SHBA-ja paralajmëron zgjerimin e listës së zezë në Maqedoninë e Veriut

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, ka paralajmëruar të mërkurën zgjerimin e listës së zezë me persona të tjetër të dyshuar për korrupsion në Maqedoninë e Veriut.

Më 5 dhjetor, Departamenti amerikan i Shtetit e futi në listën e zezë ish-zëvendëskryeministrin maqedonas, Koço Angjushev, ndërsa para tij edhe disa politikanë dhe biznesmenë të tjerë të profilit të lartë, si kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko dhe biznesmeni kontrovers, Orce Kamçev.

Duke folur para gazetarëve në Shkup, Ageler tha se vendosja e Angjushevit në listën e zezë u bë pas “provave të shumta” për përfshirjen e tij në korrupsion.

SHIKONI EDHE: Ish-zëvendëskryeministrit maqedonas i ndalohet hyrja në SHBA

Ajo nuk dha hollësi apo emra të personave që mund të futen në listën e zezë të SHBA-së, por shtoi se Angjushevi nuk do të jetë emri i vetëm në listën e zezë.

“Mund t'ju premtoj se ka njerëz të tjerë, rastet e të cilëve janë duke u përpunuar në Uashington. Nuk dua të spekuloj se kur do të shpallen, por ju premtoj se ky nuk ishte emri i fundit”, tha Ageleri.

Ajo theksoi se për vendosjen e tyre më të shpejtë në listën e zezë duhet kohë pasi “ky është një proces kompleks dhe i mundimshëm që kërkon siguri të plotë se persona të caktuar janë realisht pjesë e aktiviteteve korruptive".

Hapat e tillë, siç tha Ageler, janë një mënyrë për Uashingtonin për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit.

SHIKONI EDHE: Ambasadorja: SHBA e zhgënjyer me gjyqësorin në Maqedoni të Veriut

“Ka një epidemi korrupsioni në këtë vend që ka prekur çdo sektor, çdo organizatë dhe vetëm duke vënë në dukje aktorët e korruptuar mund të fillojmë të ndihmojmë vendin që të merret me ato çështje”, theksoi ajo.

Ambasadorja Ageler njëkohësisht shprehu edhe dëshpërimin e saj nga mungesa e rezultateve në luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut.

“Në 32 vjetët e fundit, apo nga shpallja e pavarësisë së vendit, Shtetet e Bashkuara kanë investuar gati gjysmë miliard dollarë për qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit, por deri më tani nuk kanë dhënë rezultatet e pritura”, shtoi Ageler.