Si kalitet një sportist për Olimpiadë?

Ekipi olimpik i Kosovës në Olimpiadën e Parisit.

Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.

Më shumë se 10.500 sportistë po garojnë në Olimpiadën e këtij viti që po mbahet në Paris – prej të cilëve nëntë e përfaqësojnë Kosovën. Ata stërviten në kushte e në vende të llojllojshme dhe nga trajnerë të ndryshëm. Por, çfarë e bën një sportist të suksesshëm? Si duket rutina e tij, si e menaxhon ai stresin dhe si e përballon humbjen?

Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.

Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!

“Nuk janë kushtet ato që të bëjnë ty kampion. Unë jam bërë kampione evropiane, botërore dhe olimpike, duke ushtruar në një sallë ku temperaturat gjatë dimrit kanë qenë minus 15 gradë celsius. Nuk kam pasur fizioterapeut, nuk kam pasur psikolog, nuk kam pasur nutricionist”.

Këto janë fjalët e Majlinda Kelmendit, sportistes që ka shkruar historinë në Kosovë dhe që i ka fituar të gjithë titujt kryesorë të xhudos në botë.

Sipas saj, gjithçka ka qenë e mundshme, sepse e ka pasur afër vetes një trajner profesionist – Driton Kukën.

Duke marrë shkas Lojërat Olimpike Verore Parisi 2024, dhe gjithë euforinë në Kosovë, pasi dy xhudiste arritën të fitojnë medalje olimpike, kemi biseduar me Kelmendin – tani trajnere e xhudos – për të kuptuar se çfarë realisht e kalit një person që t’i arrijë normat olimpike.

Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, pasi ka fituar medaljen e artë olimpike në Rio 2016.

A varet suksesi prej talentit, apo prej punës?

Kelmendi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se, kur ka qenë e vogël, nuk është njohur për ndonjë talent të madh, por ka qenë shumë punëtore: “Mendoj që është 80 për qind punë, 20 për qind talent”.

Një teori e psikologut K. Anders Ericsson, e cila i ka rezistuar kohës, thotë se 10 mijë orë punë i mjaftojnë dikujt që të bëhet ekspert në një fushë. Edhe pa pasur talent.

Karriera e Kelmendit, e nisur që në moshën tetëvjeçare, ka rezultuar me shumë tituj: katër herë kampione evropiane, dy herë kampione botërore dhe kampione olimpike, ndër të tjerë.

Pritja që i ishte bërë Majlindës në Kosovë, pasi ia pati siguruar vendit medaljen e parë olimpike.

Regjimi i një sportisti olimpik

Kelmendi ka thënë se, përgjatë kohës sa ka qenë duke u përgatitur për gara, përfshirë Olimpiadën, rutina e saj për 20 vjet rresht është dukur kështu:

  • Stërvitja e parë: 06:00 – 08:00
  • Stërvitja e dytë 10:00 – 12:00
  • Pauza: 12:00 – 17:00
  • Stërvitjet e tjera: 17:00 – 20:00.

Për 15 vjet, ajo ka thënë se nuk e ka bërë asnjë pushim.

Kolegia e saj, Distria Krasniqi, i pati thënë muaj më parë Radios Evropa e Lirë se një muaj para garës, ajo dhe xhudistë tjerë izolohen: “Mbyllemi dhe bisedat i bëjmë vetëm me trajnerin ose me shokët e klubit. Kjo na ndihmon të mbrohemi”.

Xhudistja Distria Krasniqi (në të kaltër) duke luftuar me xhudisten uzbeke Diyora Keldiyorova, më 28 korrik në Paris. Distria e ka siguruar në këtë Olimpiadë medaljen e argjendtë, ndërsa në Tokio më 2021 të artën.

Pjesëmarrja në Olimpiadë

Norma në sportin e xhudos fitohet brenda dy vjetëve.

Gjatë asaj periudhe, përmes garave, një sportist i fiton pikët olimpike. Por, secili sport i ka procedurat e veta.

Në fund, në Lojërat Olimpike shtetet garojnë me sportistë të kualifikuar – që arrijnë normën olimpike – dhe me sportistë që ftohen për pjesëmarrje për të rritur numrin e garuesve prej shteteve që tradicionalisht kanë pasur ekipe më të vogla.

Gresa Bakraçi, Hana Beiqi dhe Adell Shaboviq në ceremoninë e pranimit të flamurit të Kosovës, pak para nisjes për Paris. Këta janë tre sportistët nga Kosova që marrin pjesë me ftesë. Ekipi i xhudos dhe Donjeta Sadiku e kanë fituar normën olimpike.

Emocionet një ditë para garës?

“Jam munduar që të fokusohem në punën time, të mos mendoj shumë gjëra përreth, të mos mendoj që njerëzit presin prej meje, ta bind veten që jam më e mira, që mundem dhe që dua të fitoj medalje të artë”, ka treguar Kelmendi.

Psikologët e sportistëve kanë përmendur se është shumë me rëndësi që stresi të konsiderohet si sfidë dhe jo si diçka që bën dëm.

Shane Murphy, i cili ka këshilluar shumë olimpistë ndër vite, ka thënë se çelësi për sukses është të duash shumë atë që bën dhe të fokusohesh në momentin – të mos shqetësohesh për dështimin dhe as për rezultatin final: “Trupat e tyre janë të përgatitur për sukses, por zakonisht mendja hyn më mes, nëse e lejojnë”.

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu e ka fituar këtë vit medaljen e parë olimpike në karrierë.

Plusi i madh për sukses: Bashkëpunimi i sinqertë me trajnerin

Trajneri i ekipit kosovar të xhudos, Driton “Toni” Kuka, është parë në secilën garë të Majlindës, ndër vite, e tani edhe të xhudistëve tjerë.

Nën udhëheqjen e Kukës – dikur vetë xhudist – Kosova i ka siguruar pesë medalje olimpike: tri të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë.

Sipas Kelmendit, asnjë sportist nuk mund të arrijë kulmin, nëse nuk ka raport të ngushtë dhe të sinqertë me trajnerin.

“Asnjëherë nuk kam shkuar në gara pa Tonin. Thjesht, kam pasur nevojë që Toni të jetë në sallë, që unë ta dëgjoj zërin e tij dhe ta shoh që është prezent”.

Trajneri Driton Kuka. Xhudistët në Kosovë e konsiderojnë "kokën" e suksesit të tyre.

A ofron Kosova kushte për kalibër olimpik?

Ndonëse në sportet tjera mund të ketë nevojë për më shumë investime, Kelmendi ka vlerësuar se, sa i përket xhudos, kushtet tani janë të mira, teksa ka përmendur edhe ndihmën prej shtetit dhe të sponsorëve, që nga viti 2013.

Pavarësisht asaj, ajo ka porositur çdo sportist që të mos i krahasojë asnjëherë kushtet e stërvitjeve me ato që mund të jenë në Gjermani apo në Japoni: “Me vullnet, punë dhe përkushtim, mund të arrijnë gjithçka”.

Kelmendi ka pranuar se regjimi i saj me raste ka qenë shumë më i ashpër sesa që ndoshta do të duhej, se ndoshta nuk e ka shijuar sa duhet karrierën në zhvillim e sipër, por që mbase ky ka qenë çelësi i suksesit për të.

“Ka qenë shumë e vështirë gjatë karrierës sime, sidomos prej vitit 2013 e tutje, të pranoj ndonjë medalje tjetër përpos të artës. Mendoj që kjo më ka kushtuar shumë në aspektin psikologjik, por, në anën tjetër, ndoshta është mirë të jesh ashtu, deri diku, për faktin që i kam arritur të gjithë titujt e mundshëm”.

Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).

Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:

Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.