Ndërlidhjet

Kush ishte Yayha Sinwar, lideri i vrarë i Hamasit?


Udhëheqësi i Hamasit, Yahya Sinwar. Fotografi nga arkivi.
Udhëheqësi i Hamasit, Yahya Sinwar. Fotografi nga arkivi.

Yahya Sinwar ishte udhëheqës i Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ai u vra gjatë operacioneve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës më 17 tetor, thanë zyrtarët izraelitë.

Sinwar, 62 vjeç, dyshohej se ishte arkitekti i sulmit vdekjeprurës kundër Izraelit më 7 tetor 2023. Sulmi i paprecedent nxiti luftën që Izraeli po kryen në enklavën palestineze.

Sinwar u bë udhëheqësi kryesor i Hamasit, pas vrasjes së Ismail Haniyeh, shefit të byrosë politike të grupit, i cili u vra në Teheran më 31 korrik në një sulm të dyshuar izraelit.

Ai paraprakisht kishte udhëhequr krahun ushtarak të Hamasit, apo Brigadën Iz al-Din Al-Kasam. Sinwar nuk ishte parë si personi i preferuar për të pasuar Haniyehun, i cili jetonte në Katar.

Khaled Meshaal, ish-shefi politik i Hamasit dhe Khalil al-Hayya, një figurë e shquar në krahun politik të grupit, ishin parë si personat që mund të merrnin udhëheqjen e grupit.

Tradicionalisht, shefi politik i Hamasit gjendet jashtë vendit në mënyrë që të mund të udhëtojë dhe të mbajë kontakte me aleatët rajonalë, sikurse Irani dhe Hezbollahu, grupi libanez dhe partia politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit dhe është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërkaq BE-ja e ka në listë të zezë vetëm krahun politik të tij. Sinwari besohej se gjendej në Gazë.

Një arsye e rëndësishme për emërimin e Sinwarit në krye të Hamasit, thanë ekspertët, ishte se ai kishte raporte të ngushta me Iranin, i cili i ofron mbështetje financiare dhe ushtarake grupit.

I formuar nga burgjet izraelite

I njohur nga mbështetësit e tij edhe si Abu Ibrahim, Sinwar u lind në një kamp refugjatësh në qytetin e Han Junisit në Gazë.

Prindërit e tij, sikurse të Haniyehut, u larguan nga qyteti bregdetar Ashkelon gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1948, luftë që rezultoi me krijimin e shtetit të Izraelit. Këtë ngjarje palestinezët e quajnë “nakba” apo katastrofa.

Sinwar iu bashkua Hamasit pak pasi grupi u formua më 1987 dhe krijoi organizatën famëkeqe për siguri të brendshme, Al-Majd, qëllimi kryesor i të cilës ishte të gjendet spiunë izraelitë brenda grupit. Ai fitoi reputacionin si njeri i dhunshëm dhe iu vu nofka “Kasapi i Han Junisit”.

Sinwar u kap nga forcat izraelite dhe u dënua me disa dënime me burgim të përjetshëm për një sërë akuzash – përfshirë për vrasjen e dy ushtarëve izraelitë – dhe qëndroi për më shumë se dy dekada në burg.

Gjatë kohës sa ishte në burg, ai kishte organizuar greva për përmirësimin e kushteve të punës dhe ishte shndërruar në një udhëheqës në mesin e të burgosurve palestinezë.

Haniyeh dhe Sinwar gjatë takimit me Khamenein.
Haniyeh dhe Sinwar gjatë takimit me Khamenein.

Sinwar ishte liruar nga burgu më 2011, si pjesë e një këmbimi të burgosurve kur u liruan më shumë se 1.000 të burgosur palestinezë në këmbim të kthimit të një ushtari izraelit që mbahej nga Hamasi. Pak kohë pas lirimit, Sinwari e kishte shoqëruar Haniyehun në një udhëtim në Teheran, ku ai ishte takuar me liderin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG