I padisponueshëm - Sfidat kalendarike të Orbanit për skenarin e Këshillit Evropian

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban (majtas), duke folur me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, në një samit të BE-së në Bruksel, më 23 mars 2023.

Sesioni qesharak në Bruksel filloi me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili më 7 janar shpalli kandidaturën për zgjedhjet e Parlamentit Evropian të qershorit.

Edhe pse është në një vit zgjedhor, BE-ja është gjithmonë e fokusuar pas punëve institucionale të nivelit rangut të lartë, por ky njoftim do të nxisë garën për ulëse mes kandidatëve dhe vendeve anëtare, si dhe mund të dominojë ciklin e lajmeve të Brukselit në muajt në vijim.

Me këtë spektër, ndonëse të pazakonshëm, ekziston mundësia që kryeministri hungarez, Viktor Orban, do të luajë një rol kyç, duke shtuar erëza shtesë në përbërje. Pra, harrojeni BE-në që përpiqet të ketë një ndikim të madh në luftërat në Ukrainë apo Lindjen e Mesme, në gjashtë muajt e ardhshëm ose më shumë – blloku do të përballet me sfida shumë të ndryshme tani e tutje.

SHIKONI EDHE: Çfarë mund të pritet më 2024? Lexojini parashikimet e gazetarëve të REL-it

Por, së pari, shqetësimi më i madh i të gjithëve është se Viktor Orban do të kryesojë Këshillin Evropian duke filluar nga 1 korriku. Kjo, sepse sipas rregullave të BE-së, nëse nuk ka një president të përhershëm të Këshillit Evropian, si pozita aktuale që ka Michel, vendi që mban presidencën e radhës përgjatë gjashtë muajve do të marrë përsipër funksionet e tij. Dhe, në këtë rast, Hungaria është vendi që do të mbajë presidencën në gjysmën e dytë të vitit.

Vetë ideja për të pasur kryeministër hungarez, i cili është i përfshirë në disa mosmarrëveshje ligjore me bllokun, duke shkaktuar ngrirjen e një sasie të madhe të fondeve të BE-së për shkak të këtyre shqetësimeve, ai po ashtu ka vepruar si një pengesë në bllok në shumë raste - veçanërisht në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë dhe çdo lloj mbështetjeje për Ukrainën - është shumë e frikshme për disa persona.

E mira, në gjithë këtë situatë është se ka ende kohë për t’i zgjidhur të gjitha këto para gjysmës së dytë të vitit. Dhe, një vështrim në kalendarin dhe librin e rregullave të BE-së e bën këtë plotësisht të mundur. Në fakt, burimet me të cilat kam folur janë të qeta, duke i dhënë “skenarit të Hungarisë” afër zero për qind shanse që të ndodhë.

T’i shohim datat

Zgjedhjet parlamentare evropiane do të zhvillohen më 6-9 qershor në të gjithë bllokun prej 27 anëtarësh. Nëse Michel zgjidhet në Parlament, e cila ka të ngjarë të ndodhë marrë parasysh statusin e tij në Belgjikë, ku ai ishte gjithashtu kryeministër para karrierës së tij në BE, ai do të betohet si eurodeputet në seancën e parë plenare më 16-19 korrik.

Por, para kësaj, Michel do të kryesojë dy samite vendimtare paszgjedhore të BE-së në Bruksel më 17 qershor dhe më pas përsëri më 27-28 qershor. Pikërisht në këto dy takime, kryeministrat dhe presidentët e vendeve anëtare të BE-së do të mblidhen dhe do të vendosin jo vetëm për pasardhësin e tij, por edhe për presidentin e Komisionit Evropian dhe shefin e politikës së jashtme të BE-së.

Kjo treshe e pozicioneve merr parasysh çdo lloj parametrash. Duhet të ketë një ekuilibër gjinor dhe një ekuilibër të besimit politik (normalisht të qendrës së djathtë, të qendrës së majtë dhe liberale) me partinë politike që përfundon e para në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, e cila zakonisht merr mundësinë për të propozuar presidentin e Komisionit.

SHIKONI EDHE: A do të mjaftojnë paratë për ta bindur Viktor Orbanin?

Po ashtu duhet të ketë edhe një shtrirje të mirë gjeografike, që do të thotë se pozitat do t'u shpërndahen njerëzve nga pjesët veriore, jugore, perëndimore dhe lindore të BE-së. Ky akt përfundimtar balancues është më i vështirë për t'u arritur. Herën e fundit, në vitin 2019, kur Michel u zgjodh së bashku me gjermanen Ursula von der Leyen për postin e lartë të Komisionit dhe spanjollin Josep Borrell për pozitën më të lartë të politikës së jashtme, asnjë "lindor" nuk mori asgjë.

Këtë herë, një pozitë tjetër do të jetë gjithashtu e hapur në qytet. Kjo pasi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të largohet nga posti në tetor, pas një dekade në krye të organizatës ushtarake.

Pasardhësi i tij do të dihet më së voni nga 9 deri 11 korrik, kur edhe mbahet samiti i NATO-s në Uashington.

Pra, ndërkohë që BE-ja dhe NATO-ja nuk janë të lidhura zyrtarisht, ato janë pjesë të të njëjtit mozaik politik në kuptimin që ka një mbivendosje të madhe të anëtarësimit në të dyja organizatat dhe për këtë arsye disa kandidatë po i shqyrtojnë të gjitha mundësitë. Kjo do të sigurojë që asnjë vend nuk do të fitojë një pozitë të lartë në të dy BE-në dhe NATO-në, duke e bërë më të mundur pajtimin për një shpërndarje më të balancuar gjeografike për detyrat e tyre.

SHIKONI EDHE: Diplomatët e NATO-s diskutojnë për “thellimin e lidhjeve” të Hungarisë me Rusinë

Çfarë thotë libri i rregullave?

Për zgjedhjen e tri pozitave kryesore në BE nevojitet një shumicë e kualifikuar - që është 55% e shteteve anëtare të BE-së që përfaqësojnë 65% të popullsisë së përgjithshme të BE-së. Kjo do të thotë se Orban nuk ka kapacitet ta bllokojë këtë proces, ashtu siç bëri në të kaluarën për të ndaluar ndihmën financiare për Ukrainën. Ai kundërshtoi zgjedhjen e Von der Leyen në krye të Komisionit Evropian para pesë vjetësh - por pa sukses.

Normalisht, presidenti i ri i Këshillit do të merrte pozicionin e tij nga fundi i vitit – mandati i Michelit, për shembull, zgjat deri më 30 nëntor.

Pra, a do të krijonte ky boshllëk i mundshëm midis përzgjedhjes së mundshme në qershor dhe hyrjes në zyrë në fund të vjeshtës, një derë të pasme për Orbanin për të bërë kërdi përkohësisht? Përsëri, jo. Presidenti i ri mund të fillojë mandatin e tij që në verë nëse ka ndryshim të rregullores. Dhe, kjo mund të ndryshohet me një shumicë të thjeshtë. Pra, as këtu nuk ka mundësi vetoje.

E gjithë kjo do të thotë se bisedimet do të fillojnë tashmë, dhe ne do të kemi kandidatë zyrtarë dhe jozyrtarë që të hedhin kapelat në ring më herët se sa pritej.

Kjo do ta detyrojë Ursula von der Leyen që së shpejti të deklarojë nëse ajo po kërkon rizgjedhje ose ndoshta punën në NATO, pasi thuhet se organizata se dëshiron të ketë një udhëheqëse grua për herë të parë dhe ajo është e admiruar përtej Atlantikut.

SHIKONI EDHE: Çmimi i pranimit të anëtarëve të rinj në BE mund ta ulë entuziazmin për zgjerim

Duke e profilizuar veten si një kandidat kryesor për bllokun liberal, Charles Michel nuk ka gjasa të pajtohet vetëm me të qenët një europarlamentar. Ndoshta ai mund të pasojë Borrellin dhe të bëhet fytyra e politikës së jashtme të Brukselit? Apo do të shohim një formacion krejtësisht të ndryshëm gjatë verës?

Shumë pak e kishin Von der Leyen, një ministre gjermane të Mbrojtjes në atë kohë, si zgjedhjen kryesore për udhëheqjen e Komisionit në fillim të vitit 2019.

Pra, liderët e bllokut do të duhet të përballen me këtë bashkim pjesësh të mozaikut më herët se sa që pritej dhe do të ketë shumë hatërmbetje në këtë proces, por ata ende kanë shumë kohë për të bërë atë që dinë të bëjnë më së miri: të gjejnë kompromise nën presionin e kohës. E vetmja gjë për të ardhur keq është se ata do të kenë pak kohë që të përqendrohen në çështje të tjera nga pikëpamja gjeografike, çështje që janë më urgjente.

Përgatiti: Arta Sopi