Nis vaksinimi kundër COVID-19 në Shqipëri

Doktoresha Najada Çomo merr vaksinën kundër koronavirusit në Tiranë.

Në Shqipëri ka nisur vaksinimi kundër sëmundjes COVID-19, ku të parët që do ta marrin këtë shërbim janë punëtorët shëndetësorë, që do pasohen nga policët dhe shërbyesit e tjerë publikë, si dhe të moshuarit apo grupet që konsiderohen më të rrezikuarat.

Në mesin e personave të parë që u vaksinuan ishte kryeministri Edi Rama, drejtoresha e spitalit infektiv të Tiranës, Najada Çomo dhe mjeku infektolog, Pëllumb Pipero.

Vaksinimi në stadiumin kombëtar “Air Albania” ka vijuar normalisht edhe me persona të tjerë të cilët kanë marrë vaksinën. Të hënën pritet të vaksinohen 50 mjekë nga 5 mijë që janë konsideruar prioriteti kryesor.

Pas vaksinimit, kryeministri Rama tha se qytetarët nuk duhet të kenë frikë nga vaksinimi dhe se vaksina është e këshillueshme, por jo e detyrueshme.

“Është e sigurt që vaksina i lë Ilirët, Ilirë dhe nuk futet çip në trup për të përgjuar thashethemet e kafeneve”, tha Rama.

Kryeministri më herët gjatë ditës së hënë, bashkë me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manstirliu njoftuan se vaksinimi nis zyrtarisht në orët e pasdites në stadiumin kombëtar “Air Albania”, vend i cili është përshtatur për kryerjen e këtij procesi.

Kryeministri Rama deklaroi se qeveria ka arritur të sigurojë nisjen e vaksinimit përpara afatit të deklaruar prej tij, prej faktit se një vend anëtar i Bashkimit Evropian ka arritur t'i sigurojë Shqipërisë vaksina të tjera shtesë, përtej 500 mijë dozave të siguruara me kompaninë amerikane, Pfizer. Megjithatë, kryeministri Rama nuk ka treguar se nga cili shtet i BE-së janë siguruar dozat e vaksinës.

SHIKONI EDHE: Shqipëria siguron vaksina, një pjesë ia ndan Kosovës

Kryeministri Rama kritikoi Bashkimin Evropian për duke thënë se “në momentin që BE-ja ka vendosur që të mendojë vetëm për veten e vet, është lënë në dorë të vendeve anëtare që të ndërveprojnë me vendet joanëtare për vaksinën”.

“Pavarësisht investimit me COVAX-in, nëse do të qëndronim në pritje të tij, do të ishim ende duke pritur dhe nuk do e dinim sa do të zgjaste pritja. Prandaj u angazhuam me kanale të tjera dhe ia dolëm”, theksoi Rama.

Rama iu referua programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit për vendet e varfra. Pjesë e këtij programi është edhe Kosova.

BE-ja deri më tani ka arritur gjashtë marrëveshje për rreth dy miliardë doza të vaksinës me kompanitë: Moderna, AstraZeneca, Sanofi-GSK, Janssen Pharmaceutica NV, Pfizer/BioNTech dhe CureVac. Nga rregullatori evropian i barnave ka miratuar për përdorim vaksinat e Pfizer dhe Moderna.

Kryeministri i Shqipërisë, ndër tjerash është zotuar se një pjesë të vaksinave do t’i ndajë për personelin mjekësor në Kosovë.

Në anën tjetër, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dha detaje për procesin e vaksinimit.

“Plani i vaksinimit përfshin disa aspekte, që përfshin grupet me prioritet që do të vaksinohen, që janë punonjësit e shëndetësisë, punonjësit e urgjencave. Edhe këtu ka një prioritet sepse numri i personelit tonë shëndetësor është 23 mijë. Mjekët dhe infermierët që punojnë në spitalet COVID janë të parët. Vaksinimi i tyre do të nisë sot”, u shpreh ministrja.

SHIKONI EDHE: BE-ja siguron gati gjysmën e vaksinave të Pfizerit për 2021

Sipas saj, do të vaksinohen edhe personat mbi 75-vjeç dhe ata që kanë probleme shëndetësore.

“Më pas vijon me punonjësit shëndetësorë në reanimacione, në urgjenca. Në grupe që janë identifikuar si prioritare, janë persona të moshuar edhe ata me probleme shëndetësore. Do të vijojmë me personat mbi 75 vjeç”, tha Manastirliu.

Shqipëria ka siguruar në total 500 mijë doza të vaksinës që ka prodhuar kompania amerikane Pfizer, në bashkëpunim me kompaninë gjermane, BioNTech.

Kryeministri Rama ka bërë të ditur se 10,750 dozat e para do mbërrijnë në Shqipëri në fillim të javës së tretë të janarit dhe mbi 30 mijë doza të tjera në shkurt dhe të tjerat në muajt e tjerë, në bazë të planit të vaksinimit.

Zyrtarisht tashmë Shqipëria ka siguruar dhe pritet të marrë gjatë javëve në vazhdim së paku 13 mijë doza vaksinash – duke përfshirë këtu 10 mijë dozat e para të kontraktuara nga Pfizer në fillim të janarit.

Prej paraqitjes së rastit të parë me COVID-19 në Shqipëri në muajin mars të vitit 2020, rreth 63,500 persona janë infektuar me koronavirusin e ri, prej së cilëve 1,241 pacientë kanë vdekur.