Shtetet e Bashkuara dhe Turqia janë afër një krize të thellë, pasi Ankaraja tha të premten se ka pranuar pjesët e para të sistemeve ruse të mbrojtjes raketore S-400.
Megjithatë, administrata amerikane ende nuk ka treguar se si do të përgjigjet, por një konferencë për shtyp, e paralajmëruar për më vonë gjatë ditës, ku do të shpjegohej veprimi i SHBA-së u shty “për një kohë të pacaktuar”.
Sekretari në detyrë i Mbrojtjes, Mark Esper, ka biseduar me homologun e tij turk, Hulusi Akar, por Pentagoni nuk dha asnjë detaj lidhur me bisedën telefonike, që zgjati për rreth 30 minuta.
SHIKONI EDHE: Dërgesat e para të sistemit raketor rus arrijnë në TurqiMegjithatë, Ministria e Mbrojtjes së Turqisë tha se Akar “i tha homologut të tij amerikan se Turqia mbetet nën një kërcënim serioz nga sulmet ajrore dhe blerja e sistemeve të mbrojtjes S-400 nuk ka qenë një opsion, por më tepër një domosdoshmëri”.
Komiteti për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve përmes një deklarate tha se presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan “i ishte dhënë një mundësi e qartë. Fatkeqësisht, ai ka bërë zgjedhjen e gabuar”, duke iu referuar kështu ofertës së SHBA-së që t’i shesë Ankarasë sistemin raketor amerikan Patriot, në vend të sistemit rus.
Marrëveshja bie ndesh me legjislacionin në SHBA – i njohur si Kundërshtimi i Armiqve të Amerikës përmes Aktit të Sanksioneve (CAATSA) – që ka për cak blerjen e pajisjeve ushtarake nga Rusia. Ky legjislacion përcakton 12 masa të mundshme hakmarrëse, që presidenti Donald Trump do të mund të zgjedhë që t’i përdor kundër Ankarasë.
Masat mund të përfshijnë edhe hapa të tillë si ndalimi i lëshimit të vizave apo mohimi i qasjes për Bankën Export-Import me bazë në SHBA, ose bllokimi e transaksioneve në sistemin financiar të SHBA-së dhe moslëshimin e licencave të eksportit.
SHIKONI EDHE: Erdogan i bindur se SHBA-ja nuk do të vendosë sanksione ndaj TurqisëAnkaraja gjithashtu mund të përjashtohet nga prodhimi i avionëve F-35 dhe të bllokohet blerja e avionëve të gjeneratës së ardhshme. Uashingtoni tashmë ka nisur heqjen e Turqisë nga programi – duke ndaluar trajnimin e pilotëve turq në SHBA për avionët luftarakë.
Ankaraja planifikon që të blejë rreth 100 avionë luftarakë për ushtrinë e saj.
Kontingjenti i parë me sistemin S-400 arriti më 12 korrik në Bazën Ajrore Murted, që gjendet në periferi të Ankarasë, njoftoi Ministria e Mbrojtjes së Turqisë.
Njoftimi për arritjen e sistemit rus dhe frika për një krizë ekonomike, që mund të prodhohej nga sanksionet e mundshme amerikane, menjëherë ka ndikuar që të dobësohet lira turke kundrejt dollarit amerikan.
“Dërgesa e pjesëve të sistemit raketor do të vazhdojë në ditët e ardhshme”, tha ministria turke.
“Kur të arrijnë të gjitha pjesët e sistemit, ne do të nisim ta përdorim atë, në mënyrën e përcaktuar nga autoritetet përkatëse”.
Shërbimi federal për bashkëpunim ushtarak i Rusisë konfirmoi nisjen e dërgesave, ndërkaq zëdhënësi i Kremlinit, Dmity Peskov u tha gazetarëve më 12 korrik se “gjithçka po bëhet në përputhje me marrëveshjen e arritur mes dy shteteve”, duke shtuar se “palët janë duke përmbushur obligimet e tyre”.
NATO – pjesë e së cilës është Turqia – ende nuk ka reaguar lidhur me njoftimin e Ankarasë, por zyrtarët e aleancës, që kanë folur në kushte anonimiteti, i thanë AFP-së se blloku prej 29-anëtarësh “është i shqetësuar lidhur me pasojat e mundshme” nga kjo blerje e Turqisë.
Presidenti Trump është takuar me homologun e tij turk Erdogan muajin e kaluar, gjatë samitit të G20-ës në Japoni, ku i bëri thirrje që të mos vazhdojë me blerjen e sistemit rus.
Erdogan i tha Trumpit se ish-presidenti amerikan, Barack Obama nuk e kishte lejuar Ankaranë që të blejë raketat Patriot – që është një ekuivalent i sistemit S-400.