Biden e siguron Ukrainën për mbështetjen amerikane

Presidenti amerikan, Joe Biden gjatë bisedës telefonike me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka thënë homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy se Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht sovranitetin e Ukrainës, teksa ushtria ruse është grumbulluar në afërsi të kufirit ukrainas.

Biden ka “rikonfirmuar përkushtimin e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, tha Shtëpia e Bardhë më 9 dhjetor, pasi dy presidentët zhvilluan një bisedë telefonike, që zgjati rreth 90 minuta.

Presidenti Biden po ashtu “e bëri të qartë se SHBA-ja dhe aleatët e partnerët e saj janë të përkushtuar në parimin që nuk do të ndërmerren vendime dhe diskutime për Ukrainën pa përfshirjen e Ukrainës”, u tha në deklaratë.

Ai po ashtu ka ripërsëritur qëndrimin se SHBA-ja dhe aleatët e saj do të vendosin sanksione ekonomike ndaj Rusinë dhe do të rrisin ndihmën për Ukrainën, nëse Rusia pushton Ukrainën, tha Shtëpia e Bardhë.

SHIKONI EDHE: Çka qëndron pas tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës?

Biden po ashtu ka biseduar me liderët e nëntë shteteve në Evropën Lindore, që janë anëtare të NATO-s, me të cilët ka biseduar për grumbullimin e ushtrisë ruse në kufi me Ukrainën.

Në takimin virtual ndërmjet Bidenit dhe presidentit rus, Vladimir Putin më 7 dhjetor, dy liderët kishin diskutuar për situatën në Ukrainë.

Biden kishte paralajmëruar Moskën se mund të përballet me “sanksione të rënda ekonomike” nëse trupat ruse sulmojnë Ukrainën.

Rusia mohon se po planifikon që ta sulmojë Ukrainën dhe Moska po kërkon garanci kundër zgjerimit të NATO-s në lindje.