Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë njoftuar për largimin nga Ukraina të një pjese të stafit të ambasadave të tyre, një lëvizje që nga Kievi është cilësuar si “e parakohshme”, teksa janë rritur shqetësimet pas grumbullimit të mijëra trupave ruse në kufi me Ukrainën.
Bashkimi Evropian, megjithatë, ka dhënë sinjale se nuk do të ndjekë menjëherë shembullin e SHBA-së dhe Britanisë. Një zyrtar i BE-së tha më 24 janar se nuk ka nevojë për “dramatizim” të situatës për aq kohë sa vazhdojnë bisedimet diplomatike me Rusinë.
Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë urdhëruar largimin e familjarëve të punonjësve në ambasadën në Kiev dhe thanë se të gjithë qytetarët amerikanë duhet ta konsiderojnë largimin nga Ukraina për shkak të kërcënimit të veprimit ushtarak nga Rusia.
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) më 23 janar u tha familjarëve të stafit në ambasadën në Kiev se ata duhet të largohen, ndërkaq punonjësit jothelbësorë të ambasadës mund të largohen vullnetarisht dhe Qeveria do të paguajë shpenzimet e udhëtimit. Këto urdhra u lëshuan “për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm nga veprimi ushtarak rus”, tha Departamenti përmes një deklarate.
DASH po ashtu shtoi se Qeveria amerikane “nuk do të jetë në gjendje të evakuojë” shtetasit amerikanë në Ukrainë, prandaj ata duhet të planifikojnë me kujdes dhe ta shqyrtojnë mundësinë që të përdorin opsione komerciale për t’u larguar nga shteti, tha një zyrtar i Departamentit gjatë një konference virtuale me gazetarë.
“Këto janë masa paraprake, të kujdesshme, që në asnjë mënyrë nuk minojnë mbështetjen apo angazhimin tonë për Ukrainën”, tha ky zyrtar.
Ky zyrtar i lartë i DASH-it nuk pranoi që të jepte një vlerësim se sa amerikanë jetojnë në Ukrainë, por theksoi se Ambasada amerikane “do të vazhdojë të operojë në mënyrë të pandërprerë për të mbështetur Ukrainën në këtë moment kritik”.
Kushtet e sigurisë, veçanërisht përgjatë kufirit të Ukrainës në rajonin e Krimesë të okupuar nga Moska dhe në territorin në lindje të Ukrainës që kontrollohet nga Rusia, “janë të paparashikueshme dhe mund të përkeqësohen me pak paralajmërim”, u tha në deklaratë. “Protestat, të cilat disa herë janë shndërruar në protesta të dhunshme, ndodhin rregullisht në gjithë Ukrainën, përfshirë edhe në Kiev”.
Në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit u theksuan raportet e fundit që thonë se Rusia po planifikon një aksion të rëndësishëm ushtarak ndaj Ukrainës, por zyrtari që foli me gazetarët, nuk përmendi ndonjë ngjarje specifike që i ka paraprirë këtij njoftimi.
Your browser doesn’t support HTML5
I pyetur nëse urdhri për largimin e familjarëve të stafit të ambasadës nënkuptonte se Shtetet e Bashkuara mendonin se Kievi mund të jetë në rrezik, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit u përgjigj se SHBA-ja po përpiqej që të vepronte me maturi. Ky zyrtar tha se Rusia mund të sulmojë në çdo moment, por SHBA-ja nuk e di nëse presidenti rus, Vladimir Putin ka vendosur për një gjë të tillë.
“Ne nuk po themi se e dimë se [një pushtim] do të ndodhë. Askush nga ne nuk e di se çfarë do të vendosë presidenti Putin. Dhe në të njëjtën kohë që ne po bëjmë këtë planifikim dhe po ndërmarrim masa të kujdesshme, ne vazhdojmë të jemi shumë të angazhuar për zgjidhjen e situatës në rrugë diplomatike”, tha zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit.
Britania tërheq disa diplomatë nga Ukraina
Pas njoftimit të SHBA-së, Ministria e Jashtme britanike tha më 24 janar se gjithashtu do të tërheqë një pjesë të stafit dhe familjarët e tyre nga ambasada në Ukrainë, në përgjigje të “kërcënimit në rritje nga Rusia”.
Ambasadat e të dyja shteteve, megjithatë u tha se do të qëndrojnë të hapura për të kryer “punë thelbësore”.
SHIKONI EDHE: Britania e furnizon me armë Ukrainën që të mbrohet nga RusiaUkraina kritikon SHBA-në
Ukraina ka kritikuar lëvizjen e SHBA-së, duke e quajtur si të “parakohshme”, teksa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Oleh Nikolenko përmes një deklarate tha se është e rëndësishme të ruhet qetësia.
“Ne konsiderojmë se një hap i tillë nga ana amerikane është i parakohshëm dhe paraqet një kujdes të tepruar”, tha Nikolenko.
“Federata Ruse aktualisht po bën përpjekje aktive për ta destabilizuar situatën e brendshme në Ukrainë”, tha ai dhe shtoi se “dezinformatat dhe manipulimet” po përhapen nga mediat për të “mbjellë panik në mesin e ukrainasve dhe shtetasve të huaj”.
“Në këtë situatë është e rëndësishme që t’i qasemi me maturi rreziqeve dhe të jemi të qetë”, shtoi Nikolenko.
SHIKONI EDHE: Kievi: Rusia po rrit përfshirjen ushtarake në lindje të UkrainësBorrell: S’ka nevojë për dramatizim
Ndërkaq, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell tha më 24 janar se blloku evropian nuk ka asnjë plan të menjëhershëm për të urdhëruar tërheqjen e stafit nga Ukraina.
“Ne nuk do të veprojmë njësojë sepse nuk kemi asnjë arsye specifike”, tha Borrell teksa arriti në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, takim në të cilin, përmes video-lidhjes do të marrë pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
“Nuk mendoj se duhej ta dramatizonin për aq kohë sa bisedimet po vazhdojnë”, tha Borrell.
Gjatë takimit të 24 janarit, ministrat e BE-së pritet të ripërsërisin dënimin e Evropës për grumbullimin ushtarak rus. Vlerësohet se mbi 100,000 trupa ruse janë vendosur përgjatë kufirit me Ukrainën.
Gjatë arritjes në këtë takim që mbahet në Bruksel, ministri i Jashtëm i Danimarkës, Jeppe Kofold tha se BE-ja është e gatshme të vendosë sanksione “të pa para më parë” nëse Rusia sulmon Ukrainën.
SHIKONI EDHE: BE: S’ka zgjidhje të tensioneve Rusi-Ukrainë pa EvropënMinistria e Jashtme ruse ka akuzuar shtetet e aleancës ushtarake, NATO për përshkallëzimin e tensioneve në lidhje me Ukrainën edhe pasi kryediplomatët e SHBA-së dhe Rusisë u pajtuan më 21 janar që të vazhdojnë të punojnë për uljen e tensioneve.
Kremlini mohon se ka plane për ta pushtuar Ukrainën, por po kërkon garanci se NATO nuk do të zgjerohet në drejtim të lindjes, veçanërisht në Ukrainë.
SHIKONI EDHE: Blinken: Pasoja të mëdha për Rusinë nëse sulmon UkrainënNdërkaq, NATO tha më 24 janar se po forconte prezencën e saj në lindje, duke dërguar më shumë luftanije dhe avionë luftarakë.
“NATO do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët, përfshirë edhe përforcimin e pjesës lindore të Aleancës. Ne gjithmonë do t’i përgjigjemi çdo përkeqësimi të mjedisit tonë të sigurisë”, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përmes një deklarate.
Aleanca tha se po forconte praninë e saj në Detin Baltik, pasi disa shtete kanë ofruar trupa dhe pajisje.
Në deklaratë u tha se ditët e fundit Danimarka kishte marrë vendim që të dërgonte luftanije dhe avionë në Baltik, Spanja kishte vendosur që të forconte dislokimet detare dhe Holanda ka vënë në gatishmëri njësi detare dhe tokësore për reagim të shpejtë.
Pas këtij vendimi, zëdhënësi i Kremlinit Dimitry Peskov tha se SHBA-ja dhe NATO-ja po përshkallëzojnë tensionet përmes “histerisë së informacionit” dhe “veprimeve konkrete”, duke shtuar se rreziku i një ofensive nga forcat ukrainase kundër separatistëve pro-rusë është “shumë i lartë”.