Pas takimit me Kurtin, shefi i CIA-s përmbyll vizitën në Kosovë

Shefi i CIA-s, William Burns, shihet duke u larguar nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. 23 gusht 2024.

Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, përmbylli vizitën e tij dyditore në Kosovë, pas takimeve që zhvilloi në Prishtinë me krerët shtetërorë dhe udhëheqësin e inteligjencës kosovare.

Mëngjesin e 23 gushtit, për rreth një orë ai mbajti takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Pas këtij takimi, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar, avioni i ushtrisë amerikane, me të cilin po udhëton Burns, është larguar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, "Adem Jashari".

Qeveria e Kosovës e vlerësoi vizitën e shefit të CIA-s në Prishtinë si “moment të rëndësishëm historik” në raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së .

“Ajo [vizita] është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, u tha në njoftimin e ekzekutivit kosovar, të publikuar në rrjetet sociale.

Institucionet e sigurisë, inteligjencës dhe Qeveria e Kosovës u tha se janë të përkushtuara që të avancojnë bashkëpunimin me CIA-n.

“Kryeministri Kurti e falënderoi drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët”, u tha në njoftim.

Takimi mes Kurtit dhe Burnsit në Kosovë u zhvillua pasi kryeministri kosovar ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik, përcolli nga afër Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Një ditë më herët, Burns u takua në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.

Presidentja Osmani, më 23 gusht, konfirmoi takimin me kreun e CIA-s, William Burns.

“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garanci për siguri, paqe e sukses”, shkroi ajo në Facebook.

Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë pason vizitat që zyrtari kryesor i inteligjencës amerikane zhvilloi në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.

Sarajevë më 20 gusht, Burns u takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviq, Zhelko Komshiq dhe Zhelka Cvijanoviqit, anëtaren serbe të sanksionuar nga SHBA-ja.

SHIKONI EDHE: Shefi i CIA-s viziton Kosovën

Nga Qeveria amerikane i thanë Radios Evropa e Lirë se gjatë takimeve në Sarajevë "ata diskutuan për çështje me interes të përbashkët, të cilat përfshijnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës".

Gjatë vizitës, sipas zyrtarit amerikan, Burns diskutoi edhe për retorikën secesioniste dhe veprimet e Millorad Dodikut, presidentit prorus të entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska.

Një ditë më vonë, Dodik deklaroi se “nuk e kam kundërshtuar kurrë” sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit, ndërkaq shkëputja “nuk ka qenë kurrë politikë e jona”.

Sa i përket vizitës në Beograd, nuk dihet se me kë është takuar Burns.

SHIKONI EDHE: Vizita e shefit të CIA-s në Bosnje dhe Serbi, “përgjigje ndaj Kremlinit dhe aspiratave secesioniste”

Vizita e Burnsit në Kosovë pasoi deklaratat e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

SHBA-ja dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian e kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.

Your browser doesn’t support HTML5

Ambasadori amerikan thotë se partneriteti me Kosovën "jo ai që do të shpresonim"

Ndërkaq, Departamenti amerikan i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë Kurti që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, teksa Uashingtoni po ashtu po kërkon që institucionet e Kosovës të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

Ndryshe, mesditën e 22 gushtit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari", gazetarët e Radios Evropa e Lirë panë një avion të ushtrisë amerikane të ndalur në zonën "VIP" të aeroportit.

Avioni i ushtrisë amerikane në Aeroportin e Prishtinës më 22 gusht.

Me këtë avion, besohet se Burns ka udhëtuar edhe në vende të tjera të rajonit. Ndërkaq, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar, ky aeroplan fluturoi më 22 gusht nga Beogradi drejt Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe në fund Kosovës.

Burns është ish-ambasador i SHBA-së në Rusi. Ai është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.

Ai u emërua nga presidenti Biden në postin e drejtorit të CIA-s në janar të vitit 2021.