëshimin e satelitit nga Koreja e Veriut. Seul, 31 maj 2023.

Reuters

Koreja e Veriut duket se po përgatitet për përpjekjen e dytë të lëshimit të një sateliti vëzhgues gjatë këtij viti, një veprim që mund të jetë po aq kundërthënës sa testimet e armëve të tjera.

Përpjekja e 31 majit – që ishte lëshimi i parë i Koresë së Veriut i një sateliti që tillë që nga viti 2016 – përfundoi me një dështim të madh, pasi raketa e re Chollima-1 u përplas në det.

Më 22 gusht, Koreja e Veriut i tha Japonisë se do të lëshojë satelitin e ri midis 24 gushtit dhe 31 gushtit, duke nxitur kritika nga Japonia dhe Koreja e Veriut.

Nëse Pheniani e lëshon këtë satelit, atëherë do të përbënte përpjekjen e dytë të këtij lloji brenda vitit.

Në këtë tekst mund të mësoni lidhur me garën hapësinore të Koresë së Veriut dhe pse është kaq kundërthënëse:

Ambiciet hapësinore

Që nga viti 1998, Koreja e Veriut ka lëshuar gjashtë satelitë, dy prej të cilëve duket se janë vendosur në mënyrë të suksesshme në orbitë. Lëshimi i fundit i suksesshëm ishte në vitin 2016.

Vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se sateliti dukej se ishte nën kontroll, por kishte debate të shumta nëse sateliti kishte dërguar ndonjë transmetim.

Ekspertët thanë se Koreja e Veriut kishte përdorur në tri lëshimet e fundit shtytësin e raketave të llojit Unha-3, por një platformë e re për lëshimin e raketave, qartazi është ndërtuar për një raketë më të madhe.

Pas lëshimit të satelitit më 2016, një zyrtar i lartë i agjencisë hapësinore të Koresë së Veriut deklaroi se shteti po planifikonte që deri më 2020 të dërgonte në orbitë satelitë më të avancuar dhe përfundimisht “të vendoset flamuri [i Koresë së Veriut] në Hënë”.

Gjatë një kongresi të partisë të mbajtur në janar të vitit 2021, lideri verikorean, Kim Jong Un, paraqiti një listë dëshirash, ku përfshihej edhe zhvillimi i satelitëve ushtarakë të vëzhgimit.

Raketa Chollima-1 duket se është një dizajn i ri dhe ka shumë të ngjarë që përdor motorë me karburant të lëngshëm, e me dy gryka. Këto lloje motorësh janë zhvilluar për raketën balistike ndërkontinentale të Koresë së Veriut, të quajtur Hwasong-15, thanë analistët.

Koreja e Jugut ka arritur të marrë nën posedim disa nga copëzat e Chollima-1 – që u përplas në det – përfshirë edhe pjesë të satelitit. Megjithatë, Seuli nuk ka publikuar detaje nga gjetjet, por ka thënë vetëm se sateliti kishte pak vlerë ushtarake.

Teknologji me përdorim të dyfishtë

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët i kanë cilësuar testet e fundit të sistemeve satelitore të kryera nga Koreja e Veriut shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Këto rezoluta ndalojnë zhvillimin e çdo teknologjie që mund të përdoret në programet e raketave balistike të Koresë së Veriut.

Koreja e Veriut tha se programi i saj bërthamor dhe aktivitetet e mbrojtjes janë të drejta të saj sovrane.

Kur lëshoi satelitin më 2016, Koreja e Veriut ende nuk kishte testuar raketa balistike ndërkontinentale. Lëshimi i satelitit ishte dënuar nga qeveritë e SHBA-së dhe Koresë së Jugut, që e cilësuan si test të fshehur të teknologjisë së raketave që janë të afta të godasin territorin e SHBA-së.

Që nga viti 2016, Koreja e Veriut ka zhvilluar dhe ka testuar tri lloje të raketave balistike ndërkontinentale dhe tani duket e përkushtuar që të vendosë në hapësirë satelitë funksionalë. Një gjë e tillë nuk do t’i ofronte vetëm informacione më të mira të inteligjencës për armiqtë e saj, por do të ishte edhe dëshmi se mund të konkurrojë me fuqitë e tjera në rajon, thanë analistët.

Koreja e Veriut mund të përdorë satelitë të tillë që të shënjestrojë në mënyrë më efektive Korenë e Jugut dhe Japoninë, apo për të kryer vlerësime për dëme gjatë një lufte të mundshme, tha Ankit Panda nga instituti për Paqe Ndërkombëtare Carnegie me seli në SHBA.

Në anën tjetër, nëse Koreja e Veriut përmes satelitëve të saj mund të verifikojë që SHBA-ja dhe aleatët e saj nuk po synojnë që ta sulmojnë, kjo mund të ulë tensionet dhe të krijojë stabilitet, shtoi ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG