Shtëpia e Bardhë shpreson për arritjen e armëpushimit në Gazë

Zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby. Fotografi nga arkivi.

Yahya Sinwar, udhëheqësi i vrarë i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ishte një pengesë për arritjen e një armëpushimi në luftën në Gazë.

Vrasja e tij nga ushtria izraelite paraqet një “pikë kthese” që mund të përshpejtojë procesin e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës, tha zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Sinwar, i cilësuar si arkitekti i sulmit të 7 tetorit 2023 që e nxiti luftën në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, u vra në jug të Gazës nga një sulm izraelit më 17 tetor. Vrasja e tij paraqet një sukses të madh për Izraelin, teksa lufta në Gazë po vazhdon.

“Ne besojmë se gjetja e një zgjidhjeje për përfundimin e luftës është kritike dhe ne po ashtu besojmë se vdekja e Sinwarit mund të ofrojë një pikë kthese për të arritur te kjo zgjidhje”, tha Kirby.

SHIKONI EDHE:

Hamasi konfirmon vdekjen e SinwaritKush ishte Yayha Sinwar, lideri i vrarë i Hamasit?

Pavarësisht optimizmit të Shteteve të Bashkuara, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, më 18 tetor premtoi se Izraeli do të vazhdojë luftën në Gazë dhe Liban, duke sugjeruar se vrasja e Sinwarit nuk do të ketë shumë ndikim në përfundimin e luftës, të paktën jo në një periudhë të afërt kohore.

Për muaj të tërë SHBA-ja, mbështetja kryesore e Izraelit, ka punuar për arritjen e një armëpushimi në Gazë, por këto përpjekje deri më tani kanë dështuar.

Kirby tha se aktualisht nuk po zhvillohen bisedime për një armëpushim në Gazë dhe tha se nuk mund të ofrojë ndonjë datë se kur do të rinisin bisedimet.

SHIKONI EDHE: A do të ketë ndikim vrasja e udhëheqësit të Hamasit në rrjedhën e luftës në Gazë?

Gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar, Hamasi vrau afër 1.200 persona – shumica civilë – në jug të Izraelit dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.

Paralelisht me luftën në Gazë, Izraeli po lufton në Liban edhe me Hezbollahun, grupin militant dhe partinë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërkaq BE-ja ka në listën e zezë krahun politik. Partia Hezbollah ka ulëse në Parlamentin libanez.