Shqipëria shpall dy ditë zie kombëtare pas vdekjes së Ismail Kadaresë

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare i fotografuar më 16 tetor 2023. Kadare vdiq më 1 korrik 2024 në moshën 88-vjeçare.

Qeveria e Shqipërisë i ka shpallur dy ditë zie, më 2 dhe 3 korrik, në nderim të të ndjerit Ismail Kadare, shkrimtarit shqiptar që vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare.

Kadare vdiq të hënën në Tiranë nga një "arrest kardio-respirator", thanë mjekët shqiptarë.

Në një vendim të hënën vonë, Qeveria e kryeministrit Edi Rama tha se në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulët flamuri kombëtar në gjysmështizë për nder të Kadaresë.

Po ashtu, do të bëhen homazhe publike dhe do të mbahet një ceremoni shtetërore në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë, të mërkurën paradite.

SHIKONI EDHE: Vdiq Ismail Kadare: "Shqiptarët humbën gjeniun e letrave"

Kadare lindi në vitin 1936 në Gjirokastër - një qytet i vogël në malet e jugut të Shqipërisë. Qyteti i tij, për të cilin shkroi romanin “Kronikë në Gur”, bën pjesë në trashëgiminë botërore që mbron UNESCO-ja.

Tridhjetë vjet të karrierës së shkrimtarit, Kadare i jetoi në Shqipërinë komuniste, ku edhe shkroi kryeveprat: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Dimri i madh” e “Ura me tri harqe”.

“Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, gazeta amerikane Boston Globe e përshkroi si “roman të fuqishëm dhe prekës”.

Ai, gjithashtu, hyri në 100 librat e shekullit të gazetës Le Monde.

Librat e tij tashmë janë përkthyer në më shumë se 45 gjuhë të botës.

Shumë prej tyre kanë qenë të ndaluar në Shqipërinë komuniste - ndër to edhe “Pallati i ëndrrave”, ku Kadare shtjellon marrëdhënien pushtet-individ.

Kadare emigroi në Francë në vitin 1990, pasi bëri deklarata në favor të demokratizimit.

Kadare fitoi disa çmime ndërkombëtare. Me vite, u përmend edhe si pretendent i mundshëm për Çmimin Nobel për Letërsinë.

Në dekadat e fundit, Kadare jetoi dhe shkroi midis Parisit e Tiranës.