Rritja e gurëve: Brenda shpellës mijëravjeçare

Shpella e Gadimes me kanalet e saj është e lokalizuar në "Sukën e Mërturit”, ndërsa hyrja ndodhet në pjesën e poshtme të grykës së lumit Klysura në lartësi mbidetare prej 580 metrash.

Për shkak të vlerave të mëdha, kristaleve, dukurive shpellore interesante dhe pozitës së përshtatshme shpella ishte hapur për vizitorë në vitin 1976.

Shpella e Gadimes paraqet fenomen karstik unik jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Është e zhvilluar nga gurët gëlqerorë me moshë paleozoike të mermerizuar me dimensione të vogla hapësinore e të ndërfutur në shkëmbinjtë e fletëzuar (rreshpet).

Kjo pamje më afër tregon Hartën e Kosovës - formë kjo e krijuar natyrshëm nga gurët dhe kristalet brenda shpellës.
Kanalet, galeritë dhe boshllëqet e kësaj shpelle janë krijuar në mermer paleozoiku, çka e bëjnë këtë shpellë të rrallë dhe të veçantë dhe me përmasa botërore.
Një tjetër formë interesante e formuar nga gurët gëlqerorë është edhe Mjekra e Skënderbeut.
Tunelet e ndriçuara brenda Shpellës së Gadimes.
Stalaktidet dhe stalagmitet përbëjnë një pikë tjetër interesimi për vizitorët e Shpellës së Gadimes.
Këta dy gurë gëlqeror, stalaktid dhe stalagmit, njihen si Romeo e Xhulieta dhe gjenden në këndin e quajtur Kopshti i dashurisë.
Bazuar në rritjen e kristalit në një cm për 30.000 vjet, mund të themi se kjo shpellë është e vjetër 80.000 vjet.
Një nga korridoret e shpellës ku gurët kanë ngjyra të ndryshme.
Në aspekt hidrologjik, Shpella e Gadimes është e pasur edhe me ujëra nëntokësore. Brenda shpellës është një liqe, i njohur si Liqeni i Fortunës, ku vizitorët hedhin para për realizimin e dëshirave. Ky liqe është i thellë rreth 15 metra dhe rreth dy metra i gjerë.
Një tjetër tunel në fillim të brendisë së Shpellës së Gadimes.
Pasuri e shpellës që e bën të veçantë është prezenca e aragoniteve, të cilat si stoli shpellore janë dukuri të rralla. Kristalet e këtyre stolive, në shpellë paraqiten në Galerinë e Aragoniteve që karakterizohen me forma dhe drejtime të ndryshme të shtrirjes duke e bërë shpellën posaçërisht interesante dhe tërheqëse.
Temperatura brenda shpellës gjatë verës është 13 gradë, e gjatë dimrit rreth 11 gradë.
Shpella është e gjatë më shumë se 1.200 metra, mirëpo për vizitorët janë të mundshme vetëm 800 metra, meqë pjesa tjetër është ende e pakalueshme.