Donika Bakiu përkthen çdo ditë informacione zyrtare në lidhje me pandeminë e koronavirusit, për t’i shpërndarë ato në një grup në Facebook, të titulluar “Karantina”.
Donika ndjek studimet për doktoratë në gjuhë e letërsi shqipe, në Maqedoninë e Veriut.
Përkthimet i bën në mënyrë vullnetare qysh në mars të vitit 2020, kur edhe ka shpërthyer pandemia.
Kjo, sipas saj, ka qenë një nismë e ndërmarrë nga më shumë aktivistë të sektorit civil, pasi, siç thotë, qytetarët kanë të drejtë të informohen në gjuhën shqipe. Grupi “Karantina” në Facebook i ka mbi 2,200 ndjekës.
“Te faqja e ministrit të Shëndetësisë (Venko Filipçe) informacionet përktheheshin pas katër apo pesë orësh. Unë e mora si obligim që, çdo ditë, në mënyrë vullnetare, t’i përkthej të gjitha informacionet te grupi i ‘Karantinës’. Gjithçka është aty brenda, pesë minuta pasi e thotë ministri i Shëndetësisë ose pas publikimit në ueb-faqen e Ministrisë së Shëndetësisë”.
“[Ne] e dimë që ka shumë nga ata që nuk e kuptojnë mirë gjuhën maqedonase. Mendova t’i jap një krah kësaj pune, pasi njerëzit kanë nevojë”, thotë Donika për Radion Evropa e Lirë.
Në bazë të Ligjit për zbatimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, i cili ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2019, të gjitha ministritë janë të obliguara që informacionet në ueb-faqen zyrtare, t’i publikojnë edhe në gjuhën shqipe.
SHIKONI EDHE: Ligji për përdorimin e gjuhëve, pjesërisht i zbatueshëmPor, në realitet, informacionet në gjuhën shqipe përditësohen me vonesë ose fare.
Nga institucionet thonë se nuk disponojnë kuadër të mjaftueshëm për t’i përditësuar të gjitha informacionet edhe në gjuhën shqipe.
Në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, që shënohet çdo 22 nëntor, Donika thotë se mirënjohja e qytetarëve për punën që bën, është “urata më e mirë” për të.
“Kur e di se ndiqem nga grupi prej shumë njerëzve, kjo më pëlqen edhe më shumë dhe më motivon”.
Donika thotë se e pengon fakti që në ueb-faqen e Ministrisë së Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut dhe të institucioneve të tjera, ato informacione që përditësohen në gjuhën shqipe, “kanë shumë gabime drejtshkrimore”.
“Përkthyes ka, albanologë ka, janë të shumtë si profesionistë, por, për fat të keq, në institucione më tepër angazhohen përkthyes mbi baza të njohjeve partiake. Kjo na vret të gjithëve. Kemi gabime pasi kemi juristë që bëjnë punën e përkthyesit”, thotë Donika.
SHIKONI EDHE: Gabime në zbatimin e gjuhës shqipeMe Ligjin për zbatimin e gjuhëve, gjuha shqipe ka fituar një shtrirje më të gjerë të përdorimit zyrtar në Maqedoninë e Veriut.
Si gjuhë zyrtare, ajo duhet të përdoret në të gjitha institucionet e pushtetit qendror dhe komunat, ku shqiptarët janë mbi 20 për qind.
Ligji parasheh edhe gjoba në para, si për institucionin, ashtu edhe për drejtuesin, në rast të shkeljeve.
Nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, që mbikëqyret nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, thonë se ky dikaster mbetet në dispozicion të institucioneve për çdo përkthim që kanë nevojë.
Por, drejtori Ylber Sela thotë se në mungesë të funksionimit të Inspektoratit për zbatimin e gjuhës shqipe, gjithçka mbetet në vullnetin e drejtuesve të institucioneve.
“Ka udhëheqës që i kanë dhënë prioritet dhe kanë ecur mirë me [zgjerimin e përdorimit] të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare dhe ka udhëheqës që nuk e kanë vënë prioritet zbatimin e shqipes si gjuhë zyrtare”, thotë Sela për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE: Opozita shqiptare në Maqedoninë e V. kërkon riformulim kushtetues për gjuhënZëvendëskryeministri për Çështje të Sistemit Politik në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi, zotohet se inspektorët e parë do të dalin në terren brenda dy muajsh dhe, në këtë mënyrë, sipas tij, institucionet do të detyrohen të jenë më të kujdesshme sa i përket zbatimit të dygjuhësisë.
“Inspektorati, në përputhje me ligjet aktuale, është në rindërtim e sipër. Për të rindërtuar apo për të promovuar një inspektor të vetëm, duhen trajnime 12-mujore në përputhje me ligjin. Nëse nuk gaboj, brenda dy muajve të ardhshëm, inspektorët e parë - në kuadër të Inspektoratit të gjuhëve - do të pajisen me licenca dhe do të fillojnë me veprimin e tyre në terren”, thotë Grubi.
Data 22 nëntor që shënon ditën kur është njësuar alfabeti i gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit, më 1908, është festë zyrtare vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.