SHBA: Sanksionet kundër Rusisë hasin në pengesë

Ilustrim

Liderët e Senatit të Shteteve të Bashkuara i kanë bërë thirrje Dhomës Përfaqësuese që të votojnë për legjislacionin e Senatit për imponimin e sanksioneve të reja kundër Rusisë, përkundër faktit se kjo masë ka hasur në pengesë në këtë dhomë.

Kryesuesi i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit, John McCain, tha se Dhoma Përfaqësuese duhet të votojë sa më shpejtë që të jetë e mundur për këtë legjislacion, me të cilin i jepet përgjigje përzierjes ruse në zgjedhjet amerikane, duke parashikuar se masa do të kalojë bindshëm në Dhomë, ashtu siç kaloi javën e kaluar në Senat.

Të gjithë ne e dimë se rusët janë përpjekur të ndërhyjnë në zgjedhjet tona”, tha McCain, dhe ka shtuar se “janë bërë gjashtë muaj dhe ne nuk kemi bërë asgjë”.

Por, në vend se të shfrytëzohet momenti pozitiv i krijuar me votimin bindës në Senat, me 98 për dhe vetëm 2 vota kundër, për pakon gjithëpërfshirëse të sanksioneve, udhëheqja republikane këtë legjislacion e ka dërguar për rishqyrtim në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës Përfaqësuese.

Për më tepër, liderët e Dhomës thanë se është zbuluar një problem në këtë legjislacion: ai e shkel kërkesën në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara se çfarëdo legjislacioni, i cili i shton të ardhurat për Qeverinë, duhet ta ketë origjinën në Dhomë.

Kjo e metë kushtetuese do të thotë se legjislacioni mund të dërgohet përsëri në Senat, ku dispozitat e tij për rritje të të ardhurave, që nuk janë identifikuar, duhet të largohen nga teksti, e pastaj të dërgohet në Dhomën Përfaqësuese për votim.

Demokratët kanë sugjeruar se republikanët kanë shtruar çështje procedurale për ta ndalur legjislacionin për shkak të lojalitetit ndaj presidentit, Donald Trump, administrata e të cilit e ka kritikuar pakon e sanksioneve se është potencialisht shumë kufizuese për Rusinë.

Lideri demokrat në Senat, Chuck Schumer, tha se republikanët në Dhomën Përfaqësuese duhet ta kalojnë këtë legjislacion “sa më shpejtë që të jetë e mundur”.

Përgjigjja ndaj sulmit rus në demokracinë tonë duhet të jetë çështje dypartiake, e cila i bashkon demokratët dhe republikanët në Senat dhe Dhomë”, tha Schumer.

Senatori tjetër demokrat, Dick Durbin, tha se “republikanët në Dhomë janë pak të nxehtë, ndërsa Shtëpia e Bardhë është e ftohtë sa u përketë sanksioneve ruse”.

Anëtari i njohur i Dhomës Përfaqësuese, demokrati Eliot Engel, tha se është i shqetësuar se vonesa do t’i mundësojnë administratës Trump zbutjen e legjislacionit.

Por, kryesuesi i Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara, republikani Bob Corker, tha se beson se ekziston “interes i fuqishëm” në Dhomën Përfaqësuese për miratimin e legjislacionit për sanksionet ruse, që është i ngjashëm me atë që kaloi në Senat.

Unë nuk dëshiroj në asnjë mënyrë të deklaroj se si ata duhet të veprojnë duke e bërë punën e tyre”, tha Corker, dhe ka shtuar se “ata nuk veprojnë kështu me ne”.

AshLee Strong, zëdhënëse e kryesuesit të Dhomës Përfaqësuese, Paul Ryan, tha se zoti Ryan beson se Kongresi duhet të bëjë më tepër për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse.

Ajo tha se “ne do të përcaktojmë rrugën e lëvizjes përpara në Dhomë”, pasi Komiteti i Punëve të Jashtme ta përfundojë rishqyrtimin e legjislacionit.

Kryesuesi i këtij komiteti, Ed Royce, ka thënë se po punon në ndërtimin e mbështetjes dypartiake për sanksione, për shkak të asaj që ai i cilësoi si “aktivitete të rrezikshme të Rusisë” gjatë zgjedhjeve amerikane.

Por, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka ofruar pak mbështetje për legjislacionin e Senatit. Gjatë një dëshmie javën e kaluar në Kongres, ai tha se administratës Trump i duhet “fleksibilitet për harmonizim të sanksioneve, që t’i plotësojnë nevojat për atë që gjithnjë është një situatë diplomatike në zhvillim”.

Tillerson ka sugjeruar se sanksionet e tepruara agresive mund të çojnë që Moska t’i ndërprejë bisedat e premtuara potencialisht me Uashingtonin.

Pakoja e sanksioneve e miratuar në Senat, synon kritikën e ashpër ndaj Rusinë për atë që agjencitë e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara kanë konkluduar se ishte fushatë sekrete për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale në vitin 2016, për ta favorizuar Trumpin.

Përgatiti: Fatmir Bujupi