Ndërlidhjet

Do të evitojmë kompromiset në dialogun me Serbinë, thotë Qeveria e Kosovës


Qeveria e Kosovës. Foto nga arkivi.
Qeveria e Kosovës. Foto nga arkivi.

Qeveria e Kosovës thotë se do të punojë në evitimin e kompromiseve që mund të paraqiten në procesin e dialogut me Serbinë për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

Ky reagim i qeverisë vjen një ditë pas letrës së e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i cili thotë se për normalizimin e raporteve me Serbinë, drejt një marrëveshjeje përfundimtare, kërkohet fleksibilitet dhe kompromise të vështira.

“Qeveritë e kaluara kanë krijuar një percepcion që Kosovë është e gatshme për kompromise tjera, pas atyre të pakos së Ahtisarit. Kjo qasje ka dëmtuar marrëdhëniet tona, sidomos me partnerët tanë strategjikë. Ne do të punojmë që të argumentojmë të drejtat tona sovrane. Këtë do ta bëjmë duke ruajtur këtë partneritet. Dëmin e shkaktuar nga qeveritë e kaluara duhet ta zhbëjmë pa shkaktuar dëm të ri”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

Të martën, partitë opozitare - Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës - u shprehen kundër kompromiseve në dialogun me Serbinë duke argumentuar se Kosova ka bërë kompromis me pakon e Ahtisarit.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje përmes shefes së Grupit Parlamentar Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se qeveria është ajo që e udhëheq dialogun, por për këtë proces duhet të ketë një unitet brenda spektrit politik të Kosovës.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011 me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.

Gjatë dhjetë vjetëve të dialogut Kosovë-Serbi, besohet se janë arritur mbi 30 marrëveshje, ndonëse autoritetet në Prishtinë dhe në Beogradi, flasin me shifra të ndryshme për këto marrëveshje.

Në mesin e marrëveshjeve të arritura është edhe ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për formimin e së cilës, tashmë ekziston kontesti ndërmjet vetë palëve që e kanë arritur atë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG