Pasivizimi i adresave, formë e legalizimit të pastrimit etnik në Luginë

Komuna e Preshevës. Fotografi nga arkivi.

Nga viti 2006, Bashkimi nuk mund të paguajë tatimin për shtëpinë dhe rreth tre hektarë tokë, që i ka në vendlindjen e tij në Siarinë, Komuna e Medvegjës, në jug të Serbisë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Bashkimi - identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë - thotë se autoritetet lokale ia kanë pamundësuar një gjë të tillë.

Ai druan se këto veprime do të çojnë drejt pasivizimit të adresës së tij dhe humbjes së pronave që ka në Komunën e Medvegjës.

Medvegja së bashku me Preshevën dhe Bujanocin përbëjnë atë që njihet si Luginë e Preshevës - e banuar me shqiptarë - në jug të Serbisë.

Bashkimi jeton me familjen e tij në Prishtinë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, në vitin 1999. Ai thotë se shkon në vendlindjen e tij tri apo katër herë gjatë një viti, por vetëm për ta parë shtëpinë ku është rritur dhe për të pastruar rreth saj.

“S’na lejojnë as tatim të paguajmë. Kemi shkuar ta paguajmë disa herë, por prej vitit 2006, nuk na kanë lejuar më, as për tokë dhe as për asgjë tjetër. Do të thotë, vetëm varrezat e të parëve që kanë mbetur aty dhe aq. E kanë ata [autoritetet e Serbisë] atë strategjinë e tyre që të na e marrin tokën kështu, kinse në mënyrë ligjore, por kjo nuk është e drejtë”.

“Kur ne shkojmë, ata thonë që ‘nuk është [shtëpia] e banueshme për të paguar’. E shohin kinse që ne nuk kemi bërë ndonjë renovim dhe, sipas tyre, nuk është e banueshme”, thotë Bashkimi.

SHIKONI EDHE: Shqiptarët e Luginës në hall me pasivizimin e adresave

Mustafi: Hyrje në proces të pasivizimit të adresës

Kjo që po i ndodh Bashkimit dhe familjes së tij, nga Këshilli Kombëtar Shqiptar - institucion që merret me të drejtat e komunitetit shqiptar në Serbi - konsiderohet si rrugë që çon drejt pasivizimit të adresës së kësaj familjeje në Siarinë.

Sipas Ligjit për vendbanim dhe vendqëndrim në Serbi, “pasivizimi i adresës është tregues në evidencën e organit kompetent, se shtetasi nuk jeton në adresën e vendbanimit të përhershëm ose të përkohshëm të regjistruar”.

Beogradi zyrtar, në përgjithësi, nuk e ka komentuar çështjen e pasivizimit të adresave. Por, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në muajin shkurt, ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Marija Obradoviq, ka folur për pasivizimin e së drejtës së votës, duke thënë se kjo ndodh kur nga inspektimet në terren të zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, konstatohet se vendbanimi i personave nuk është në adresën që kanë lajmëruar.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, thotë për Radion Evropa e Lirë se asnjë institucion në Serbi, ligjërisht nuk ka të drejtë që të mos ia lejojë pronarit pagesën e tatimit për pronën e tij.

“Nuk ka ligj që e ndalon, nuk ka rregullore juridike, e cila e bën këtë gjë. E dyta, në rast se kjo është duke ndodhur, kjo është shkelje e drejtpërdrejtë dhe flagrante e të drejtave të qytetarit për të kryer obligimet ndaj shtetit”.

“A është kjo uverturë për pasivizimin [e adresës]? Unë besoj që po, sepse procesi që është duke ndodhur, është duke u realizuar me një diktat politik nga Beogradi në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, thotë Mustafi.

Kamberi: Situatë absurde me pronat e patjetërsueshme

Shaip Kamberi, deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se pasivizimi i adresave të qytetarëve në Serbi është duke u zhvilluar në mënyrë selektive - vetëm ndaj shqiptarëve.

Kjo, sipas tij, tregon se ky proces është organizim shtetëror në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Kamberi shton se shteti nuk mund t’ia marrë pronën askujt - edhe nëse rasti është sikurse i Bashkimit. Por, sipas tij, mekanizmat shtetërorë krijojnë situata absurde, të cilat i zmbrapsin qytetarët shqiptarë nga realizimi i të drejtave të tyre.

“Pronën nuk mund t’ia marrin. Por, ata, po ta lënë të paguajë tatimin, atëherë duhet t’ia kthejnë vendbanimin, sepse në bazë të vendbanimit e paguan [tatimin]. Megjithatë, e drejta e pronës është e patjetërsueshme dhe shtetësinë dhe pronën nuk kanë mundësi t’ia marrin”.

“Por, nëse s’ka vendbanim dhe nuk mund të shkojë ta shfrytëzojë atë pronë, atëherë kjo tregon se i detyrojnë njerëzit ose të distancohen dhe të heqin dorë nga ajo pronë, ose ta shesin atë”, thotë Kamberi.

SHIKONI EDHE: Kamberi: Pasivizimi i adresave të shqiptarëve po ndryshon strukturën etnike në Luginën e Preshevës

“Serbët nuk e blejnë pronën, sepse e llogarisin si të veten”

Bashkimi thotë se tash e dy dekada gjendet në një situatë, ku edhe po të dojë, nuk mund të shkojë të jetojë në vendlindjen e tij. Ai thotë se as shitjen eventuale të pronës nuk mund ta bëjë.

“Do të thotë, që të kthehem atje, të paktën për gjashtë muaj, për të lajmëruar një adresë... Por, nuk të lejojnë. Shkurt, nuk të lënë rehat. Për shembull, nëse do ti që të dalësh për të blerë diçka, ata [serbët vendas] i kanë provokimet e veta”.

“Kanë mbetur pas dore ato shtëpi. T’i shesim? Jo, sepse atje kurrë s’ka pasur të drejtë që të blejë serbi nga shqiptari. Nuk e blejnë, sepse e llogarisin si tokë të veten. As vendasit nuk e blejnë, por as shteti nuk i lejon”, thotë Bashkimi.

Humbja e të drejtave

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Mustafi, thotë se ekzistojnë mekanizma që anulojnë një varg të drejtash të qytetarëve dhe, rrjedhimisht, krijojnë të gjitha parakushtet e pasivizimit të adresave.

“Në mungesë të adresës suaj, në mungesë të rezidencës suaj, nuk keni mundësi të nxirrni çfarëdo dokumenti identifikimi, si për shembull letërnjoftimin apo pasaportën. Me këtë, qytetarët i humbin të drejtat e tyre politike-juridike, civile, me çka nuk mund të disponojnë as trashëgiminë, nuk mund të futen në marrëdhënie shitblerjesh, nuk mund t’i kryejnë obligimet e tjera”.

“Njëkohësisht nuk mund të jesh pjesë e procesit zgjedhor, të zgjedhësh dhe të kesh të drejtën për të qenë i zgjedhur”, thotë Mustafi.

SHIKONI EDHE: Lugina e Preshevës do reciprocitet për të drejtat e komuniteteve joshumicë

Ai tregon se deri më tash, në këshillin që ai drejton, janë paraqitur rastet e rreth 6,000 qytetarëve të tri komunave - Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë - të cilëve u janë pasivizuar adresat.

Por, siç pretendon ai, shifra reale është shumë më e madhe, sepse shumica e qytetarëve, të cilëve u janë pasivizuar adresat, nuk i kanë paraqitur rastet në këtë këshill.

“Legalizim i pastrimit etnik”

Shaip Kamberi, po ashtu, thotë se nuk ka ndonjë shifër zyrtare që tregon numrin e përgjithshëm të pasivizimit të adresave në tri komunat e Luginës së Preshevës.

Por, sipas tij, në përgjigjen zyrtare që ka marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, pas një pyetjeje parlamentare që ia ka bërë për Komunën e Medvegjës, i është thënë se vetëm në këtë komunë, në periudhën 2017-2019, kanë qenë 1,750 persona me adresa të pasivizuara.

“Tash, në shumicën e rasteve, kjo është për ata që kanë të drejtë vote. Në Bujanoc dhe në Preshevë nuk kemi statistikë të saktë, por është një proces, i cili, pavarësisht që po zhvillohet, nuk e ka dinamikën që e ka pasur në Medvegjë. Në Medvegjë është rrezikshëm. Faktikisht është legalizuar pastrimi etnik, i cili ka ndodhur në vitin 1999 [gjatë luftës në Kosovë]. Tash, edhe me shlyerjen e adresave, po shlyhet elementi shqiptar në këtë komunë”, thotë Kamberi.

SHIKONI EDHE: Kurti: Të ndalet fushata e pasivizimit të adresave në Luginë të Preshevës

Më 16 dhjetor të këtij viti, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka vizituar Komunën e Preshevës, ku me udhëheqësit atje kanë diskutuar për, siç është thënë, nevojën e “sensibilizimit të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me pasivizimin e vendbanimeve dhe adresave të shqiptarëve në Serbi”.

Në nëntor të vitit të kaluar, ish-kryediplomatët e Kosovës dhe Shqipërisë, Meliza Haradinaj-Stublla dhe Gent Cakaj, kanë kërkuar nga Serbia që të ndalë, siç është thënë, fshirjen e adresave të shqiptarëve që jetojnë në tri komunat e Luginës së Preshevës.

Përmes një deklarate të përbashkët, ata kanë thënë se ky veprim, sipas tyre, i qëllimshëm, ka për synim krijimin “jo vetëm të një pasqyre krejtësisht të pasaktë të përbërjes demografike të atyre hapësirave dhe të numrit të shqiptarëve në Serbi, por është duke shkelur rrënjësisht të drejtat e liritë themelore të tyre, përfshirë të drejtën e votës”.