Ndërlidhjet

SHBA i vë sanksione të reja Iranit, Teherani kërcënon


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo

Shtetet e Bashkuara shpallën sanksione të reja ndaj industrisë metalike të Iranit, pasi ky i fundit tha se i pezullon disa angazhime me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Shtëpia e Bardhë tha se sanksionet e reja godasin sektorët e çelikut, aluminit, bakrit dhe hekurit, që janë burime kryesore të të ardhurave në Iran.

Paraprakisht, Irani tha se nuk do ta shesë uraniumin e pasuruar dhe ujin e rëndë në vende të tjera, siç përcaktohet me marrëveshjen bërthamore midis Teheranit dhe gjashtë fuqive botërore.

Ai po ashtu kërcënoi se do të pasurojë uranium më pranë niveleve të armëve brenda 60 ditësh, nëse fuqitë botërore dështojnë të negociojnë kushte të reja.

Këto zhvillime vijnë në përvjetorin e vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja e vitit 2015, e cila kishte për qëllim reduktimin e programit bërthamor të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve kundër tij.

Britania, Franca dhe Gjermania - palët e Evropës perëndimore në paktin bërthamor - i kritikuan hapat e Iranit dhe e paralajmëruan atë që të mos e braktisë marrëveshjen.

Rusia, një tjetër nënshkruese e marrëveshjes, tha se Uashingtoni është përgjegjës për vendimin e Iranit.

Përmes një deklarate, Trump tha se sanksionet e reja “godasin të ardhurat e Iranit nga eksporti i metaleve industriale dhe i paralajmërojnë vendet e tjera se çeliku dhe metalet e tjera të Iranit nuk do të tolerohen në portet e tyre”.

Uashingtoni tashmë ka kufizuar eksportet e naftës së Iranit, që janë burimi më i madh i të ardhuruave në këtë vend.

"Teherani mund të presë veprime të tjera nëse nuk e ndryshon rrënjësisht sjelljen e tij", tha Trump, duke shtuar se ai është i hapur për bisedime.

"Pres që një ditë të takoj udhëheqësit e Iranit për të hartuar një marrëveshje dhe, çfarë është më e rëndësishmja, të ndërmarrin hapa për t'i dhënë Iranit të ardhmen që e meriton", tha presidenti amerikan.

Expose: Armiq të përbetuar

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Uashingtoni do të presë dhe të shohë nëse Teherani i realizon kërcënimet e tij, përpara se të ndërmarrë ndonjë hap tjetër.

Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, tha se kërcënimi i Iranit për të rinisur pasurimin e uraniumit është një “hap i padëshirueshëm” dhe i bëri thirrje Republikës Islamike që të mos ndërmarrë hapa përshkallëzues.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, shprehu shqetësim nga kërcënimi i Iranit dhe tha se "duhet të shmangen të gjithë hapat që mund të rrezikojnë stabilitetin dhe sigurinë rajonale".

Ministrja e Mbrojtjes e Francës, Florence Parly, tha se evropianët duan ta mbajnë gjallë marrëveshjen bërthamore.

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Iranin si “financues të terrorizmit” në rajon.

Vendimi i Iranit për të ndaluar zbatimin e angazhimeve kyçe me marrëveshjen bërthamore, e zhyt Lindjen e Mesme në paparashikueshmëri të rrezikshme, ka shkruar gazeta Financial Times.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG