Ndërlidhjet

Shmangia nga tatimi përmes kuponëve të rrejshëm


Ilustrim
Ilustrim

Shmangia e lëshimit të kuponëve fiskalë, u mundëson bizneseve që t’u ikin obligimeve tatimore, duke krijuar evazioni fiskal, krim të organizuar dhe dëmtim të buxhetit të Kosovës.

Procesi i fiskalizimit të bizneseve në Kosovë ka filluar qysh në vitin 2010. Por, ky proces nuk është përmbyllur me vendosjen e një rregulli që vlen për të gjithë njësoj, ngase ende paraqiten biznese që nuk përfillin fiskalizimin.

Këta janë disa kuponë jofiskal që lëshojnë disa nga bizneset në Kosovë.

Kupon i rrejshëm fiskal
Kupon i rrejshëm fiskal

​Shtypësit jofiskalë që përdorin disa biznese në Kosovë, nuk janë të lidhura me sistemin e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe rrjedhimisht të gjitha blerjet që bëhen në këto biznese (dyqane, restorante etj) nga konsumatorët me para të gatshme, nuk regjistrohen.

Zëvendësdrejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Hamdi Hoxha, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se numri i bizneseve të fiskalizuara ka shënuar rritje nga viti në vit, por ende ka biznese, të cilat nuk janë fiskalizuar.

“Të dhënat e fundit tregojnë se 27 mijë 699 biznese tatimpagues janë të fiskalizuar, ndërsa numri i pajisjeve fiskale të vendosur te këta tatimpagues është mbi 37 mijë. Vetëm gjatë këtij viti numri i bizneseve të reja të fiskalizuara është 108, kurse numri i pajisjeve elektronike fiskale të instaluara është 3106”.

“Të dhënat tregojnë se kemi arritur të kemi rritje të fiskalizimit të bizneseve pasi që në periudhën janar - tetor të këtij viti, kemi inkasuar mbi 30 milionë euro më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit 2017”, thotë Hoxha.

Administrata Tatimore e Kosovës, shton Hoxha ka synim që të avancojë procesin e fiskalizimit dhe të mos lejojë asnjë mundësi të manipulimit, qoftë përmes serverëve të caktuar apo arkave fiskale.

Aksione të inspektimit të bizneseve merren në vazhdimësi, shton Hoxha, dhe sipas tij, ka biznese të cilat janë gjobitur për mospërdorim të arkës fiskale dhe përdorimit të printerëve jofiskalë.

“Çdo herë kur është hasur që biznese të caktuara kanë përdorur pajisje elektronike jofiskale, të njëjta janë konfiskuar. Të gjitha këto raste i kemi proceduar në procedurë të caktuar penale, në mënyrë që të ndëshkohen të gjithë ata tatimpagues, të cilët nuk e respektojnë ligjin sa i përket fiskalizimit”, thotë Hoxha.

Në raportet vendore dhe ndërkombëtare në vazhdimësi theksohet se ekonomia në Kosovë është më shumë se 30 për qind të bruto produktit vendor, që përkthyer në shifra është rreth 1.8 miliard euro në vit.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se në mungesë të fiskalzimit të të gjithave bizneseve, në treg është krijuar konkurrencë e padrejtë.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë ka biznese, të cilat kanë arkë fiskale, por që edhe arka tjera, të cilat nuk janë të lidhura me sistemin në ATK.

“Bizneset që nuk kanë arkë fiskale përfitojnë 18 për qind më shumë krahasuar me ato që janë të pajisura me arkë fiskale”, thekson Shahini.

Nga mungesa e fiskalizimit të bizneseve dhe kontrabandës, shton Shahini, shteti nuk po arrin të arkëtojë për buxhetin e vendit mjete të shumta financiare.

“Mosfiskalizimi dhe kontrabanda në vend, bënë që shteti i Kosovës të humbë më shumë se 1 miliard euro në vit dhe kjo humbje është në rritje. Nëse këtë mjete do të inkasoheshin nga shteti, atëherë do të mund të planifikoheshin për investime në autostradë, në arsim e shëndetësi, pa huazuar mjete nga mekanizmat financiarë”, thotë Shahini.

Me qëllim të luftimit të evazionit fiskal në vitin 2015 pati hyrë në fuqi një udhëzim administrativ, i cili parashihte që për të gjithë konsumatorët, të cilët grumbullojnë kuponët fiskalë dhe si të tillë i dërgojnë në ATK, do të aplikohet rimbursimi i vlerës së tatueshme të të gjithë kuponëve fiskalë në muajin pasues të çdo tremujori.

Ky proces, sipas ATK-së ka ndihmuar në fiskalizimin e bizneseve dhe si i tillë është duke vazhduar, por në mënyrë të modifikuar.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG