Gjatë vitit 2022, familjet në Kosovë kanë shpenzuar mesatarisht nga mbi 8.100 euro për produkte ushqimore, arsim, shëndetësi, transport e shërbime të tjera.
Të dhënat e publikuara në fund të shtatorit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se pjesa më e madhe e buxhetit familjar ndahet për blerjen e artikujve ushqimorë.
Vitin e kaluar, familjet kosovare kanë shpenzuar, mesatarisht, rreth 300 për qind më shumë para për ushqim sesa për banim.
Të dhënat tregojnë se lloji i artikujve ushqimorë që blihet - si drithëra, mish, vaj, etj. - nuk ka ndryshuar shumë ndër vite.
Por, inflacioni dhe rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë kanë bërë që, për herë të parë që nga së paku viti 2003, të shpenzohet më shumë se 50 për qind e buxhetit për blerje të artikujve ushqimorë.
Prej të gjithave kategorive të specifikuara në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më së paku para janë shpenzuar për arsim.
Në shifrën e ulët të shpenzimeve për arsim ndikon fakti që shkollimi publik në vend është falas. Kjo bën që të mos ketë dallime të mëdha në shpenzime në mes familjeve që jetojnë në zona rurale dhe atyre në zona urbane.
Por, një dallim në shpenzime vërehet kur analizohet buxheti i familjeve sipas nivelit të arsimimit të kryefamiljarëve. Familjet, kryefamiljari i të cilave ka kryer arsim të lartë, shpenzojnë dukshëm më shumë para në ushqim.
Paga mesatare në Kosovë është 520 euro, ndërsa minimalja sillet nga 130 deri në 170 euro. Në gushtin e vitit 2022, inflacioni në Kosovë ka qenë 13 për qind, ndërsa gushtin e kaluar ishte 3.2 për qind.