Sa serioze është shkelja e marrëveshjes bërthamore të Iranit?

Zëdhënësi i Organizatës për Energji Atomike të Iranit, Behruz Kamalvandi tha se vendi i tij do të rrisë prodhimin e uraniumit.

Irani tha më 17 qershor se do të zvogëlojë të vepruarit në pajtim me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, me të cilën reduktoi ndjeshëm aktivitetet e tij bërthamore, në këmbim të lehtësimit nga sanksionet ekonomike.

Njoftimi pasoi një paralajmërim të presidentit Hassan Rohani, në muajin maj, i cili tha se Teherani do t’i zvogëlojë angazhimet e tij me marrëveshjen bërthamore, nëse vendet e mbetura në marrëveshje: Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina, nuk e ndihmojnë Iranin të përfitojë ekonomikisht.

Shtetet e Bashkuara, të cilat fillimisht e nënshkruan marrëveshjen, u tërhoqën prej saj në maj të vitit 2018.

Rohani njoftoi se Irani do të pasurojë uranium përtej kufijve që parasheh marrëveshja në përvjetorin e parë të daljes së Uashingtonit nga marrëveshja, të cilën presidenti amerikan, Donald Trump, e ka cilësuar si “më të keqen ndonjëherë”.

Ishte po ashtu e njëjta ditë kur Shtetet e Bashkuara rivendosën sanksione të ashpra kundër Iranit, të cilat vunë një barrë të rëndë mbi ekonominë e tij.

Me çfarë saktësisht kërcënon Irani?

Zëdhënësi i Organizatës për Energji Atomike të Iranit tha javën e kaluar se Teherani do të tejkalojë kufirin e uraniumit të pasuruar, të vënë në marrëveshjen bërthamore.

"E kemi rritur tashmë prodhimin tonë [të uraniumit] në Natanz. Prej sot, numërimi mbrapsht ka filluar dhe deri më 27 qershor, prodhimi ynë i uraniumit [të pasuruar] do të tejkalojë [kufirin prej] 300 kilogramësh”, tha Behruz Kamalvandi, në një konferencë për media më 17 qershor.

Iran: Dy teknikë duke punuar në një ndërtesë ku prodhohet uraniumi për reaktorët bërthamor. Foto nga arkivi.

Nëse zbatohet, ky veprim do ta shkelë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, e cila i kufizon rezervat e Iranit me uranium të pasuruar në 300 kg heksaflorid të uraniumit të pasuruar në 3.67 për qind, për 15 vjet.

Por, ekspertët thonë se shkelja nuk do të përbënte rrezik të menjëhershëm të përhapjes bërthamore.

"Nëse Irani e shkel kufirin prej 300 kg me uranium të pasuruar, kjo është një shqetësim, por jo një rrezik afatshkurtër për përhapjen bërthamore", tha në Twitter Kelsey Davenport, drejtore për Politikën e Mospërhapjes në Shoqatën e Kontrollit të Armëve.

"Por, shkelja rrezikon një përshkallëzim të veprimeve hakmarrëse, që mund të krijojnë krizë të re bërthamore ose të çojnë në konflikt", shtoi ajo.

"Nëse e kalojnë kufirin me vetëm disa mijëra kilogramë, atëherë është e parëndësishme", tha Gary Samore, profesor në Universitetin Brandeis, për gazetën Wall Street Journal.

"Por, nëse ata shkojnë shumë më tepër dhe instalojnë mijëra centrifuga shtesë, kjo do ta zvogëlonte kohën që Iranit do t’i duhej për të prodhuar material të mjaftueshëm për një armë bërthamore", shtoi Samore, i cili ka mbikëqyrur përpjekjet për kontrollimin e armëve kur Shtëpia e Bardhë është udhëhequr nga presidenti Barack Obama.

Cilat janë reagimet zyrtare ndaj njoftimit të Iranit?

“Irani do të shpërfillë limitet e rezervave të uraniumit", shkroi presidenti Trump në Twitter.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus, tha se Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje iranianëve që “të mos pajisen me armë bërthamore dhe t’i respektojnë zotimet që ia kanë bërë bashkësisë ndërkombëtare".

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se njoftimi i Iranit është për keqardhje dhe se Franca "e inkurajon fuqishëm Iranin për të mbajtur një qëndrim të durueshëm dhe të përgjegjshëm".

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, tha se është "detyrë e Iranit që të mbetet i angazhuar ndaj përgjegjësive të tij".

Dhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se blloku është i përqendruar në mbajtjen gjallë të marrëveshjes.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, një kritik i madh i marrëveshjes së Iranit, u kërkoi fuqive botërore të rivendosin menjëherë sanksionet, nëse Irani e shkel marrëveshjen bërthamore.

“Izraeli nuk do ta lejojë Iranin të krijojë armë bërthamore", paralajmëroi ai.

Rusia dhe Kina e kanë mbështetur vazhdimin e marrëveshjes në çdo rrethanë, ndërsa i kanë kritikuar Shtetet e Bashkuara për ushtrim të presionit ndaj Iranit, “duke rrezikuar kështu marrëveshjen”.

A është ky fundi i marrëveshjes bërthamore?

Pavarësisht tërheqjes së SHBA-së, Irani ka mbetur i angazhuar ndaj marrëveshjes bërthamore, ka vlerësuar Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike, e cila i inspekton lokacionet bërthamore të Iranit dhe nxjerr raporte tremujore mbi pajtueshmërinë e tij.

Teherani u ka bërë thirrje vendeve të BE-së që ta ndihmojnë në ruajtjen e marrëveshjes, duke i lejuar Iranit të anashkalojë sanksionet e Uashingtonit, që i ky i fundit i ka rikthyer pasi është tërhequr nga marrëveshja.

SHIKONI EDHE: SHBA i vë sanksione të reja Iranit, Teherani kërcënon

Dështimi për ta bërë këtë mund të çojë në shpërbërjen e marrëveshjes, ka paralajmëruar Irani.

Rohani ka thënë në muajin maj se pesë nënshkruesit e mbetur të marrëveshjes kanë kohë deri në 7 korrik për të ringjallur marrëveshjen – në të kundërtën, ka thënë ai, Irani do të fillojë pasurimin e uraniumit përtej kufirit të dakorduar prej 3.67%.

SHIKONI EDHE: Irani kërcënon me rritjen e aktivitetit bërthamor

Në të njëjtën kohë, Rohani ka thënë se nëse interesat ekonomike të Iranit mbrohen, Teherani do t’i rifillojë angazhimet e tij sipas marrëveshjes.

Teherani po ashtu ka thënë se zëvendësministrat e Jashtëm dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë nga Irani, Kina, Gjermania, Franca, Britania dhe Rusia do të takohen në Vjenë më 28 qershor, për atë që mund të jetë një përpjekje e fundit diplomatike për të shpëtuar marrëveshjen.

Përgatiti: Valona Tela