Shtetet e Bashkuara e kanë futur në listën e zezë ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Koço Angjushev, duke ia ndaluar hyrjen në vend, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh, njoftoi të martën Departamenti amerikan i Shtetit (DASH).
Në një komunikatë për media, DASH-i tha se sa ishte zëvendëskryeministër, Angjushevi e shkeli pozitën zyrtare për përfitim të interesave të veta private e biznesore “duke e minuar në këtë mënyrë besimin e publikut të Maqedonisë së Veriut në institucionet e tyre qeveritare dhe proceset publike”.
Angjushev ishte zëvendëskryeministër nga viti 2017 deri në vitin 2020, në qeverinë e udhëhequr nga Zoran Zaev.
Në një reagim të martën vonë, Angushev e mohoi të ketë qenë i përfshirë në korrupsion, duke thënë se do të ankohet ndaj vendimit.
“Kam punuar me respekt të plotë sipas të gjitha ligjeve dhe dispozitave kushtetuese të shtetit dhe në interes të ekonomisë maqedonase dhe të parimeve demokratike mbi të cilat mbështetet”, tha Angushev në një reagim.
DASH-i tha se vendimi i tij "dëshmon se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah atyre njerëzve në Maqedoninë e Veriut të cilët kërkojnë llogaridhënie për zyrtarët e korruptuar publikë”.
Përveç tij, Departamenti njoftoi se ua ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara edhe bashkëshortes së Angjushevit, Elizabetës, si dhe fëmijëve të tij, Angel dhe Ognen.
Ky vendim, thuhet në njoftim, rithekson përkushtimi e SHBA-së për ta luftuar korrupsionin, i cili e dëmton interesin publik, e pengon prosperitetin ekonomik të vendit, dhe zvogëlon mundësitë e qeverive të përgjigjen në mënyrë efektive ndaj nevojave të qytetarëve të vet.
Angjushev është pronar dhe drejtor ekzekutiv i grupit Fero Invest dhe i fabrikës Brako.
Në vitin 2014, revista ekonomike amerikane Forbes e shpalli Angjushev një nga pesë maqedonasit më të pasur.