Udhëheqësi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike, Rafael Grossi, është shprehur i shqetësuar për situatën e sigurisë në centralin bërthamor në qytetin ukrainas Zaporizhja, pasi forcat pushtuese ruse kanë evakuuar civilët nga një zonë e afërt.
Centrali bërthamor në Zaporizhja është më i madhi në Evropë.
Grossi ka thënë se situata në këtë central është duke u bërë “e paparashikueshme dhe potencialisht e rrezikshme”.
Urdhri për evakuim është bërë, teksa Ukraina planifikon kundërofensivë.
SHIKONI EDHE: Rusët urdhërojnë evakuim të pjesshëm në ZaporizhjaMegjithatë, punëtorët e centralit është thënë se janë duke qëndruar në objekt.
Mirëpo Grossi ka thënë se situata është e tensionuar dhe kushtet e punës për ta janë shumë sfiduese.
Kjo agjenci ka lëshuar paralajmërime për sigurinë në central, edhe në të kaluarën, pasi disa bombardime patën shkaktuar dëme në sistemet e instalimeve, por nuk kanë rezultuar me ndonjë rrjedhje të rrezatimit.
Pas sulmeve, është pezulluar puna në të gjashtë reaktorët.
SHIKONI EDHE: Putin, Grossit: Moska është e hapur për të diskutuar rreth centralit në ZaporizhjaLufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.