Kryeminstri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Shqipëria ka siguruar 500,000 doza të vaksinës anti-COVID-19, nga kompania farmaceutike amerikane Pfizer.
Në një video-adresim, të premten në mëngjes, Rama tha se marrëveshja është zyrtarizuar dhe se sasia e vaksinave do të paguhet menjëherë.
Dozat e para, gjithsej 10,750, do të mbrrijnë në Shqipëri “në fillim të javës së tretë të janarit”, tha Rama, ndërsa dozat e tjera “gjatë muajit shkurt”.
“Kjo është nisja më e mirë e mundshme e këtij viti vendimtar të zmbrapsjes përfundimtare të këtij armiku të padukshëm”, tha kryeministri shqiptar.
Rama po ashtu bëri të ditur se një sasi e vaksinave do t’i jepet Kosovës, për të vaksinuar punonjësit shëndetësorë.
Teksa kritikoi Bashkimin Evropian që, sipas tij, ka lënë anash vendet e Ballkanit Perëndimor, sa i përket furnizimit me vaksina, Rama tha se Shqipëria “nuk do t’ia kthejë shpinën Kosovës”.
"Kosovës do t’i dhurojmë një sasi për vaksinimin e bluzave të bardha të spitalit COVID të Prishtinës, në mënyrë që heronjtë e vijës së zjarrit në Kosovë ta nisin vaksinimin në të njëjtën kohë me heronjtë tanë”, tha Rama.
Ai tha se u ka kërkuar zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë në Shqipëri të kontaktojnë homologët kosovarë.
Vaksinimi kundër sëmundjes COVID-19 në vendet e Bashkimit Evropian ka nisur fundjavën e kaluar.
Komisionari evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ka thënë më herët se Bashkimi Evropian po punon që vaksinat të jenë të disponueshme edhe për Ballkanin Perëndimor.
Më 26 dhjetor, ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se Kosova, më 7 dhjetor, ka aplikuar zyrtarisht në programin COVAX, për sigurimin e vaksinës.
COVAX është program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon shpërndarjen e vaksinës kundër koronavirusit edhe në vende më të varfra.