Drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut thonë se insistimi i tyre për marrjen sa më shpejt të datës për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian, ka për qëllim evitimin e pengesave tjera që mund të dalin nëse ky proces nuk fillon të paktën brenda këtij viti.
Përveç Gjermanisë, e cila ka premtuar se në shtator do të miratojë vendimin për të lejuar nisjen e bisedimeve, është edhe Holanda, por ndoshta edhe ndonjë vend tjetër që mund të hezitojë në dhënien e pëlqimit.
Institucionet nuk përjashtojnë as rrezikun nga Greqia duke marrë parasysh paralajmërimet mbi ndërrimin e mundshëm të pushtetit në Athinë pas zgjedhjeve që do të mbahen në korrik në këtë vend.
"Tani atje në pushtet është partia Syriza e kryeministrit, Alexis Tsipras i cili ka nënshkruar marrëveshjen e emrit me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev, por ardhja në pushtet e Demokracisë së Re së Kyriakos Mitsotakis, kundërshtare e fuqishme e marrëveshjes, mund të ndryshojë raportet mes dy vendeve duke kushtëzuar nisjen e bisedimeve, jo me prishjen e marrëveshjes, por me arsyetime të mospërmbushjes së kritereve tjera".
“Është fakt se kur ndryshohen qeveritë apo rrethanat politike, këtë duhet ta merrni parasysh andaj edhe jemi në garë me kohën, shpejtojmë për të arritur synimin”, ka deklaruar Radmilla Sheqerinska, zëvendëskryeministre dhe zyrtare e lartë e partisë Social-demokrate të kryeministrit, Zoran Zaev.
SHIKONI EDHE: Zaev: Mosmarrja e datës ka shumë pasojaPor, ajo beson se nuk do të ishte në interes të Greqisë që të bllokojë vendin në procesin e integrimit evropian, tani në kohën kur dy vendet presin rezultate nga marrëveshja e arritur.
“Marrëveshja e Prespës është bërë në atë mënyrë që edhe në interes të Greqisë është që ne sa më shpejtë të hapim negociatat, pasi pikërisht me fillimin e bisedimeve për kapitujt nis edhe zbatimi i emrit të ri nëpër dokumente, me një periudhë kalimtare prej 5 viteve. Pra, nëse nuk nisin negociatat disa çështje edhe mund të zvarriten. Kjo neve nuk na konvenon, por besoj se edhe Greqisë nuk i konvenon”, ka theksuar Sheqerinska.
Njohësit e çështjeve politike ndërkohë nuk presin që Greqia apo edhe qeveria e re atje që do të dal nga zgjedhjet e korrikut t’i rikthehet marrëveshjes apo ta përdor atë si instrument për të penguar procesin integrues të Maqedonisë së Veriut.
Por, Marko Trashanovski nga Instituti për Demokraci, thotë se institucionet më tepër duhet të merren me reformat sesa nëse dikush do të bllokojë datën e bisedimeve.
“Për ne është me rëndësi që të përqendrohemi tek reformat apo përmbushja e të gjitha kritereve që dalin si detyrime nga procesi i integrimit evropian. Pra, ne nuk duhet t'i lëmë askujt hapësirë që të gjejë pika të dobëta për të kontestuar procesin. Kemi ende punë për të bërë si në gjyqësor për çështjen e Prokurorisë Speciale, por edhe të tregojmë rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thotë Trashanovski.
SHIKONI EDHE: BE-ja do të shtyjë nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e V.Maqedonia e Veriut sipas vlerësimeve të deritanishme, datën e çeljes së bisedimeve nuk do ta merr këtë verë, por ajo është lënë për në vjeshtë. Këtë e ka paralajmëruar edhe kryeministri Zoran Zaev pas takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel, javën e kaluar në Berlin.