Ndërlidhjet

Shefi i CIA-s viziton Kosovën


Shefi i CIA-s, William Burns, duke hyrë në objektin e Presidencës së Kosovës. 22 gusht 2024
Shefi i CIA-s, William Burns, duke hyrë në objektin e Presidencës së Kosovës. 22 gusht 2024

Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, është duke qëndruar për një vizitë në Kosovë më 22 gusht.

Burns u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në kryeqytet. Në atë takim ishte i pranishëm edhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, merr vesh Radio Evropa e Lirë (REL).

Askush nga palët nuk është deklaruar rreth këtij takimi deri tani.

Ndërkohë, të enjen më vonë forca të shtuara të Policisë së Kosovës janë parë pranë ndërtesës së AKI-së në Fushë Kosovë.

Tani për tani nuk dihet nëse Burns do ta takojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Gjatë kësaj jave Kurti ka qëndruar në Çikago të Shteteve të Bashkuar, ku mori pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike, me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik.

Derisa vizita e tij në Prishtinë dhe Beograd nuk u konfirmua zyrtarisht, një zyrtar i Qeverisë amerikane konfirmoi për REL-in për mbërritjen e Burnsit në Sarajevë në fillim të kësaj jave.

Në Sarajevë ai u takua me homologët e tij nga sektori i inteligjencës, me anëtarët e Presidencës së këtij shteti dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës, ku diskutoi edhe për retorikën secesioniste dhe veprimet e Millorad Dodikut, presidentit prorus të entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, tha zyrtari amerikan.

Vizita e Burnsit në Kosovë vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

SHBA-ja dhe vendet e tjera të BE-së e kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.

Departamenti amerikan i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë Kurti që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, teksa Uashingtoni po ashtu po kërkon që institucionet e Kosovës të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

Vizita e shefit të CIA-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për ish-komandantin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, mund të jetë për shkak se “Rusia po bën një luftë hibride në Ballkanin Perëndimor”.

Kastrati: Vizita e shefit të CIA-s në rajon synon të ndalë përpjekjet e Rusisë për një konflikt të mundshëm
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:39 0:00

“Rreziku më i madh i konfliktit është në Bosnje dhe Hercegovinë, përmes Republikës Sërpska, dhe në veri të Kosovës. Vizita e zyrtarëve të lartë në këtë rajon tregon se ata kanë informacione të mjaftueshme për përpjekjet ruse - përmes satelitit të saj, Serbisë - se kjo pjesë e Evropës është në rrezik të një konflikti të mundshëm... dhe është e sigurt që kanë ardhur këtu për t’i dhënë rekomandimet e tyre”, tha Kastrati më 21 gusht.

Ambasada amerikane në Prishtinë, Presidenca e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk e kanë konfirmuar vizitën e Burns në Prishtinë.

Avioni i ushtrisë amerikane në Aeroportin e Prishtinës më 22 gusht 2024.
Avioni i ushtrisë amerikane në Aeroportin e Prishtinës më 22 gusht 2024.

Por, avioni i ushtrisë amerikane, me të cilin besohet se ka udhëtuar shefi i CIA-s në rajon, u pa mesditën e së enjtes në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari". Ekipi i Radios Evropa e Lirë e fotografoi aeroplanin e ushtrisë amerikane të ndalur para zonës “VIP” të Aeroportit.

Me këtë avion besohet se Burns ka udhëtuar nga Sarajeva në Beograd. Ndërkaq, më 22 gusht ky aeroplan udhëtoi nga Beogradi drejt Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe në fund Kosovës, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar.

Rruga që përshkroi avioni ushtarak amerikan nga Beogradi në Prishtinë më 22 gusht.
Rruga që përshkroi avioni ushtarak amerikan nga Beogradi në Prishtinë më 22 gusht.

Gazetarët e REL-it po ashtu kanë parë një autokolonë duke u larguar nga zona “VIP” e aeroportit “Adem Jashari” drejt Prishtinës.

Kjo autokolonë është përcjellë nga makina të Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës duke shoqëruar autokolonën nga Aeroporti i Prishtinës.
Policia e Kosovës duke shoqëruar autokolonën nga Aeroporti i Prishtinës.

Burns është ish-ambasador i SHBA-së në Rusi. Ai është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.

Ai u emërua nga presidenti Biden në postin e drejtorit të CIA-s në janar të vitit 2021.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG