Ndërlidhjet

Power Rusisë: Fëmijët në Alepo nuk janë terroristë


Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Samantha Power.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Samantha Power.

Rusia u përball me akuza të ashpra në Kombet e Bashkuara për vrasjen e dhjetëra fëmijëve dhe civilëve të tjerë në Siri.

Agjencia për Fëmijë e OKB-së, UNICEF, dhe grupet monitoruese kanë raportuar të mërkurën se sulmet ajrore të Sirisë ose Rusisë kanë vrarë 35 njerëz, përfshirë së paku 22 fëmijë dhe gjashtë mësues, në provincën Idlib, e cila kontrollohet nga rebelët.

“Kjo është tragjedi. Është shkelje. Nëse është e qëllimshme, është krim lufte”, tha drejtori i UNICEF-it, Anthony Lake.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitaly Churkin, tha se është duke u konsultuar me Ministrinë e tij të Mbrojtjes për të përcaktuar se kush është përgjegjës.

Më vonë, në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për qytetin e rrethuar të Sirisë, Alepo, shefi për çështje humanitare i OKB-së, Stehphen O’Brien, akuzoi Rusinë dhe Sirinë për përdorim të taktikave të urisë dhe për shndërrimin e qytetit në “zonë të vrasjes”.

O’Brien tha se situata në Alepo, ku 400 veta janë vrarë në më pak se një muaj, është “tmerr apokaliptik”.

O’Brien po ashtu tha se fletëpalosjet e hedhura në Alepo nga avionët rusë dhe sirianë i bëjnë të qarta qëllimet e tyre.

Ai tha se në fletëpalosje është shkruar: “Kjo është shpresa e fundit, nëse nuk i lini këto zona urgjentisht, do të asgjësoheni”.

Churkin, në anën tjetër, tha se është për keqardhje që Kombet e Bashkuara kanë refuzuar të pranojnë një armëpushim humanitar në Alepo, të shpallur njëanshëm nga ana e Rusisë, për të lejuar shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Churkin, i cili tha se grupet “terroriste” në Alepo kanë parandaluar shpërndarjen e ndihmave, akuzoi O’Brien për “arrogancë”, për shkak të bërjes së akuzave të ashpra kundër Moskës.

“Nëse duhet të predikojmë, do të shkojmë në kishë”, tha Churkin, i cili kryeson këshillin e OKB-së këtë muaj.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Samantha Power, sulmoi Rusinë për dhunën e fundit, duke thënë se Moska nuk ka punuar kurrë me OKB-në, gjatë pauzave të supozuara të luftimeve në Alepo.

“Ju nuk do të merrni lëvdata nëse nuk keni kryer krime lufte një ditë ose një javë”, tha Power, e cila hodhi poshtë pretendimet e Moskës se është duke luftuar vetëm terroristët.

“A beson Rusia se fëmijët në Alepon lindore janë anëtarë të Al Kaidës”, pyeti ajo.

O’Brien, në fund, nuk i komentoi akuzat e Churkinit, por e porositi: “Ndaleni luftën tani”.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG