Ndërlidhjet

Disa të vrarë, mijëra të plagosur nga shpërthimi i pejxherëve në Liban


Një ambulancë mbërrin në një spital në Bejrut më 17 shtator, pas shpërthimit të njëkohshëm të pejxherëve në Liban.
Një ambulancë mbërrin në një spital në Bejrut më 17 shtator, pas shpërthimit të njëkohshëm të pejxherëve në Liban.

Së paku nëntë njerëz janë vrarë dhe 2.750 të tjerë janë plagosur të martën si pasojë e shpërthimit të njëkohshëm të pajisjeve të telekomunikimit me valë – të njohura si pejxherë – në Liban, tha ministri i Shëndetësisë i Libanit, Firass Abiad.

Grupi militant libanez i mbështetur nga Irani, Hezbollahu tha më herët se dy anëtarë të tij dhe një vajzë ishin në mesin e të vrarëve nga shpërthimet “misterioze”.

Ministri Abiad tha se 200 prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë, ndërsa në mesin e të plagosurve është edhe ambasadori i Iranit në Bejrut, Mojtaba Amani, sipas mediave iraniane.

Ministria e Jashtme e Libanit i dënoi shpërthimet duke i quajtur “sulm kibernetik izraelit”, duke shtuar se disa prej pajisjeve që shpërthyen ishin në Siri. Ajo tha gjithashtu se do të bëjë ankesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Ky përshkallëzim i rrezikshëm dhe i qëllimshëm nga Izraeli shoqërohet nga kërcënimet izraelite për ta zgjeruar fushëveprimin e luftës kundër Libanit në shkallë të gjerë”, tha ajo.

Hezbollahu është zotuar se do të hakmerret, duke thënë se Izraeli do të përballet me “ndëshkim të drejtë” për shpërthimet

Hezbollahu tha se një numër i pejxherëve, të përdorur nga anëtarët e grupit, shpërthyen “njëkohësisht”.

Pajisjet që shpërthyen ishin modeli më i fundit i pejxherëve që Hezbollahu e kishte importuar në Liban rishtazi, raportoi agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar tri burime të paidentifikuara.

Raportimet nga Libani tregojnë se “qindra” anëtarë të grupit militant Hezbollah, përfshirë luftëtarë dhe punëtorë të ndihmës, u plagosën nga shpërthimi i pejxherëve - mjet komunikimi që pranon mesazhe me tekst ose me zë - në jug të Libanit dhe përreth.

Një anëtar i grupit, duke folur në kushte anonimiteti, tha për Reuters se shpërthimi i pajisjeve ishte “infiltrimi më i madh i sigurisë” me të cilin Hezbollahu është përballur në konfliktin e tij me Izraelin në vitin e fundit.

Agjencitë e tjera të lajmeve raportuan gjithashtu se një numër i anëtarëve të grupit Hezbollah u plagosën si pasojë e shpërthimit të këtyre pajisjeve.

Në një deklaratë, Ministria libaneze e Shëndetësisë tha se qindra të plagosur janë dërguar në spitale pas shpërthimeve.

Ministria u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që kanë pejxherë t'i hedhin ato menjëherë.

Shpërthimet ndodhën në një kohë kur kabineti izraelit njoftoi se po i zgjeronte synimet e luftës dhe fokusin e fushatës së tij pothuajse njëvjeçare kundër grupit ekstremist Hamas, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, në Gaza, për ta luftuar Hezbollahun në kufirin e saj verior me Libanin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG