Maas: Idetë për ndryshim kufijsh janë joreale dhe të rrezikshme

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas ka thënë të enjten në Prishtinë se idetë, të cilat kanë qarkulluar së fundmi rreth ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, përveç që janë joreale, janë edhe të rrezikshme.

“E konsiderojmë të rrezikshëm edhe vetëm diskutimin që bëhet për këtë çështje”, ka thënë Maas pas takimit të zhvilluar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai ka thënë se dëshiron që ideja e fundit në këtë drejtim të futet shpejt në sirtar dhe të jetë pjesë e së kaluarës.

Sa i përket raportimeve se kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha i ka dorëzuar Brukselit zyrtar, një non-paper, në të cilën besohet të jetë thënë se procesi i dezintegrimit të ish-Jugosllavisë nuk është finalizuar, Maas ka thënë se nuk është në di për projekte të tilla.

“Nuk e di nëse ka projekte të tilla. Fakti që është folur për non-paper, është termi i duhur. Duhet të mbetet ashtu. Sa i përket ideve për ndryshime të kufijve, Qeveria gjermane i refuzon fuqishëm ato sepse një zgjidhje e tillë nuk çon në zgjidhje të problemeve”, ka thënë ai.

SHIKONI EDHE: Jansha refuzon të komentojë dokumentin ‘non-paper’ për Ballkanin Perëndimor

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në anën tjetër, ka thënë se pas qarkullimit të këtyre raportimeve, ka kontaktuar autoritetet sllovene, të cilat i kanë thënë se një lajm i tillë nuk është i vërtetë.

“E kemi ritheksuar dhe e ritheksojmë se ide të tilla janë të rrezikshme për rajonin dhe përtej rajonit”, ka deklaruar ajo.

Osmani: Dialogu ka nevojë për rinisje

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Maas ka thënë se Gjermania ka ofruar vazhdimisht mbështetjen e pakusht për dialogun në mes të këtyre vendeve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Maas ka thënë se njohja e shtetësisë së Kosovës do të jetë një nga elementet e marrëveshjes.

“Në dialogjet për normalizim të marrëdhënieve, është normale nga të dyja anët të ketë kompromise dhe unë nuk dua të tërheq linja të kuqe, mirëpo në anën tjetër e di që për shkak të linjave historike kjo gjë ësht e vështirë. Unë dëshiroj që në fund të procesit të gjejmë zgjidhje dhe të ketë gatishmëri nga të dyja palët që të gjejnë rrugë për kompromise”, ka deklaruar Maas.

Lidhur me këtë çështje, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nevojë për rinisje dhe jo vazhdimësi.

“Republika e Kosovës ka ofruar dorën e bashkëpunimit dhe pse për fat të keq Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se autoritetet e Kosovës do të rrisin zërin që të arrihet drejtësi për secilën viktimë të luftës.

SHIKONI EDHE: Do të evitojmë kompromiset në dialogun me Serbinë, thotë Qeveria e Kosovës

Sipas Osmanit, Kosova do të zhvillojë dialog me Serbinë me parime të qarta.

Maas ka thënë se ka dëgjuar parimet e palës së Kosovës në këtë proces dhe se ato do t’ia përcjellë përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në dialog, Mirosllav Lajak.

'BE-ja ta mbajë premtimin për vizat'

Përgjatë konferencës për media, presidentja Osmani ka thënë se ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, pasi ka konsideruar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara, andaj po mbahet padrejtësisht e izoluar.

Maas është pajtuar me Osmanin se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet dhe ka thënë se Gjermania do të angazhohet në këtë drejtim.

“Bashkimi Evropian duhet ta mbajë premtimin që ka dhënë”, ka thënë mes tjerash ai.

Ndihma për vaksinim

Të dy zyrtarët kanë thënë se kanë diskutuar edhe për rëndësinë e menaxhimit të pandemisë së koronavirusit.

Maas ka thënë se me rritjen e prodhimit të vaksinave, Gjermania do t’i ndihmojë Kosovës që të vaksinojë popullsinë e vet dhe të tejkalojë me sukses pandeminë.

Ai ka përmendur se Bashkimi Evropian ka ndarë 12 miliardë euro ndihmë për Ballkanin Perëndimor, për të tejkaluar pasojat e pandemisë.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24,000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Ky vend është thënë se do të pranojë edhe 76,800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit.

Pas Kosovës, Maas të premten viziton edhe Serbinë.

Para nisjes së takimit në Prishtinë, Maas ka thënë se lufta kundër koronavirusit është temë e takimeve të tij në Prishtinë dhe Beograd.

"Askush në Evropë nuk mbetet i paprekur nga suksesi dhe dështimi i fqinjëve të saj. Fakti që tani mund të ndajmë progresin e vaksinimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është një moment kyç në luftën kundër virusit. Prandaj jam sot dhe nesër në Prishtinë dhe Beograd", ka thënë ai në një postim në rrjetin social Twitter.