SHBA-ja e shqetësuar nga raportimet për shitblerje të votave në Shqipëri

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Fotografi nga arkivi.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, shprehu shqetësim për raportimet për shitblerje vote, katër ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Kryediplomatja amerikane kërkoi që përballë këtyre raportimeve, autoritetet shqiptare të reagojnë.

“Të gjithë ata që kanë të drejtë vote, duhet të votojnë. Kemi parë raportime për blerje dhe shitje votash dhe shpresojmë që autoritetet do të bëjnë detyrën e tyre. Nëse disa po thonë se po blejnë vota për një parti politike, ndaj kësaj partie politike duhen ndërmarrë veprime”, tha ambasadorja Kim.

Këto deklarata të ambasadores Kim vijnë katër ditë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore dhe në të njëjtën dikur kur policia shqiptare njoftoi se ka arrestuar një person, dhe një tjetër është liruar në procedurë të rregullt, për shkak se ata po diskutonin për shitblerje votash për një subjekt politik.

Në videon e publikuar në media në Shqipëri, flitet për shuma deri në 15 mijë lekë (135 euro) për katër vota.

SHIKONI EDHE: Presidenti i Shqipërisë apelon për zgjedhje të lira dhe pa keqpërdorime

Shitblerja e votës është një nga problemet kryesore që është raportuar në çdo proces zgjedhor në Shqipëri. Edhe në raportin e ODIHR për zgjedhjet e fundit të zhvilluara në Shqipëri më 25 prill të vitit 2021, theksohet se “ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, pretendimet e besueshme të blerjes së votës ishin të pranishme gjatë dhe pas fushatës dhe hetimet filluan në një numër çështjesh. Pretendime të tilla nuk ishin të kufizuara në asnjë parti".

OSBE/ODIHR rekomandoi që agjencitë e zbatimit të ligjit të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e blerjes së votave.

Më 14 maj në Shqipëri votohet për të zgjedhur kryetarët e 61 bashkive dhe këshilltarët e rinj bashkiakë.