Një sulm i dyshuar izraelit që kishte si objektiv pajisjet elektronike të përdorura nga anëtarët e grupit militant libanez, Hezbollah, po cilësohet si fazë e re në armiqësinë e përshkallëzuar mes këtyre kundërshtarëve të kamotshëm.
Izraeli dhe Hezbollahu kanë qenë të përfshirë në sulme vdekjeprurëse nëpër vende të ndryshme që nga shpërthimi i luftës në Rripin e Gazës në tetor.
Ekspertët thonë se sulmi i koordinuar më 17 shtator që kishte në shënjestër pejxherët në Liban, i cili vrau të paktën 12 persona dhe plagosi mijëra të tjerë – shumica prej tyre të dyshuar si luftëtarë të Hezbollahut – është një përshkallëzim domethënës që mund ta bëjë të pashmangshme një luftë në shkallë të plotë mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Udhëheqësia dhe pjesëtarët e Hezbollahut përdornin pejxherë për ta shmangur mbikëqyrjen izraelite mbi rrjetet e telefonisë mobile në Liban.
Një valë e re shpërthimesh vdekjeprurëse goditi bastionet e Hezbollahut në Libanin jugor më 18 shtator. Në shënjestër të sulmit ishin radiolidhjet e luftëtarëve të Hezbollahut.
Hamidreza Azizi, studiues në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, tha se, në muajt e fundit, marrëdhëniet mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë ndjekur një “model të përshkallëzimit të ngadaltë”.
Hezbollahu ka sulmuar gjithnjë e më thellë në territorin në veri të Izraelit, duke detyruar dhjetëra mijëra qytetarë izraelitë të zhvendosen. Ndërkohë, Izraeli e ka zgjeruar fushatën e vrasjeve kundër Hezbollahut brenda Libanit.
“Në një moment, kjo situatë do të dalë jashtë kontrollit dhe do të shpërthejë në një luftë në shkallë të plotë”, tha Azizi.
Shpërthimet e pejxherëve në Liban ndodhën vetëm një ditë pasi Izraeli njoftoi më 16 shtator se po zgjeronte fokusin e fushatës pothuajse njëvjeçare kundër grupit palestinez Hamas, të shpallur organizatë terroriste nga BE-ja dhe SHBA-ja, në Gaza për t’u përballur edhe me Hezbollahun në kufirin verior me Libanin. Izraeli gjithashtu shtoi kthimin e sigurt të qytetarëve izraelitë në pjesën veriore të vendit si një qëllim të ri të luftës.
Ali Sardarzadeh, analist i zhvillimeve në Lindjen e Mesme i bazuar në Gjermani, tha se sulmi në Liban me shpërthim të pejxherëve kishte për qëllim ta dërgonte një “mesazh të qartë për Hezbollahun që ta ndalojë shfaqjen e fuqisë që po ndërmerr”.
Izraeli po “ushtron presion ndaj Hezbollahut si përmes luftës, ashtu edhe përmes diplomacisë”, tha Sardarzadeh për Radio Farda të Radios Evropa e Lirë.
Ali Mohtadi, ekspert rajonal me qendër në Britani, tha se “shpërthimi i pejxherëve mund ta shënojë një fazë të re të një lufte [Izrael-Hezbollah] që ka vazhduar që gati një vit”.
Mohtadi i tha Radio Fardas se një luftë në shkallë të plotë është kundër interesave të të dyja palëve, Izraelit dhe Hezbollahut, por shtoi se armiqësia ka “arritur në një fazë ku mund të dalë jashtë kontrollit në çdo moment”.
Hezbollahu e ka fajësuar Izraelin për shpërthimet dhe është zotuar se do të hakmerret. Ushtria izraelite nuk i ka komentuar këto pretendime.
Lina Khatib, drejtoreshë e Institutit të Lindjes së Mesme në Shkollën për Studime Orientale dhe Afrikane me seli në Londër, tha se shpërthimet e pejxherëve ishin poshtëruese dhe shkelje e madhe e sigurisë për Hezbollahun. Por, ajo tha se një konflikt në shkallë të plotë nuk është i pashmangshëm.
“Me Hezbollahun të ekspozuar, Izraeli po e vazhdon fushatën ushtarake në jug të Libanit”, tha Khatib. “Por, nuk do ta përshkallëzojë domosdo angazhimin ushtarak në një luftë në shkallë të plotë, pasi sulmi me pejxherë është në vetvete paksa parandalues për Hezbollahun”.
Një konflikt i drejtpërdrejtë midis Izraelit dhe Hezbollahut mund ta shkaktojë një luftë më të gjerë rajonale që do ta përfshinte Iranin, mbështetësin kryesor të Hezbollahut dhe armikun e betuar të Izraelit.
Bashkëpunëtorët e Iranit, përfshirë Hezbollahun, kanë nisur sulme kundër Izraelit në mbështetje të palestinezëve që kur shpërtheu lufta në Gaza.
Irani dhe Izraeli i janë afruar disa herë një lufte, përfshirë pas vrasjes së Ismail Haniyeh, liderit politik të Hamasit, në Teheran në korrik. Teherani fajësoi Izraelin dhe u zotua se do të hakmerrej, megjithëse nuk ka pasur asnjë përgjigje të drejtpërdrejtë ushtarake nga Irani.
Në mesin e të plagosurve në sulmin e 17 shtatorit në Liban ishte edhe ambasadori i Iranit në Liban, Mojtaba Amani. Mediat iraniane raportuan se ai pësoi dëmtime “në dorë dhe fytyrë”.
Ekspertët thanë se është e pamundur që sulmi në Liban të shkaktojë një hakmarrje të drejtpërdrejtë iraniane kundër Izraelit.
“Mendoj se Irani do ta konsiderojë këtë kryesisht një çështje të Hezbollahut, pavarësisht plagëve të pësuara nga ambasadori iranian”, tha Raz Zimmt, studiues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.
“Ka të ngjarë të shohim diskutime dhe konsultime midis Iranit dhe Hezbollahut lidhur me një hakmarrje të mundshme, por ndjesia ime është se Irani preferon që përgjigja të vijë nga Hezbollahu”.