Shqipëri: Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë

Një nga pankartat gjatë protestës në Tiranë.

Dhjetëra qytetarë u mblodhën në protestë para Ministrisë së Shëndetësisë në Tiranë më 26 qershor, duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu.

Kërkesa për dorëheqje vjen një ditë pasi Prokuroria e Tiranës bëri të ditur se ka nisur hetimet ndaj disa mjekëve dhe punonjësve të spitalit të Onkologjisë, pasi dyshohen se ka krijuar një skemë abuzive duke transferuar pacientë nga spitali shtetëror në një klinikë private në Tiranë.

Një ditë më parë shtatë persona, mes të cilëve edhe dy mjekë të spitalit të Onkologjisë dhe zëvendësdrejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë janë vënë nën hetim dhe janë shkarkuar.

“Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mjekët, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin e Onkologjisë”, u tha në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.

Aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë thanë se përgjegjës për këtë rast, por edhe për mjaft denoncime të tjera të ngjashme në media, nuk janë vetëm mjekët e vënë nën hetim, por edhe drejtues të Qendrës “Nënë Tereza” dhe të Ministrisë së Shëndetësisë.

Protestuesit para ndërtesës së Ministrisë së Shëndetësisë në Tiranë.

Protestuesit mbanin në duar pankarta ku shkruhej “Ç’u bë me betimin e Hipokratit?” apo “Ministria e Vdekjes”, referuar Ministrisë së Shëndetësisë.

“Kërkojmë dorëheqjen e ministres Koçiu, dorëheqje edhe të zinxhirit drejtues të Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’. Të klasifikohet vrasje me dashje mungesa e mjekimit në spitale dhe lënia e pacientëve pa mjekim. T’u hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit për mjekët dhe infermierët që nuk ofrojnë shërbime për të sëmurët”, ishin disa prej kërkesave të protestuesve.

Protestuesit bënë thirrje që hetimet për këtë rast të vazhdojnë dhe të vihen para përgjegjësisë të gjithë ata persona që janë të përfshirë në këtë skemë.

Në disa prej pankartave që mbanin protestuesit, shkruhej “Devijim destinacioni”, apo “Si të duken Maldivet” kjo për faktin se në përgjimet e bëra publike në media, mjekët diskutonin për numrin e operacioneve që duhet të bënin për të garantuar pushime në Maldive.

Për këtë çështje opozita ka kërkuar interpelancë urgjente në Kuvend me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu.

Sipas autoriteteve shqiptare, shtatë punonjësit e spitalit shtetëror bashkëpunonin me administratorin e një klinike private, duke dërguar atje pacientët me sëmundje tumorale, që detyroheshin të paguanin deri në 3.000 euro për shërbimin që e përfitojnë falas në qendrën “Nënë Tereza”.

Fotografitë dhe emrat e punonjësve shëndetësorë që po hetohen.

Ata kanë bashkëpunuar edhe me administratorin e një farmacie. Sipas prokurorisë dyshohet se “disa prej barnave që janë medikamente për përdorim spitalor, specifikisht në departamentin e Onkologjisë, janë dërguar në farmaci dhe u janë shitur pacientëve”.

Gjatë hetimeve, prokuroria tha se gjeti se aparatura e kobalto-terapisë, që ka mbërritur në Shqipëri në vitin 2021 nuk është shfrytëzuar dhe nuk është vendosur në funksionim.

Aparatura e kobalto-terapisë përdoret për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale, sidomos për ata me kancer të lëkurës.

Që kjo aparaturë të funksionojë duhej krijuar një bunker antiradioaktiv ose antiatomik, sipas kushteve të përcaktuara ndërkombëtarisht.

“Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike. Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar, por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje”, u tha në dosjen e Prokurorisë.

SHIKONI EDHE: Shkarkohen mjekët e Onkologjisë në Tiranë që transferuan pacientët në një klinikë private

Me urdhër të Prokurorisë në Tiranë është bërë sekuestrimi i klinikës mjekësore private ku dërgoheshin pacientët. Gjithashtu janë ushtruar kontrolle në disa farmaci, në njërën prej tyre janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme medikamentesh kontrabandë të dyshuara dhe të falsifikuara dhe një shumë prej 10.000 eurosh.

Skema e transferimit të pacientëve nga Onkologjia te klinika private është zbuluar përmes personave të infiltruar dhe përgjimit të bisedave. Në dosjen e Prokurorisë së Tiranës theksohet se përgjimet kanë zbuluar se si punonjës të Onkologjisë u afroheshin të afërmve të pacientëve dhe u sugjeronin që të kryenin operacione në klinikën private, pasi në atë shtetërore radha ishte shumë e gjatë. Gjithashtu ata siguronin medikamente për kimioterapi, duke u shitur deri në 1.500 euro ilaçe që ishin për përdorim spitalor.