Këshilltari për siguri kombëtare, Robert O’Brien do të jetë nikoqir i liderëve të Kosovës dhe Serbisë, së bashku me të dërguarin e presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane, i tha Radios Evropa e Lirë se SHBA-ja “mezi pret këto diskutime të rëndësishme ndërmjet kryeministrit (Avdullah) Hoti dhe presidentit (Aleksandar) Vuçiq”.
“SHBA-ja beson se përparimi në çështjet ekonomike është kyç në avancimin e procesit të paqes”, tha ky zyrtar për REL.
Të premten, Grenell përmes një postimi në Twitter bëri të ditur se udhëheqësit e dy vendeve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për "negociata" më 2 shtator.
"Jemi të lumtur të njoftojmë se liderët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për negociata më 2 shtator", ka shkruar Grenell.
Ndërkohë Hoti dhe Vuçiq iu përgjigjën pozitivisht ftesës së të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Richard Grenell.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se Kosova dhe Serbia do të bisedojnë si dy shtete të pavarura për “projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit”.
Vuçiq: Pse negociata e jo bisedime?
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po ashtu tha se temat do të jenë të fushës ekonomike, duke shtuar se Serbia nuk është në pozicion që t’i “refuzojë bisedimet”.
Duke folur për televizionin Pink, Vuçiq shtoi se nuk e di pse Grenell në lajmërimin e tij ka përdorur fjalën “negociata” dhe jo “bisedime", duke shtuar se pozicioni i Serbisë është që të bisedohet me palën tjetër, edhe pse SHBA-ja, administrata e Brukselit zyrtar dhe një numër i madh i shteteve të BE-së, e shohin Kosovën dhe Serbinë si dy shtete të pavarura.
Ambasada amerikane në Serbi, përmes një postimi në Twitter deklaroi se “takimi i liderëve të Serbisë dhe Kosovës në Shtëpinë e Bardhë do të shtynte përpara dialogut e Brukselit dhe do të sillte më shumë stabilitet në rajon”.
BE-ja mirëpret mbështetjen e SHBA-së për dialogun
Pas njoftimit për takimin e 2 shtatorit, Bashkimi Evropian - që ndërmjetëson dialogun Kosovë-Serbi që prej vitit 2011 - tha se e konsideron SHBA-në partnere të rëndësishme në këtë proces.
Lidhur me takimin e 2 shtatorit, BE-tja thotë se “kanë marrë në dijeni këtë njoftim” duke rikujtuar se mbështetja e SHBA-së në dialogun e lehtësuar nga BE-ja është e mirëseardhur.
“Kur është në pyetje përfshirja e palëve të treta në përpjekjet për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të pajohen për një normalizim gjithëpërfshirës të raporteve të tyre. Ne mirëpresim nismat që mbështesin dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në këtë drejtim ne kemi marrë në djeni njoftimin e ambasadorit Grenell”, tha për Radion Evropa e Lirë, Nabila Massrali, zëdhënëse e BE-së për Politikë të jashtme dhe siguri.
Zëdhënësja e BE-së rikujtoi se rruga drejt bllokut evropian për Kosovën dhe Serbinë kalon përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.
BE-ja po ashtu tha se në fund të muajit do të takohen delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në kuadër të takimeve në nivel ekspertësh, ndërkaq një takim nivelit të lartë politik ndërmjet Hotit dhe Vuçiqit është paraparë të mbahet në fillim të muajit shtator.
Thaçi: Mirënjohës për dedikimin e madh të SHBA-së për paqe
Pas njoftimit për takimin në Uashington, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se e mirëpret mbajtjen e këtij takimi, duke shtuar se Kosova i është mirënjohëse SHBA-së për përkushtimin për paqe në rajon.
“Mirëpres njoftimin për takimin në Shtëpinë e Bardhë për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi mirënjohës për dedikimin e madh të SHBA-së për paqe dhe stabilitet në rajon”, ka deklaruar Thaçi përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.
Ndërkaq, më herët gjatë ditës, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që është partner në koalicionin qeverisës, duke përshëndetur arritjen e një marrëveshjeje mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe me ndërmjetësimin e SHBA-së, tha se Kosovës i duhet roli i Amerikës për arritjen e marrëveshjes me Serbinë.
“Kosovës i duhet roli udhëheqës i Amerikës për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, njohjen reciproke në kufijtë ekzistues”, tha Haradinaj.
Ky është takimi i dytë i thirrur nga Grenell. Takimi i parë, i paraparë më 27 qershor, u anulua pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.
SHIKONI EDHE: Grenell ofron mbështetje për udhëheqjen evropiane në dialogPavarësisht anulimit të takimit të 27 qershorit në Uashington, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian rinisën dialogun.
Më 16 korrik në Bruksel u takua kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në këtë takim u tha se palët biseduan për çështjen e të pagjeturve, zhvendosurve dhe për çështje ekonomike.
Hoti ka insistuar se në dialog Kosova shkon vetëm për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve.
SHIKONI EDHE: Prishtina për njohje, Beogradi për kompromisKrahas dialogut në nivelin politik, në Bruksel kanë nisur edhe takimet në nivel ekspertësh mes dy palëve. Në këto bisedime, Kosova përfaqësohet me Koordinatorin shtetëror për dialog, Skender Hyseni ndërsa pala serbe me shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq.
Kosova insiston se ky nuk është dialog në nivel teknik, por se aty, delegacionet do të punojnë në draftimin e një marrëveshjeje finale për normalizimin e marrëdhënieve.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky dialog u ndërpre në fund të vitit 2018 për shkak të vendosjes së një takse nga Qeveria e Kosovës ndaj importeve serbe.
Kjo masë më pas u zëvendësua me reciprocitet, por Qeveria Hoti hoqi reciprocitetin, duke thënë se me heqjen e kësaj mase, po i jepet shans rinisjes së dialogut.