Shumë nga bizneset në Kosovë, vazhdojnë t’i shmangen procesit të fiskalizimit apo vendosjes së arkave fiskale. Qëllimi i vendosjes së arkave fiskale (sipas vendimit nga vitit 2010) nga Administrata Tatimore e Kosovës, ishte evitimi i evazionit fiskal, pasi potenciali i këtij sistemi është që të regjistrojë të gjitha hyrjet dhe daljet (shitjet).
Ka 9 vjet që nga fillimi i këtij procesi dhe si rezultat, nga më shumë se 160 mijë biznese që janë të regjistruara në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, deri më tash Administrata Tatimore e Kosovës ka fiskalizuar mbi 30 mijë biznese.
SHIKONI EDHE: Shmangia nga tatimi përmes kuponëve të rrejshëmValentina Bytyçi-Sefa, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i përgjithshëm i bizneseve të fiskalizuara në nivel vendi, është më shumë se 30 mijë biznese me 40 mijë pajisje fiskale. Kurse, vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë fiskalizuar 438 biznese me rreth 630 pajisje fiskale.
Ky proces, shpjegon Bytyçi- Sefa, është i përhershëm dhe nuk dihet numri i saktë i bizneseve të pafiskalizuara.
“Procesi i fiskalizimit është proces permanent, i cili ndërlidhet me paraqitjen e bizneseve të reja në treg (regjistrimin e tyre), si dhe daljen nga tregu të atyre ekzistueseve (ndërprerjen e veprimtarisë apo heqjen dorë nga mënyra e shitjes me para të gatshme). Prandaj, nuk mund të bëjmë ndonjë grupim se sa është numri i bizneseve të pafiskalizuara, sigurisht që mund të ketë biznese, të cilat nuk e kanë kryer këtë obligim, mirëpo iu sigurojmë se nuk ka mundësi që nuk është ndëshkuar me gjoba për shkeljen e bërë”, thotë Bytyqi-Sefa.
SHIKONI EDHE: Miliona euro evazion fiskal në veriNë anën tjetër, përfaqësues të bizneseve në Kosovë konsiderojnë se numri i bizneseve të fiskalizuara është jashtëzakonisht i vogël në krahasim me bizneset aktive në Kosovë.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se procesi i fiskalizimit në tre vjetët e fundit ka ngecur pothuajse në çdo aspekt. Mosfiskalizimi i bizneseve, sipas Shahinit, rrit ekonominë joformale dhe krijon pabarazi në treg.
“Mendoj se Administrata Tatimore e Kosovës dhe Ministria e Financave e kanë lënë anash këtë proces dhe fiskalizimi nuk mund të vazhdojë nëse nuk shtyhet nga institucionet, të cilat janë të thirrura ta luftojnë ekonominë informale dhe pabarazinë në treg”, vlerëson Shahini.
SHIKONI EDHE: Bizneset iu shmangen obligimeve tatimorePor, Valentina Bytyçi-Sefa, thotë se bizneset që nuk pajisen me arka fiskale, gjobiten nga inspektorët në terren, veprimet e të cilëve janë shtuar kohëve të fundit. Në rast se bizneset nuk i binden kërkesës për pajise elektronike fiskale, sipas ligjit në fuqi, vlera e gjobës fillon nga 120 deri në 1000 euro. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, Administrata ka gjobitur bizneset me më shumë se 43 mijë euro.
“Në kuadër të aktiviteteve dhe vizitave të përditshme të inspektorëve në terren, bazuar në planet e veprimit dhe planin e trajtimit të rreziqeve, ATK-ja paralajmëron me kohë bizneset për obligimin që kanë të fiskalizohen sipas Ligjit për Administratën dhe Procedurat. Përgjatë periudhës janar-mars 2019, numri i aktiviteteve të zhvilluara për arka fiskale dhe moslëshim të kuponit fiskal është 528, ndërsa si rezultat i konstatimeve janë lëshuar 227 gjoba dhe vlera e tyre është 43,500 euro”, bën të ditur ajo.
Zyrtarë qeveritarë në vazhdimësi kishin paralajmëruar luftë të pakompromis kundër ekonomisë joligjore. Ata kishin deklaruar se si pasojë e ekonomisë joligjore, janë miliona euro në vit, të cilat nuk arkëtohen në arkën e shtetit.