Shtetet e Bashkuara thonë se kanë vendosur që Ukrainën ta furnizojnë me “kapacitete të forcuara mbrojtëse” për ta ndihmuar “në zmbrapsjen e mëtejshme të agresionit”.
Konsiderohet se kjo është një lëvizje që e thellon involvimin amerikan, derisa Ukraina lufton kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia, në pjesën lindore të Ukrainës.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Heather Nauert, tha mbrëmë vonë në Uashington se ndihma ka për qëllim ta ndihmojë Ukrainën, e cila për një kohë të gjatë ky synuar t’i shtojë kapacitetet për “mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj dhe për ta zmbrapsur më tutje agresionin”.
Rusia e ka dënuar me të shpejtë këtë vendim, duke i akuzuar Shtetet e Bashkuara për nxitje të luftës e jo për veprim ndërmjetësues.
“Shtetet e Bashkuara qartas po i shtyjnë autoritetet e Ukrainës kah gjakderdhja e re”, tha të shtunën zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov duke shtuar se:
“Armatimi amerikan do të çojë në viktima të reja në fqinjin tonë”.
Në deklaratën amerikane nuk janë specifikuar llojet e armatimit, por rrjeti CNN dhe agjencia Associated Press, duke cituar zyrtarë të paemëruar amerikanë, kanë raportuar se në këto armatime përfshihen raketat antitank të tipit, Javelin.
Zëdhënësja Nauert tha se “ndihma e Shteteve të Bashkuara, për nga natyra, është tërësisht mbrojtëse dhe siç kemi thënë gjithmonë, Ukraina është vend sovran dhe ka të drejtë ta mbrojë vetveten”.
“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për Marrëveshjet e Minskut si mënyrë për ecje përpara në pjesën lindore të Ukrainës”, tha Nauert dhe shtoi se Departamenti i Shtetit nuk do të komentojë më tutje për situatën “në këtë kohë”.
Kjo shpallje u bë disa ditë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit tha se e ka miratuar një licencë për eksport për Ukrainën, që të blejë lloje të caktuara të armatimit të lehtë dhe të vogël nga prodhuesit amerikanë.
Me këtë licencë parashihet armatim, siç janë armët gjysmë-automatike dhe automatike të zjarrit, silenciatorë, pushkë të gjata, e të tjera.
Megjithatë, Departamenti i Shtetit nuk i ka dhënë rëndësi të madhe licencimit.
“Nën dy administrata paraprake, Qeveria e Shteteve të Bashkuara i kishte miratuar licencat eksportuese për Ukrainën, prandaj kjo nuk është asgjë e re”, ka thënë zëdhënësja Nauert.
Shitja e këtyre llojeve të armatimit në përgjithësi kërkon miratim nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara.
Mbetet e paqartë nëse administrata e ka njoftuar formalisht Kongresin. Por, konsiderohet se ligjvënësit nuk do të përpiqeshin për t’i bllokuar këto veprime, derisa furnizimi me armatim vdekjeprurës në Ukrainë ka mbështetje të fuqishme dypartiake.
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, aktualisht ka tërhequr vërejtjen se dhuna është shtuar për afro 60 për qindnë Ukrainë këtë vit, ndërsa Kievi ka kërkuar nga Uashingtoni furnizim me armatim më të rëndë, siç janë raketat Javelin, për forcimin e kapaciteteve të veta kundër separatistëve.
Rritja e mbështetjes për ushtrinë e Ukrainës u bë në periudhën e diskutimeve preliminare për mundësinë e dërgimit të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në rajon, për përmirësim të sigurisë së Ukrainës, dhe për monitorues specialë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), të cilët gjenden në terren në Ukrainë.
Mediet amerikane kanë raportuar më 22 dhjetor se presidenti amerikan, Doanld Trump, ishte i gatshëm për autorizim të shitjes së raketave, megjithëqë për këtë çështje nuk janë bërë komente në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka tërhequr vërejtjen kundër lëvizjes së Shteteve të Bashkuara për furnizim me armatim vdekjeprurës në Ukrainë, duke thënë se do të shkaktonte intensifikim të konfliktit dhe mund të ndikojë në separatistët që t’i zgjerojnë operacionet e tyre ushtarake.
Ukraina po zhvillon luftë kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia, të cilët i kanë nën kontroll pjesë të rajoneve, Donjeck dhe Luhansk, në pjesën lindore të këtij vendi. Gjatë kësaj lufte, prej prillit të vitit 2014, janë vrarë më se 10,300 njerëz.
Disa armëpushime janë shpallur në kuadër të së ashtuquajturave Marrëveshje të Minskut, njëra në shtator të vitit 2014 dhe tjetra në shkurt të vitit 2015, megjithëqë ato kanë pasur pak sukses në terren.