Shtetet e Bashkuara do t’ia dërgojnë Ukrainës edhe një sistem tjetër kundërajror të llojit Patriot, thanë dy zyrtarë amerikanë të martën.
Uashingtoni i është përgjigjur lutjeve dëshpëruese të Kievit për ta ndihmuar me më shumë mbrojtje ajrore, pasi është duke u përballur me sulme të pareshtura ruse në rajonin e vet verilindor, Harkiv.
Zyrtarët thanë se presidenti amerikan, Joe Biden, e ka dhënë pëlqimin për këtë vendim.
SHIKONI EDHE: Zelensky u lutet sërish aleatëve të Ukrainës për kundërajrorë dhe furnizim të shpejtë me armëKy do të jetë kundërajrori i dytë Patriot që Shtetet e Bashkuara ia dhurojnë Ukrainës, edhe pse Pentagoni i ka dhënë kohë pas kohe Kievit një numër të pazbuluar raketash për këtë sistem kundërajror.
Aleatë të tjerë, përfshirë Gjermaninë, gjithashtu i kanë dhënë Ukrainës kundërajrorë dhe municione për ta.
Më 10 maj, forcat ruse e nisën një ofensivë të re në Harkiv - qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, që ndodhet rreth 34 kilometra larg kufirit rus. Analistët e kanë përshkruar ofensivën si tentim për të krijuar “zonë neutrale”, përmes së cilës mbrohet territori i Rusisë.
Kah mesi i majit, komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskiy, tha se Rusia e ka zgjeruar ofensivën në një vijë prej 70 kilometrash, në përpjekje për të detyruar Ukrainën që t'i angazhojë edhe rezervistët.
SHIKONI EDHE: Disa viktima nga sulmet e Rusisë në rajonin e HarkivitShtetet e Bashkuara janë ndër mbështetësit kryesorë të Ukrainës.
Përveç ndihmës ushtarake për Ukrainën, në vlerë të 61 miliardë dollarëve, të miratuar nga Kongresi amerikan më herët gjatë vitit, presidenti amerikan Joe Biden e propozoi në fillim të qershorit edhe një paketë tjetër në vlerë të 225 milionë dollarëve që përfshin municione, raketa, mortaja, artileri dhe raketa për mbrojtje ajrore.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.