Shtetet e Bashkuara po dërgojnë trupa shtesë në Lindjen e Mesme në përgjigje të rritjes së dhunës mes Izraelit dhe Libanit – grupit libanez të shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni – që ka rritur rrezikun e një lufte më të gjerë rajonale, tha Pentagoni më 23 shtator.
Zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, nuk ofroi detaje se sa trupa shtesë do të dërgohen apo se çfarë detyrash do të kenë. SHBA-ja aktualisht ka afër 40.000 trupa në rajon.
“Në dritë të rritjes së tensioneve në Lindjen e Mesme dhe për shkak të kujdesit të shtuar, ne po dërgojmë një numër të vogël shtesë të personelit ushtarak amerikan për të rritur numrin e forcave tona që tashmë janë në rajon. Por, për arsye të sigurisë operacionale, nuk mund të komentoj apo të jap specifika”, tha Ryder.
SHIKONI EDHE:
Libani thotë se sulmet izraelite vranë më shumë se 350 njerëzSulmi i dyshuar me pajisje elektronike nis fazë të re të armiqësisë mes Izraelit e HezbollahutDislokimi i ri vjen pas sulmeve ajrore nga forcat izraelite ndaj caqeve brenda Libanit që kanë vrarë qindra persona dhe në kohën kur Izraeli po përgatitet të kryejë operacione të tjera. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, përmes një video-mesazhi të hënën paralajmëroi civilët libanezë që të evakuohen nga shtëpitë e tyre para sulmeve të reja ajrore. Ky mesazh u publikua teksa avionët luftarakë izraelitë vazhduan të sulmonin caqet e dyshuara të Hezbollahut në jug dhe lindje të Libanit.
Ndërkaq, Departamenti amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje amerikanëve që të largohen nga Libani, teksa rreziku për një luftë rajonale po rritet.
“Për shkak të natyrës së paparashikueshme të konfliktit që po vazhdon mes Hezbollahut dhe Izraelit dhe shpërthimeve të fundit në mbarë Libanin, përfshirë në Bejrut, Ambasada amerikane u bën thirrje qytetarëve amerikanë të largohen nga Libani derisa opsionet komerciale ende janë të qasshme”, tha DASH-i të shtunën.
Ryder nuk tregoi nëse forcat shtesë mund të mbështesin evakuimin e qytetarëve amerikanë që duan të largohen nga Libani.