Pedagogët në Shqipëri: Në grevë urie, sapo të marrim garanci për jetën

Protesta e pedagogëve në Tiranë. Tetor, 2022.

Pedagogët në Shqipëri nuk kanë hyrë në grevë urie, siç kishin paralajmëruar, por thanë se janë të gatshëm ta marrin këtë vendim, nëse marrin garanci për jetën.

Pasi skadoi afati që i kishin lënë Qeverisë së Shqipërisë për të reaguar për plotësimin e kërkesave të tyre, pedagogët e mbledhur në protestën e radhës në Tiranë thanë se u janë drejtuar me një letër disa institucioneve për të kërkuar këtë garanci.

“Në pamundësi për të marrë një përgjigje nga Qeveria, Sindikata e punonjësve të universiteteve të Shqipërisë i drejtohet presidentit të Republikës dhe institucioneve të rendit dhe sigurisë, por edhe faktorit ndërkombëtar me kërkesën për garantimin e jetës së pedagogëve që do hyjnë në grevë urie. Nëse kjo garanci jepet, 30 pedagogë hyjnë menjëherë në grevën e urisë”, theksoi Sandër Kovaçi, kreu i kësaj sindikate, duke shtuar se pedagogët po “shatazhohen” dhe “kërcënohen” nga Qeveria.

Gjatë 2 nëntorit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se pedagogët që po protestojnë dhe bëjnë thirrje për grevë urie u shërbejnë “rublave ruse dhe jo atdheut”, duke aluduar se janë të nxitur nga subjekti opozitar, Partia Demokratike, për të protestuar.

SHIKONI EDHE: Pedagogët në Shqipëri kërkojnë rritje pagash

Pedagogët në Shqipëri janë në protestë që prej 5 tetorit, ndërsa prej 17 tetorit shumica e tyre kanë bojkotuar mësimin.

Kërkesa kryesore e pedagogëve është rritja e pagës prej 50 për qind, me një rritje të menjëhershme prej 30 për qind, ndërsa pjesa tjetër prej 20 për qind të nisë vitin që vjen.

Pas bojkotimit të nisjes së vitit akademik, Qeveria shqiptare miratoi vendimin për rritjen prej 7 për qind të pagës së pedagogëve dhe kërkoi që një tjetër rritje prej 8 për qind të garantohet nga universitetet.

Një vendim të tillë e morën gjatë këtyre ditëve Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik, Universiteti i Mjekësisë dhe ai i Sporteve. Ndërsa nga institucionet e arsimit të lartë në rrethe nuk ka pasur asnjë vendimmarrje.

Pedagogët kanë thënë se kjo është një rritje e përkohshme dhe e pamjaftueshme. Ata kanë theksuar se nëse paga e tyre do të varen nga autonomia e universiteteve, kjo do të rëndonte studentët, të cilëve do t’u rriteshin tarifat e arsimimit.

Pagat e pedagogëve në Shqipëri variojnë nga 73 mijë lekë (rreth 630 euro) dhe më e ulëtat deri në 130 mijë (rreth 1.120 euro).

Pedagogët kanë renditur nëntë kërkesa për Qeverinë, dhe përveç pagave, një tjetër kërkesë e rëndësishme është edhe rritja e fondeve për kërkimin shkencor.