Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do ta godasin Rusinë me sanksione të reja me qëllim të ndëshkimit të Moskës, për helmimin e ish-agjentit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia, në muajin mars në Sallsbëri të Anglisë.
Njoftimi i 8 gushtit nga Departamenti amerikan i Shtetit vjen pas masave të mëparshme të Uashingtonit për këtë rast, përfshirë dëbimin e dhjetëra diplomatëve rusë në koordinim me Britaninë dhe aleatë tjerë, si përgjigjje ndaj helmimeve, për të cilat autoritetet kanë thënë se është përdorur agjent nervor, Noviçok.
Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se vala e parë e sanksioneve do të nisë së zbatuari më 22 gusht dhe se të njëjtat janë vënë sipas ligjit amerikan të vitit 1991 për armët kimike dhe ato biologjike.
Këto masa shënjestrojnë licensat e pajisjeve teknologjike amerikane siç janë turbinat e gazit, eletronika dhe pajisje të kalibrimit.
Një zyrtar ka thënë se kërkesat për licensimin e eksportit të këtyre mallrave në Rusi tani do “mohohet me paramendim”.
Zyrtarët kanë thënë se një gjë e tillë mund të ndërpresë qindra miliona dollarë në eksportet e ardhshme drejt Rusisë.
Zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti po ashtu ka thënë se Rusia do të ketë 90 ditë për të vepruar në përputhje me kërkesat tjera specifike duke përfshirë lejimin e inspektorëve të Kombeve të Bashkuara dhe personelit ndërkombëtar për të vërtetuar se nuk ekzistojnë armë biologjike apo kimike në këtë vend.
Your browser doesn’t support HTML5
Në rast se Moska nuk respekton kërkesat, vala e dytë e sanksioneve do të përfshijë masa që mund të përkeqësojnë marrëdhëniet me Rusinë apo edhe të kufizojnë fluturimet e aeroplanëve të linjës shtetërore, Aeroflot.
Zyra e Jashtme britanike ka thënë të ketë mirëpritur vendimin amerikan për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Një zëdhënës i kësaj Zyre ka thënë se një përgjigjje e fuqishme ndërkombëtare dërgon një “mesazh të qartë” te Rusia se “qasja e saj provokative” nuk do të mbetet e pasfiduar.
Ambasada e Rusisë në Uashington ka kundërshtuar sanksionet e reja duke i cilësuar “të ashpra”, dhe akuzat se Moska ka helmuar Skripalët si “të panatyrshme”.
Në një deklaratë të lëshuar në orët e vona të 8 gushtit, ambasada ka thënë se as Uashingtoni as Londra nuk kanë prezantuar të dhëna që mbështesin akuzat e tyre, mirëpo Departamenti amerikan i Shtetit i ka thënë ambasadës se ka mjaftushëm të dhëna “të klasifikuara”, për të vlerësuar se “Rusia është fajtore”.
Më 4 mars, Skripalët janë gjetur pa ndjenja afër një stoli në Sallsbëri të Anglisë.
Ata kanë qenë në gjendje kritike, mirëpo pas disa javësh të procesit të shërimit ata tashmë janë liruar nga spitali.
Mjekët në Britani nuk kanë pritur se do të mbijetojnë Skripalët
Autoritetet britanike kanë vlerësuar më vonë se Sergei dhe vajza e tij Yulia janë helmuar me Noviçok, agjent nervor i kategorisë ushtarake që është zhvilluar në Bashkimin Sovjetik.
Ndikimi i menjëhershëm i sanksioneve
Njoftimi amerikan për sanksionet e reja kundër Moskës ka ndikuar menjëherë në tregjet globale,
Valuta ruse ka rënë për 3.1 përqind në 65.55 për dollarë, duke shënuar nivelin më të ulët nga nëntori i vitit 2016, derisa spiralja e rënies së valutës ka vazhduar në tregun aziatik edhe më 9 gusht.
Analistët kanë thënë se investitorët globalë janë të shqetësuar jo vetëm për ndalimin amerikan të borxhit të Rusisë, por edhe se ndonjë dispozitë e projektligjit të Kongresit që do të kishte cak bankat ruse, do ta dëmonte seriozisht ekonominë e Rusisë.
“Nëse filloni të godisni Rusinë duke synuar falimentim të sistemit bankat si rezultat i sanksioneve, kjo do të dërgonte në rezultatet më të këqija në krahasim me ato që janë tani”, ka thënë për Bloomberg, drejtori për borxhe në AllianceBernstein, Shamaila Khan.
Sergei Skripal, ish-kolonel i agjencisë së inteligjencës ushtarake të Rusisë ishte dënuar nga një gjykatë ruse për tradhti më 2006.
Moska e ka liruar atë nga burgu më 2010, duke e dërguar në Perëndim në një këmbim të stilit të Luftës së Ftohtë.
Londra ka fajësuar më pas Qeverinë e presidentit rus, Vladimir Putin për helmimet, duke dëbuar dhjetëra diplomatë rusë.
Në total, 150 diplomatë rusë janë dëbuar nga shumë shtete Përëndimore, duke përfshirë 60 diplomatë nga Shtetet e Bashkuara.
Vendimi amerikan përbën hapin e fundit të ashpër kundër Rusisë. Shumica prej tyre janë miratuar në Kongres pas mbështetjes së madhe të Republikanëve dhe Demokratëve.
Përpjekjet për ta ndëshkuar Rusinë kanë rënë në kundërshtim me thirrjet e vazhdueshme të presidentit amerikan, Donald Trump për të arritur pajtueshmëri me Moskën.