SHBA paralajmëron: Siria po përgatit sulm kimik

Fëmijë të lënduar nga sulmet në Siri

Përfaqësuesi i ri i Shteteve të Bashkuara për luftën në Siri tha se ka “shumë prova” se forcat e Qeverisë sirane po përgatiten për përdorimin e armëve kimike në Idlib, provincën e fundit të kontrolluar nga rebelët.

Jim Jeffrey tha se ofensiva e pritur në enklavë mund të shndërrohet në një “përshkallëzim të pamatur”.

Qeveria siriane vazhdimisht e ka mohuar përdorimin e armëve kimike.

Komentet e zyrtarit amerikan u bënë publike në ditën kur në Teheran mbahet një samit i udhëheqësve të Rusisë dhe Iranit, dy vende që mbështesin presidentin sirian, Bashar al-Assad, dhe Turqisë, e cila mbështet disa fraksione të rebelëve në Siri.

(Video nga arkivi: Siria - horrori pa fund)

Your browser doesn’t support HTML5

Siria - horrori pa fund

Kombet e Bashkuara paralajmëruan për një katastrofë humanitare nëse ndodh një sulm gjithëpërfshirës dhe Turqia shfaqi frikë për një fluks të ri refugjatësh përgjatë kufirit të saj.

“Jam shumë i sigurt se kemi arsye shumë, shumë të fuqishme për t’i bërë këto paralajmërime”, tha Jeffrey në një intervistë për agjencinë Reuters, të parën prejse është enëruar në pozitë më 17 gusht.

“Ka shumë dëshmi se armët kimike janë duke u përgatitur", tha ai, duke mos dhënë detaje për to.

Departamenti amerikan i Shteti paralajmëroi këtë javë se Uashingtoni do t’i përgjigjet çdo sulmi kimik, të kryer qoftë nga Qeveria siriane, qoftë nga aleatët e saj.

Pavarësisht mohimeve të Sirisë, ekspertë të Kombeve të Bashkuara dhe të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike kanë thënë se janë të bindur se forcat qeveritare qëndrojnë prapa një sulmi me agjentin nervor Sarin, i cili është kryer në një qytet në jug të Idlibit, në prill të vitit 2017, duke lënë të vrarë mbi 80 vetë.

Jeffrey tha se ka nevojë për një "iniciativë të madhe diplomatike" për t'i dhënë fund luftës civile shtatëvjeçare.

Ai tha se ka “një përkushtim të ri” nga presidenti amerikan, Donald Trump, për të mbetur i përfshirë në Siri derisa grupi militant Shteti Islamik të mposhtet dhe për të siguruar se luftëtarët iranianë, që i mbështesin autoritetet siriane në konflikt, largohen nga Siria.

Jeffrey tha se presidenti Assad “nuk ka të ardhme si sundimtar” në Siri, porse nuk është punë e Uashingtonit për ta përmbysur atë. Ai tha se SHBA-ja do të punojë me Rusinë për tranzicion politik.

Me forcat rebele të mundura në pjesën më të madhe të Sirisë, ofensiva në krahinën veri-perëndimore të Idlibit mund të jetë beteja e fundit kryesore e luftës civile shtatëvjeçare.

Besohet se në Idlib ka rreth 30,000 luftëtarë rebelë dhe xhihadistë.

Sipas Kombeve të Bashkuara, në provincë jetojnë rreth 2.9 milionë njerëz, përfshirë një milion fëmijë.

Përgatiti: Valona Tela