SHBA pezullon fondet për Traktatin e Qiejve të Hapur, Rusia reagon ashpër

Kongresi i Shteteve të Bashkuara dhe presidenti amerikan, Donald Trump kanë bllokuar fondet për një traktat ndërkombëtar për vëzhgim ushtarak, duke nxitur reagim të ashpër nga zyrtarët rusë.

Ligjvënësit amerikanë që kanë akuzuar Rusinë për mospërmbajtje të Traktatit të Qiejve të Hapur, kanë përfshirë një dispozitë për të pezulluar fondet e zbatimit të Traktatit, në një projektligj për mbrojtje kombëtare në vlerë të 717 miliardë dollarëve, të cilin Trump e ka nënshkruar si ligj më 13 gusht.

Kjo ka shtyrë disa zyrtarë rusë më 14 gusht, që të akuzojnë Shtetet e Bashkuara për shkelje të traktatit, përmes së cilit nga viti 2002 34 kombe nënshkruese janë lejuar të nisin fluturime vëzhguese në territorin e njëra-tjetrës. Disa ligjvënës rusë madje kanë akuzuar Uashingtonin se është duke tentuar që fshehurazi të ndërtojë program të armëve.

Sipas ligjit të ri amerikan, fondet mund të kthehen vetëm kur administrata e presidentit Trump të vërtetojë se Rusia është duke “kryer plotësisht obligimet” sipas Traktatit.

Uashingtoni ka akuzuar Moskën për shkelje të kësaj marrëveshjeje, duke zvogëluar numrin e bazave ajrore në të cilat ka qasje SHBA-ja dhe duke kufizuar numrin e fluturimeve për vëzhgim në enklavën ruse, Kaliningrad në Evropën Lindore.

I vendosur në mes të Polonisë dhe Lituanisë, ka pasur shumë raportime për rritje të aktivitetit ushtarak në Kaliningrad, derisa pamjet nga sateliti kanë dhënë shenja të ndërtimit të ndonjë ndonjë zone bërthmore.

Polonia, Lituania dhe vende tjera anëtare të NATO-s, kanë shprehur shqetësim për qëllimet e Rusisë, sidomos pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina më 2014 apo për mbështetje të separatistëve në lindje të Ukrainës, në betejë kundër forcave qeveritare.

Hapi për t’i bërë presion Rusisë për të përmbushur detyrimet e Traktatit ka ardhur vetëm një javë pasi SHBA-ka njoftuar për sanksione të reja kundër këtij shteti, duke cituar përdorimin e agjentit nervor në helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Angli.

Zyrtarët rusë kanë reaguar menjëherë ndaj masave ndëshkuese të Uashingtonit, pasi zëvendës-ministri rus, Sergei Ryabkov u ka thënë mediave ruse se Moska “ndjen keqardhje” për vendimin e zyrtarëve amerikanë.

“Kjo është një përpjekje për të fshehur gjithçka që amerikanët janë duke përgatitur në një garë të re të armëve”, ka thënë zëvendës-drejtori i Komitetit të Rusisë për Çështje të Jashtme, Vladimir Dzhabarov.

Pavarësisht akuzave të disa zyrtarëve rusë se Shtetet e Bashkuara, në thelb janë duke suspenduar pjesëmarrjen e tyre në këtë Traktat, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë më 14 gusht se SHBA-ja vazhdon të jetë e “përkushtuar” për të zbatuar paktin.

Vitin e kaluar, ky Departament ka përshkruar paktin për Qiej të Hapur si Traktat “të hartuar për mirëkuptim të përbashkët dhe besim, duke iu lejuar të gjithë pjesëmarrësve, pavarësisht madhësisë, një rol të drejtpërdrejtë në mbledhjen e informacioneve në aktivitetet ushtarake që përbëjnë shqetësim për ata”.

Në projektligjin e ri për mbrojtje theksohet se përveç certifikimit se Rusia është duke zbatuar traktatin, i njëjti i kërkon administratës të raportojë për shpenzimet vjetore të “kundërmasave ashtu që, të zbuten abuzimet potenciale të fluturimeve vëzhguese” të Rusisë në Evropë dhe SHBA.

Një mision rus i zbulimit kishte fituar vëmendje të madhe në SHBA, një vit më parë, pasi një aeroplan kishte udhëtuar në Uashington, Nju Xhersi, Dejton, Ohajo, hap të cilin politikanët amerikanë e patën cilësuar si tendencë për “provokim” të Trumpit në kohën e tensioneve të larta ndërkombëtare.

Sidoqoftë, zyrtarë të Pentagonit kanë insituar se vëzhgime të tilla janë kryesisht rutinore dhe kanë ndodhur për vite, duke vlerësuar se Rusia ka kryer rreth 165 misione të tilla, prej fillimit të zbatimit të paktit.

Përgatiti: Krenare Cubolli