Mediat në Shtetet e Bashkuara raportojnë se SHBA-ja ka nisur sulm kibernetik ndaj sistemeve kompjuterike të ushtrisë iraniane më 20 qershor, vetëm disa orë pari Irani rrëzoi një dron amerikan.
Washington Post dhe Associated Press, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikan, raportuan se ky sulm është kryer me miratimin e presidentit amerikan, Donald Trump.
Megjithatë, zyrtarët e mbrojtjes së SHBA-së refuzuan që të konfirmojnë këto raportime.
Sulmi kibernetik vjen pasi Trump, fillimisht miratoi, pastaj anuloi, sulmet ajrore ndaj disa caqeve brenda Iranit, duke thënë se kundërpërgjigja për dronin e rrëzuar nuk do të ishte “proporcionale” dhe se sulme të tilla do të mund të çonin në humbjen e jetëve të ushtarëve dhe civilëve iranianë.
SHIKONI EDHE: Trump tërheq vendimin për sulm ndaj IranitTrump tha se në vend të sulmeve, SHBA-ja do të vendosë sanksione të rënda ndaj Iranit më 24 qershor, por nuk dha më shumë detaje.
Por, presidenti Trump së bashku me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, duket se zbutën gjuhën e ashpër, që kohët e fundit kanë përdorur ndaj Iranit.
Presidenti tha se është i hapur që të arrihet një marrëveshje e shpejt me Iranin, që sipas tij, do të ndihmonte Republikën Islamike të rimëkëmbej nga kriza shkatërruese ekonomike, që në masë të madhe është shkaktuar nga ndalesat financiare të vendosura nga SHBA-ja.
Nëse Teherani do të hiqte dorë nga armët bërthamore, Trump tha se ai do të bëhej “shoku më i mirë” i Iranit.
SHIKONI EDHE: Irani thotë se do t’iu kundërpërgjigjet kërcënimeve të SHBA-sëNë një deklaratë më 22 qershor, sekretari Pompeo tha se “kur regjimi iranian do të vendosë të heqë dorë nga dhuna dhe t’i përgjigjet diplomacisë sonë me diplomaci, ai (Irani) do të dijë se si të kontaktojë me ne”, u shpreh Pompeo.
“Deri atëherë, diplomacia jonë e izolimit dhe fushata e presionit ekonomik ndaj regjimit do të intensifikohet”, tha sekretari Pompeo.
Washington Post ka raportuar se Trump ka autorizuar Komandën Kibernetike të SHBA-së që të sulmojë kompjuterët ushtarakë iranianë, pasi më 20 qershor, Garda Revolucionare Islamike e Iranit rrëzoi një dron amerikan.
Teherani ka thënë se droni po fluturonte mbi territorin e tij, përderisa Pentagoni thotë se droni ishte mbi ujërat ndërkombëtare në momentin kur është rrëzuar.
Associated Press ka cituar dy zyrtarë amerikanë të kenë thënë se sulmi kibernetik ka pasur për cak sistemin kompjuterik të Gardës së Iranit.
Ndërkaq, Washington Post raporton se sulmi ka shkatërruar mundësinë e kompjuterëve për të kontrolluar raketat dhe lëshimin e tyre.
Washington Post dhe AP thanë se sulmi kibernetik është zhvilluar që disa javë, teksa tensionet ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit janë rritur.
Duke folur sot, një komandant i lartë i Gardës Revolucionare paralajmëroi se çdo konflikt në rajon, mund të shpërndahet në mënyrë të pakontrolluar.
“Nëse konflikti shpërthen në rajon, asnjë vend nuk do të mund ta menaxhoj përmasën e tij apo edhe kohën”, citohet të ketë thënë për agjencinë Fars,Gjeneral-majori, Gholamali Rashid.
Rashid tha se administrata e Trumpit “duhet të sillet në mënyrë të përgjegjshme që të mbrojë jetën e forcave amerikane”.
Ai tha se Irani nuk po kërkon luftë, teksa shtoi se shteti i tij do ta mbrojë veten nga çdo “kërcënim apo agresion”.
SHBA-ja e fajëson Iranin për sulmet ndaj cisternave të naftës në Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit. Irani, në anën tjetër, mohon çdo përfshirje në këto sulme.
Përshkallëzimi i tensioneve ka bërë që shumë kompani të fluturimeve të mos fluturojnë mbi Gjirin e Omanit dhe Ngushticën e Hormuzit.
SHIKONI EDHE: Kompanitë ajrore ndryshojnë fluturimet pas incidentit SHBA-IranKompania shtetërore ajroree Arabisë Saudite është kompania e fundit që ka njoftuar se ka ndryshuar rrugët e fluturimeve me qëllim që të shmangë hapësirën ajrore iraniane, duke thënë se ky vendim vjen për shkaqe të sigurisë.
Vendimi i kompanisë saudite vjen pasi Autoriteti i Aviacionit në SHBA ua ndalojë avionëve të regjistruar në SHBA që të operojnë mbi disa territore në Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit, pas rrëzimit të dronit amerikan.